E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pozitë dhe opozitë njëzëri për raportin e UNDP'së

Papunësia, gjendja e rëndë ekonomike dhe mosluftimi i korrupsionit, janë shkaktarët kryesor pse ka rënë kënaqshmëria e qytetarëve tek Qeveria dhe kryeministri, thonë për Kosovapress anëtarët e partive të opozitës, por edhe ata që janë në pushtet.

Duke komentuar raportin e UNDP-së, për kënaqshmërinë e qytetarëve në përgjithësi për Qeverinë dhe kryeministrin, e cila me shifrat aktuale, vlerësohet të jetë më e ulëta që nga viti 2007, anëtarët e të gjitha partive, pohojnë se është koha që të Qeveria të merret me gjendjen socio-ekonomike të qytetarëve të vendit.

Raporti i UNDP-së thotë se sa i përket kënaqshmërisë me Qeverinë dhe kryeministrin, 21% e qytetarëve janë të kënaqur me punë e qeverisë dhe diku 24% janë të kënaqur me punën e kryeministrit të Kosovës.

Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thotë se nuk duhet bërë shaka me brengat e qytetarëve, siç po bëhet nganjëherë në Kuvend, por sipas saj, politika duhet të jetë reflektim i drejtpërdrejt i vullnetit, brengave dhe interesave të qytetarëve, e që sipas saj kjo nuk po ndodh.

“Unë do të thoja, se pothuajse gjithçka po shkon gabim, pothuajse se secili veprim i Qeverisë gjatë këtij mandati ka qenë në kundërshtim me atë të quhet interes i qytetarëve, dhe interes legjitim i Republikës së Kosovës në përgjithësi. Prandaj vlerësoj se ajo që është paraqitur në raportin, apo publikimin e UNDP-së, është reflektim i drejtpërdrejtë i realitetit, pra i një pakënaqësie jashtëzakonisht të mëdha të qytetarëve të Kosovës me punën, apo më mirë të them mos punën e Qeverisë. Mendoj se edhe dialogu Kosovë-Serbi, jo dialogu si proces, por rezultatet e këtij dialogu, kanë ndikuar në masë të madhe që qytetarët të tregojnë pakënaqësinë e vet, me faktin se nga ky dialog Kosova nuk ka përfituar absolutisht asgjë”, ka thënë ajo.

Ndërsa Ahmet Isufi nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), thotë se mosluftimi i korrupsionit ka bërë që të bie niveli i besueshmërisë.

“Kjo qeveri e ka filluar mandatin me luftën anti-korrupsion me sundimin e ligjit, me një propagandë të fuqishme e cila ka rezultuar pastaj me mos veprim, dhe përkundrazi, Qeveria, Gjykatat dhe institucionet tjera në vend se të luftojnë korrupsionin, përkundrazi janë të zhytura në korrupsion, dhe kjo ka bërë që të bie niveli i besueshmërisë në Qeverinë”, ka thënë ai.

Por jo shumë ndryshe mendojnë edhe anëtarët e partive në pushtet. Ata shprehen se gjendja Qeveria duhet të angazhohet për të ulur papunësinë, dhe sipas tyre raporti i UNDP-së është një sinjal i qartë që Qeveria duhet të ketë kujdes në veprimet e veta.

“Unë mendoj që kërkesa e qytetarëve është e bazuar dhe kërkesa është që të jenë një zhvillim më i lartë ekonomik, një ulje e papunësisë edhe më shumë dhe një angazhim më i madh i efiçiencës qeveritare që të jetë në çdo dikaster, dhe zgjedhja e çështjes së veriut. Kërkesat e qytetarëve tashmë kanë kaluar nga ato kërkesat që kanë qenë fundamentale historike për pavarësi dhe subjektivitet juridik të vendit, tani ato janë të kanalizuara dhe të përkrahura edhe nga Bashkimi Evropian dhe nga SHBA-të, dhe tani qytetarët kërkojnë zhvillim ekonomik. Mirëpo, Qeveria duhet të angazhohet më shumë, që të gjejë vende të punës, të përmirësojë gjendjen ekonomike të qytetarëve”, ka thënë Shaip Muja, nga radhën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

“Çështja pse qytetarët janë të pakënaqur është shumë reale për momentin, për arsye se Kosova po kalon nëpër disa procese shumë të rënda, siç është rasti i bisedimeve, rasti i fusnotës, janë çështjet që do të zhvillohen akoma në një periudhë tjetër, pra pas bisedimeve dhe fusnotës, dhe gjendja e tyre socialo-ekonomike është shumë e rëndë. Kosova si pjesë e Evropës prapëse prapë po përballet me një krizë shumë të madhe ekonomike dhe nuk mund të pritet raport tjetër, apo hulumtim tjetër nga qytetarët kur edhe ne jemi pjesë e këtyre qytetarëve që na kanë votuar. Kjo jep sinjal të qartë se kryeministri dhe kabineti qeveritar të kenë kujdes në veprimet e tyre, sepse janë të zgjedhurit e popullit dhe populli kërkon përgjegjësi prej tyre”, ka thënë Myzejene Selmani nga AKR-ja.

Raporti i UNDP-së që ka nxjerrë këto rezultate, është bërë pas intervistimit të 1 mijë e 280 qytetarëve të Kosovës të moshës mbi 18 vjeç, të të dyja gjinive dhe nga të gjitha komunat dhe rajonet e Kosovës, duke mbuluar si zonat rurale ashtu edhe ato urbane. /kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›