E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO, ëndërr dhe përgjegjësi

Nëse deri dje anëtarësimi në NATO ishte një iluzion, një ëndërr që nuk dihej nga çdo shqiptar se do të realizohej, sot është krejt ndryshe. Ëndrra e shqiptarëve për të qenë si e gjithë bota e kulturuar, që shiheshin nga fqinjët apo më larg, me një sy tjetër, me një sy nënvleftësues dhe denigrues, sot u bë realitet. Kush mund ta besonte se e njëjta forcë politike, PD-ja, e cila bëri kërkesën për anëtarësimin e vendit tonë në këtë Aleancë prestigjioze qysh më 1992, do të ishte prezente, pas 16 vitesh mes 26 anëtareve të NATO-s, në samitin më të rëndësishëm të saj, atë të Bukureshtit, për të firmosur ftesën e anëtarësimit, në paktin më të rëndësishëm, politiko-ekonomiko-ushtarak?!

Ishin të shumtë ata që besonin se e vetmja pasiguri ishte e shkuara e hidhur e vendit tonë, ku për gjysmë shekulli u ndoq politika e diktaturës komuniste, e cila e bunkerizoi këtë komb që në shekuj kishte derdhur gjak për liri dhe pavarësi. Një shkak tjetër mosbesimi ishte sepse bëhej fjalë për një analizë politike, social-ekonomike dhe ushtarake. Gjithashtu, ishin një serë detyrash që duhej të realizonte Shqipëria në këtë tranzicion tejet të gjatë. Dhe nuk do të vendosej një pakt dypalësh, por mes një shteti të vogël me 26 përfaqësues shtetesh që kishin kohë në këtë organizatë të sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit botëror. Të tjerë besuan se tragjedia e dhembshme e Gërdecit nuk do të realizonte këtë marrëveshje.

Veç rimëkëmbjes së vendit, që në vitet 1990 ishte në nivelin 0, qeveritë shqiptare të këtyre 17 viteve duhet të realizonin një shoqëri të re krejt ndryshe, me një vizion të ri për demokracinë. Që të parafytyrohej kjo shoqëri me të gjitha parametrat e saj të tipit të demokracive më të zhvilluara botërore, më parë duhej ditur përse shqiptarët aspironin një ndryshim të tillë politiko-social? Më pas, duhej menduar se cilat ishin rrugët për një angazhim të tillë.

Shqiptarët në vitet ‘90 vinin nga një shtet diktatorial komunist, nga një politikë e centralizuar, ku në dorë të një njeriu ishte politika e brendshme dhe e jashtme, ekonomia, arsim-kultura, drejtësia dhe për të gjitha fushat ndiqej politika e dyerve të mbyllura. Shqipëria, ky vend tejet i politizuar nga një politikë e njëanshme, ky vend i bunkerizuar, ku në mendjet e mykura ishte rrënjosur frika e sulmit të NATO-s, a mund të ndryshonte kollaj? Domosdoshmëri ishte të bëhej një analizë se ku jemi, çfarë po bëjmë e ç’duhet të bëjmë nesër, për të qartësuar vizionin e asaj që po ndërtojmë. Më parë duhej ndryshuar mentaliteti shqiptar, i cili më pas do të sillte ndryshime cilësore, që të na çonin drejt zhvillimit. Shqiptarët duhet të qartësoheshin se NATO-ja ishte një organizatë politiko-ekonomike, e cila kishte lindur si nevojë për t’u mbrojtur nga blloku komunist lindor, ku për fat të keq, bënim pjesë edhe ne. Dalja faktike e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës më 1962 dhe dalja ligjore më 1968, solli vetizolimin e saj. Ky izolim i padrejtë i një kombi që e çmonte së tepërmi lirinë, solli jo vetëm varfërinë materiale të këtij vendi të pasur, por edhe varfërinë mendore dhe shpirtërore të tij. Shqipëria e vogël, por me zemër të madhe, kishte një ndarje të dyfishtë; të gjithë shqiptarët ishin të ndarë nga bota perëndimore, e cila ishte një ndarje e detyruar nga partia-shtet, ndërsa ndarja e dytë ishte në gjirin e vet shqiptarëve, të cilët po ata i kishin ndarë në 2 kampe, armiq të betuar të njëri-tjetrit. Si duket, kjo shoqëri e mbushur me urrejtje, mllefe dhe hakmarrje vazhdon edhe sot pas gati 20 vjetësh. Edhe sa kohë duhen vallë për të hequr nga mendja urrejtjen, egon për pushtet vetëm të njërës palë përderisa në Shqipëri u pranua pluralizmi politik, me gjithë vështirësitë e ndryshimit të idealit komunist, që u arrit pa dëshirë, jo nga malli, por nga halli. Gjithsesi, nisi të ndërtohej një shtet demokratik me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike. Por mllefet, intrigat, shpifjet dhe mashtrimet e së majtës ende vazhdojnë dhe sot pas 17 vitesh. Përse duhet ta nxijmë atë që është e bardhë?! Apo kështu ka qenë dhe kështu duhet të jetë?

