Kuvendi rikthen në komisionet parlamentare ligjet me 3/5

Kuvendi ka rikthyer për t`u shqyrtuar për herë të dytë në komisionet parlamentare ligjet që kërkojnë 3/5 e votave. Kjo si një ofertë tjetër për t`i dhënë mundësi përsëri opozitës të sjellë propozime për këto ligje, për të çuar kështu përpara procesin e zbatimit të 12 rekomandimeve të BE-së.
Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli theksoi se ligjet me 3/5 kanë qenë gjithnjë në axhendën e parlamentit ndërsa theksoi se ajo si Kryetare e Kuvendit ka gjithë vullnetin pozitiv për të bërë çdo gjë për ta çuar këtë proces përpara. “Axhenda integruese është axhenda jonë parlamentare, është axhenda jonë kombëtare” ka shtuar Topalli.
Kryetari i Grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi dhe Nënkryetari i Kuvendit,Namik Dokle, kërkuan që në kalendarin 3 javor të punimeve të parashikohet rishikimi i Rregullores së Kuvendit. Ndërsa Kryetarja e Kuvendit sqaroi se rishikimi i Rregullores është tashmë i përfshirë në kalendarin e punës, i votuar në datë 13 tetor 2011 në seancë plenare.
Ndërkohë Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike Astrit Patozi i ka bërë edhe një ofertë tjetër opozitës ku nga tre kandidatura që propozohen dhe miratohen nga Kuvendi për Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, një të propozohet nga PD-ja, një nga PS-ja dhe një ga LSI-ja, si shprehje e vullnetit për bashkëpunim.