Kuvendi, rol kyç në diplomacinë shqiptare
Kam kënaqësinë që edhe këtë vit, të shfrytëzoj këtë rast për t’u takuar me ju dhe për të shprehur, në emër të të gjithë anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë, vlerësimin dhe mbështetjen time, mbështetjen e Kuvendit dhe të strukturave të tij, për veprimtarinë tuaj në përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve jashtë vendit, në funksion të zbatimit të objektivave të politikës sonë të jashtme.
Analistët e hollë dhe objektivë, shqiptarë e të huaj, pajtohen në konkluzionin se viti 2008 është viti më i suksesshëm dhe i begatë për Shqipërinë, si për nga pikëpamja e zhvillimit tërësor të vendit në të gjithë parametrat kryesore, si nga pikëpamja e sendërtimit të procesit të integrimit euroatlantik ashtu edhe nga pikëpamja e imazhit që vendi projekton jashtë kufijve të tij.
Ju që përfaqësoni jashtë, shtetin shqiptar dhe të gjitha autoritetet e vendit, përfshirë edhe Kuvendin e Shqipërisë, ju që përfaqësoni në botë figurën e shoqërisë shqiptare në transformim, ju të cilëve shqiptarët u kanë besuar mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tyre, jeni të parët që e konstatoni këtë ndryshim. E konstatoni në kontaktet me interlokutorët tuaj, në kontaktet me përfaqësues të shoqërive ku punoni e jetoni përfshirë ata shqiptarë, në pasqyrimin që gjejnë në shtypin e huaj përpjekjet tona të gjithanshme, e më së fundi, në raporte ndërkombëtare që bëjnë referencë.
Dëshiroj vetëm të përsëris se si dje, po ashtu sot e aq me shumë nesër, roli juaj është i rëndësishëm, i veçantë, për më tepër për një vend si Shqipëria që ka aq shumë kohë për të rimarrë, në një botë ku koha është e artë, dinamika e pandalshme, konkurrenca gjithnjë e më e madhe, dhe siç e tregon edhe kriza e tanishme financiare, sfidat dhe të papriturat nuk janë asnjëherë larg. Gjatë këtij viti, aktiviteti me jashtë i Kuvendit të Shqipërisë është rritur dhe zgjeruar. Jo vetëm për të mbajtur kontaktet me dhomat homologe në një hapësirë gjeopolitike edhe më të gjerë, jo vetëm për të shtuar kontaktet me ligjvënësit e vendeve të tjera mike e aleate, jo vetëm për të ndarë mendime, pikëpamje analiza, por gjithnjë e më shumë për të gjetur zgjidhje për shumë probleme që na preokupojnë bashkërisht, në rajon, në Evropë e më gjerë. Kësisoj, çdo analizë e aktivitetit diplomatik të Shqipërisë do të ishte e paplotë nëse nuk do të përfshinte dhe kontributin e të gjithë atyre anëtarëve të Kuvendit, të cilët me kontaktet e tyre kanë bërë që marrëdhëniet e Shqipërisë me botën të zhvillohen, zgjerohen dhe shumëfishohen. Unë dëshiroj t’i falënderoj kolegët e mi, në opozitë apo në mazhorancë, për kontributin e tyre në këtë drejtim. Por, jam veçanërisht krenare të evokoj kontributin e Kuvendit në dy elementë themelorë, shtylla të veprimtarisë sonë diplomatike: ecurinë e shpejtë e të suksesshme të procesit të ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, si dhe procesin e ratifikimit të Protokollit të Aderimit në NATO.
Procesi i Ratifikimit të Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit mund të konsiderohet si i kryer. Unë dua të besoj se ashtu si vendet e tjera të BE-së edhe Parlamenti grek do të gjejë kohë për të miratuar këtë dokument kaq të rëndësishëm për Shqipërinë.
Përfundimi i procesit do të na mundësojë jo vetëm të fillojmë e të zbatojmë këtë marrëveshje duke e futur procesin e kompatibilitetit me BE-në në një fazë shumë më të avancuar, por dhe të ecim më tej në hapat e tjerë në thellimin e marrëdhënieve me BE-në.
Së bashku me homologun tim kroat, në muajin korrik të këtij viti, ne u jemi drejtuar të gjitha parlamenteve të vendeve anëtare të NATO-s për të vijuar me procedurë të shpejtuar në ratifikimin e protokollit të aderimit në NATO. Jam e lumtur të konstatoj se reagimi ka qenë befasues dhe lista e vendeve ratifikuese shtohet çdo javë. Jam ende e emocionuar nga ceremonia e para disa ditëve e organizuar në parlamentin e Bullgarisë, ku së bashku me kryetarin e Parlamentit kroat ishim të ftuar të merrnim pjesë në seancën e ratifikimit.
Dëshiroj të falënderoj përzemërsisht të gjitha vendet, parlamentet e të cilave kanë vepruar me shpejtësi dhe të besoj se ky proces do të vijojë me këtë intensitet në javët dhe muajt që vijnë, në mënyrë që Shqipëria të bëhet anëtare e NATO-s në Samitin e ardhshëm.
Nuk do të doja ta përfundoja këtë përshëndetje të shkurtër pa evokuar ngjarjen madhore në rajon, shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe me këtë rast, të përshëndes përfaqësuesin e parë të Kosovës në Tiranë. Ashtu si edhe në fusha e tjera, edhe në bashkëpunimin ndërparlamentar, ne do të ndërtojmë një marrëdhënie të ngushtë bashkëpunimi e miqësie, shkëmbime kontaktesh të gjithanshme me Republikën e Kosovës. Kurrë më parë në histori Shqipëria nuk ka pasur kaq shumë marrëdhënie, kaq shumë aktivitete, kaq shumë kontakte, kaq shumë miq. Por asnjëherë nuk do të mund të themi se kemi mjaftueshëm dhe angazhimet tona janë shtuar dhe, në të ardhmen do të jenë edhe më të mëdha.
Ajo që ndodh në Shqipëri, veprimtaria e strukturave tona në të gjitha nivelet, vendimet e rëndësishme dhe reformat, përfshirë aktiviteti i dendur i Kuvendit të Shqipërisë duhet të njihet menjëherë edhe jashtë, duhet të prezantohet tek të gjithë ata që janë të interesuar për zhvillimet në Shqipëri. Është kësisoj detyrë parësore e juaja të bëni promovimin e reformave, të prezantoni efektin e tyre, në të gjithë komponentët e veprimtarisë sonë, në të gjitha fushat e aktivitetit. Vendi dhe shoqëria presin me të drejtë një cilësi të punës dhe aktivitetit të Trupit tonë Diplomatik në përputhje me cilësinë e zhvillimit të vendit, në përputhje me cilësinë që kërkon trajtimi me sukses i sfidave me të cilat ballafaqohet Shqipëria, rajoni dhe kontinenti si dhe në përputhje me kërkesën e natyrshme të qytetarëve shqiptarë për të gjetur tek vendi i tyre dhe përfaqësuesit e tyre, dinjitetin, profesionalizmin, gatishmërinë, shërbimin publik dhe mbrojtjen e përhershme. Ju siguroj se ndihma dhe mbështetja e Kuvendit nuk do t’ju mungojë asnjëherë.
*Nga fjala e kryetares së Kuvendit para pjesëtarëve të Trupit Diplomatik të Akredituar në Tiranë dhe Ambasadorëve të Shqipërisë. Titulli, redaksional