Rënia e Murit të Berlinit, që e kishte ndarë Gjermaninë, i dha mundësinë NATO-s ta kryente si duhet misionin e saj paqeruajtës, rolin e saj të mossulmimit dhe ndikimin në integrimin e vendeve të pazhvilluara ose që kanë hyrë në rrugën e zhvillimit. Pak pas kërkesës së Presidentit Berisha, menjëherë pas fitores së marsit 1992, Brukseli i uroi Shqipërisë mirëseardhjen, duke e pranuar si Anëtare shoqe e Atlantikut të Veriut. Trupat paqeruajtëse të Shqipërisë morën pjesë në luftën e Bosnjë-Hercegovinës dhe më gjerë, kur më 1994 në Bruksel u nënshkrua Partneriteti për Paqen. Më 14 gusht 1998, Havier Solana u angazhua që NATO-ja duhet të hedhë hapin e parë në mbrojtje të lirisë së Kosovës, pra, ndihma humanitare ndaj vendeve jo anëtare të NATO-s. Trupat speciale shqiptare morën pjesë në trupat paqeruajtëse në Irak, Iran dhe Afganistan. Më 2004 u anëtarësua në Avancën e Adriatikut, gjë që rriti detyrat dhe përgjegjësitë e vendit tonë.

Me kohë, sidomos me ndërhyrjen e SHBA-së dhe NATO-s, Shqipërisë iu dhanë një sërë detyrash, pas ratifikim-asocimit në NATO, në qershor të vitit 2006. Ishin një sërë detyrash në të gjitha fushat e jetës të cilat kërkonin zgjidhje përmes një bashkëpunimi konsekuent të të gjitha forcave politike shqiptare. Pavarësisht nga qëndrimet e opozitës, z. Berisha me cilësinë e Kryeministrit, vlerëson z. Majko dhe z. Meta të cilët kanë qenë promotorë të anëtarësimit tonë në Atlantikun e Veriut, gjatë kohës së qeverisjes së tyre.

Me ftesën e vendit tonë në NATO, realizohen aspiratat shekullore të të gjithë shqiptarëve për t’u ndier të barabartë mes të barabartëve. Ky akt ka rëndësi sepse siguria kombëtare dhe rajonale merr një drejtim të ri, të organizuar. Tani nuk do të jemi më të vetëm dhe me frikën e një sulmi të papritur. Duke qenë anëtare e NATO-s, krijohen të gjitha mundësitë e realizimit të disa standardeve politike dhe ekonomike, të cilat do të sjellin ndryshime cilësore sociale. Përmbushja e detyrave të dhëna nga NATO-ja i hap Shqipërisë një perspektivë për integrimin e saj në BE.

Si 26 kombet, që janë anëtar[e të NATO-s, edhe Shqipëria me Kroacinë do të japin ndihmën dhe shembullin e sigurisë, paqes, qetësisë në vendet e tyre dhe në rajon.

Stabiliteti politik që siguron anëtarësimi në NATO, siguron një zhvillim të ri dhe stabilitet ekonomik në vendin tonë dhe në rajon. Përse ndodh kjo? Sepse duke qenë të angazhuar në një aleancë ushtarake botërore, u hap rrugën investimeve të mëdha të të huajve në vendin tonë, pasi ky anëtarësim u jep atyre garancinë për kapitalet e tyre. Zhvillimi i ri ekonomik sipas standardeve të shteteve të zhvilluara sjell qëndrueshmërinë e institucioneve. Bashkëpunimi rajonal në politikë, ushtri, ekonomi dhe kulturë do t’i japin përparësi zhvillimit rajonal. Kjo do të lehtësojë lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Eh sa shumë e kemi ëndërruar dhe sa të etur kemi qenë për të na trajtuar si të tjerët. Jemi në Evropë, kombi më i lashtë i saj dhe na duheshin vite, male dhe pengesa të pakapërcyeshme për të hyrë në portat e saj. Sa të vështirë na e bënë për të qenë “evropianë”?! Shkak ishte izolimi për gjysmë shekulli dhe roli negativ i Shqipërisë komuniste që u bë si “E fundmja e Mohikanëve”.

