E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Oazi” shqiptar

Nga Fatos Çoçoli

Në Shqipëri, një grup i njohur në mbarë biznesin ndërkombëtar me emrin “Njësia e Inteligjencës e Ekonomistit” (në anglisht: Economist Intelligence Unit), organizon sot një tryezë pune me qeverinë shqiptare. Në mes të një krize të pashoqe të tregjeve të kapitalit dhe humbjes së besimit të investuesve në mbarë botën, Shqipëria i ngjan një oazi ku mund ende të rrezikosh, pra të futësh kapitalet e tua. Këtë e ka konfirmuar Banka Botërore me studimin e saj serioz “Të bësh biznes në Evropë 2008”. Mirëpo ndoshta investuesit e huaj të mëdhenj pak dëgjojnë Bankën Botërore në këto ditë krize, kështu që krahu i organizimit të konferencave të këtij grupi me famë e ka parë me shumë zgjuarsi zhvillimin e tryezës me titull “Për investime të frytshme”, pikërisht sot, në një vend me përparësi investimet e huaja, si Shqipëria. Ka me dhjetëra sipërmarrës të huaj pjesëmarrës, që do të dëgjojnë me interes referimet dhe sigurisht do të marrin pjesë aktivisht në diskutime dhe nuk është pjesëmarrje sa për formë, as janë diskutime kaluar radhës. Secili anëtar biznesmen i tryezës ka paguar nga xhepi i vet një mijë e pesëqind euro për të ardhur në këtë takim, pa përfshirë kostot e udhëtimit dhe të qëndrimit. Diskutimet më tërheqëse do të jenë ato për strategjitë e suksesshme të hyrjes në tregun shqiptar, për shitjet dhe tregun kosovar, për imazhin e përmirësuar të Shqipërisë në treg. Vetë pjesëmarrësit e huaj që erdhën dje, shpreheshin se në këto ditë tingëllon si diçka e çuditshme të flasësh për investime. Mirëpo Shqipëria ka tërheqje, për shkak të performancës së saj ekonomike. Me ngjyra shumë interesante do të jenë diskutimet për politikëbërjen pas tërheqjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar nga këshillimi i qeverisë në fillim të vitit 2009, për tregun e sigurimeve në vend dhe bumin që ai po përjeton, për ikjen e trurit, por dhe ardhjen e tij nëpërmjet kthimit të emigrantëve. Një pyetje e fortë do të jetë se sa sistemi arsimor shqiptar do të jetë në gjendje të plotësojë nevojat e biznesit për fuqi shumë të kualifikuar punëtore apo se si mund të mbahen nëpër kompani talentet. Përtej materialeve të shkruara dhe diskutimeve, ajo që sjell “bosët” e kapitalit në hotel “Sheraton” sot, është mundësia e bisedave konfidenciale me vendimmarrësit qeveritarë shqiptarë dhe se si ata e shohin mundësinë e investimeve të mëdha në vend. Shikimi sy për sy. Të kuptuarit se garancitë që njerëzit lokalë mund të japin nuk janë thjesht buzëqeshje, rrahje krahësh dhe fjalë të përgjithshme gatishmërie, por kontrata “xhentëlmenësh” që e kanë seriozisht me fatet e zhvillimit të vendit. Kjo mund të arrihet nga takimet dhe bisedat konkrete e të sinqerta në tryeza të rrumbullakëta. Edhe pse ndoshta një ditë është pak, për përfaqësues kompanish miliardere që udhëtojnë çdo javë me mijëra kilometra, një ditë është më se e mjaftueshme. Drejtuesit për Shqipërinë të kompanive të mëdha të telefonisë celulare (Vodafone) apo të kreditit (Banka Reiffeisen) do të marrin fjalën dhe të japin versionin e tyre të të bërit biznes në Shqipëri. Pse për “binjakët” sipërmarrës që duan të njohin vendin, asnjë rrëfim nuk është më i besueshëm se sa ai i “vërsnikut” të vet që ka bërë eksperiencën shqiptare? Vendi ynë ka nevojë për disa takime të tilla. Pse, sikurse u shpreh një turist danez dashamirës, ndërsa mrekullohej nga Butrinti një javë përpara, “juve ju mjafton t’ju marrë një agjenci e madhe prenotimesh e turesh, si TUI gjerman, dhe nuk keni pse të shqetësoheni më për zhvillimin e turizmit”. U interesova dhe mësova se TUI i siguronte, për shembull Greqisë deri në 1.2 milionë turistë në vit. Ja përse sjellja, interesimi dhe fitimi i besimit nga disa kompani gjigande investimi do të barazohej me qindra seminare për avantazhet e investimit në Shqipëri. Dhjetëra e qindra milionët e eurove investime dalin nga kompanitë e stërmëdha dhe ato nuk mund t’i ftosh thjesht në një konferencë të një ministrie apo OJF-je, qoftë ajo edhe e gjithë rajonit. Ka ftues specialë dhe “Economist Intelligence Unit” është një e tillë. Vetëm fakti që ajo “mori mundimin” të ftojë klientë të saj për një takim pune në Shqipëri, është shpresëdhënës. Pjesa tjetër i takon “flirtit” (në kuptimin më pozitiv të fjalës) të qeverisë shqiptare me këta emisarë të biznesit të madh, të cilët t’i bindë se do të fitojnë shumë duke sjellë investime të konsiderueshme të kompanive të tyre në Shqipëri.

Fatos Çoçoli

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›