Kuvendi ratifikon marrëveshjen SOFA me SHBA'të

Ratifikimin e kësaj marrëveshje e kanë mbështetur 86 deputet, duke mos pasur asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, duke e paraqitur para deputetëve këtë marrëveshje ka thënë se ajo është realizuar përmes këmbimit të notave nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës dhe ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.
Sipas tij, këmbimi i notave është një përmbajtje e natyrës ligjore, e cila përcakton dhe rregullon dhënien e privilegjeve dhe aktiviteteve për personelin civil dhe ushtarak të SHBA-së në pajtim me konventën e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike.
Hoxhaj, duke e parë rëndësinë e kësaj marrëveshje dhe thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit mes Qeverisë së Kosovës dhe SHBA-së ka kërkuar nga deputetët që japin mbështetjen.
“Duke e marr për bazë interesin strategjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e sigurisë rekomandojmë fuqishëm ratifikimin e kësaj marrëveshje për dhënien e privilegjeve dhe imuniteteve personelit civil dhe ushtarak të forcave. Marrëveshja për statusin e forcave siguron kornizën ligjore brenda secilës personeli i ushtrisë amerikane dhe departamentit të mbrojtjes së SHBA-ve e të cilët nuk janë pjesë e misionit të NATO-së mund të veprojnë në Kosovë”, ka thënë Hoxhaj.
Për më tepër, ai ka shtuar se ky personel mund të bashkëpunoj me pjesëtaret e Forcës së Sigurisë së Kosovës për të zhvilluar më tutje aftësinë në kryerjen e katër misioneve të saja thelbësore, si zjarrfikjen, kërkimin dhe shpëtimin, largimin e materialeve të rrezikshme dhe largimin e mjeteve eksplozive.
Deputeti, Hydajet Hyseni, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, ka thënë se ky grup e mbështet unanimisht nisëm për ratifikimin e marrëveshjen për statusin privilegjet dhe imunitetet e forcave - SOFA.
Nga ana tjetër, deputetja Vjosa Osmani në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së ka thënë se çdo marrëveshje dypalëshe me shtetet mike e në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e fuqizojnë subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë dhe për këtë LDK do të përkrah ratifikimin e saj.
Por ajo ka përmendur disa vërejtje, sipas saj, parimore dhe qëllimmira. Osmani ka thënë se MPJ-së në shkurt të këtij viti ka kërkuar nga Presidentja e Kosovës që të ratifikoj këtë marrëveshje dhe të mos e bjer fare në kuvend dhe për këtë arsye kjo marrëveshje ka ardhur në Kuvend me 3 muaj e gjysmë vonesë.
Duke e parë që ky është një dokument jashtëzakonisht i rëndësishëm, Osmani ka kërkuar që të largohet gjuhë me gabime të shumta, edhe logjike.
“E dyta ka të bëjë me gjuhën e përdorur në notën verbale të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe kërkoj nga administrata që ky tekst të rregullohet para se të marr formën përfundimtare sepse ky tekst në gjuhën shqipe do të bëhet projektligj që do të miratohet nga Kuvendi. Po e theksoj vetëm një pjesë të këtij dokumenti që do të bëhet projektligjit që thotë ‘aeroplani i qeverisë së SHBA-së është i liruar nga hipja në aeroplan’. Po supozoj që nuk ka nevojë një dokument kaq i rëndësishëm që kërkon më shumë se 2/3 e deputetëve të ketë një gjuhë të tillë banale”, ka theksuar Osmani.
Ndërkohë edhe Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, i AAK-së dhe grupet e tjera kanë dhënë mbështetjen për ratifikimit të kësaj marrëveshje.
Gjatë punimeve të seancës, me kërkesë të ministrit të Infrastrukturës, Fehmi Mujota, Kuvendi ia ktheu Qeverisë për rishqyrtim Projektligjin për themelimin e Agjencisë për Shërbimet e Navigacionit Ajror.
Ndërsa është miratuar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën kontestimore. Gjithashtu është miratuar në lexim të parë Projektligji për taksën rrugore dhe ekologjike të automjeteve, ai për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për grevat.
Pas një debati të nxehtë edhe Projektligji për teatrot ka kaluar me shumicë të votave të deputetëve dhe ai për Agjencinë e Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore. /kosovapress/