Ftesa për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, me të drejta të barabarta, për qeverinë Berisha dhe gjithë politikën shqiptare, do të thotë: angazhim, përgjegjësi, detyrë dhe maturi politike. Për ne kjo është një Rilindje e dytë, sepse na njohën të drejtat dhe vlerat njerëzore të mohuara në shekuj. Partneriteti me vendet më të fuqishme të botës do të thotë shumë më tepër për ne. Tashmë duhen vidhosur mirë trutë, sepse nuk duhet që njëri t’i bjerë gozhdës dhe tjetri patkoit. Por kjo as nuk do të thotë që opozita duhet të heshtë, të bëjë sehir dhe të fërkojë barkun apo të bëjë një sy qorr dhe një vesh shurdh, jo. Opozita është forca që i jep frymëmarrje pozitës, kur i do qejfi ama. Kur qëllimi i opozitës është shkatërrues, atëherë e mori lumi atë punë. Një thënie nuk e kuptoj: “Jam për pranimin në NATO, por pa Berishën”. Tani që kaluam lumin, ç’na duhet më kali? Ky burrë shteti kurrë nuk pushoi së kërkuari një barazi politike shumëplanëshe të vendit të tij me shtetet e tjera. Kur nisi të shtrijë dorën? Qysh atëherë kur nuk dinin se në botë kishte edhe një vend me emrin “Shqipëri”. Kurse sot që Kryeministri Berisha arriti të bëjë hapin e parë të rëndësishëm, ti i thua: “Të faleminderit që ma solle tortën. Tani detyra jote mbaroi, ndaj ik. Dua ta shijoj të gjithën vetë”. Kësaj i thonë mosvlerësim dhe mosmirënjohje. Është e natyrshme që kjo arritje është e të gjitha qeverisjeve të vendit tonë, gjithë spektrit politik, qysh nga viti 1992 e deri më sot. Duhet thënë me zë të lartë dhe me krenari se kjo është arritja më e madhe, fitorja më e madhe historike e shqiptarëve, pas përmbysjes së komunizmit. Ju, lidership i majtë, vazhdoni protestat, kurse karvani do të ecë në rrugën e realizimit të detyrave të dhëna nga NATO-ja. Veçse thirrjet histerike, vreri që vjellin pa pushim në çaste vendimtare për vendin, për politikën tonë të sotme dhe të nesërme, na bëjnë të pyesim veten: “Vërtet e duan anëtarësimin tonë në NATO apo është vetëm demagogji, apo shpëlarje truri? Nuk ke ç’thua tjetër, kur të tjerët brohorasin arritjen e vendit më të harruar, më të papërfillur, më të vuajtur, opozita në vendin tënd sjell çrregullime dhe pakënaqësi.

Kurrë nuk duhet të mohoni arritjet e së djathtës në këto 2 vjet e gjysmë qeverisje. Lufta kundër krimit të organizuar, reforma në drejtësi e z. Enkelejd Alibeaj, vendosmëria e nënkryetarit të KLD-së, z. Kreshnik Spahiu, për një reformë rrënjësore në gjyqësor, puna e Ministrisë së Mbrojtjes për reformën në ushtri, përgatitja dhe pjesëmarrja me trupat paqeruajtëse në Bosnjë, në Lindjen e Mesme, lufta kundër korrupsionit, etj. janë suksese të padiskutueshme. Reformat e mësipërme të nisura nga qeveria Berisha do të vazhdojnë pa ndërprerje, do të thellohen, duke u zbatuar në përputhje me kërkesat e kohës. Ndryshimi i ligjit elektoral, pajisja e qytetarëve me kartë identiteti janë perspektiva që hapen për zgjedhjet legjislative të 2009-ës.

Kurrë më parë nuk kanë ndodhur kaq pranë njëra-tjetrës fitore të suksesshme në plan rajonal, kontinental dhe botëror, brenda në rajonin e Ballkanit, i cili ishte shndërruar në terren luftërash dhe mosmarrëveshjesh ndëretnike. Në shkurt, fitorja e pavarësisë së Kosovës, dhe vetëm 45 ditë më vonë u bëhet ftesa për anëtarësim në NATO, Shqipërisë dhe Kroacisë, sollën ndryshim në gjendjen e Evropës Juglindore. Përfshirja e shteteve të Ballkanit në këtë marrëveshje ka synim sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe drejt një Evrope më të sigurt dhe më të lirë. Kjo do të ishte më e plotë, nëse do të kishte marrë ftesën edhe Maqedonia. Qeverinë dhe politikën shqiptare e presin sfida të reja që kërkojnë angazhim në realizimin e detyrave që pranimi në NATO të bëhet i plotë vitin e ardhshëm dhe integrimi në BE të jetë sa më i thjeshtë dhe i afërt. Rritja e intensitetit të reformave në çdo fushë do të thotë që të ndërtojmë një demokraci funksionale, e pranueshme nga të gjithë, e cila gjendet vetëm tek shteti i së drejtës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›