E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi rrëzon mocionin e VV, për bisedimet me Serbinë

PRISHTINË- Kuvendi i Kosovës nuk i ka dhënë mbështetje kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për ndërprerjen e bisedimeve të filluara me Serbinë. Mazhoranca dhe opozita kanë zhvilluar sot një debat tejet të ashpër në lidhje me këtë dialog. Përplasja e pikëpamjeve rreth bisedimeve pasoi kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ftoi në interpelancë kryeministrin Hashim Thaçi.

Me anë të këtij mocioni, Vetëvendosja kërkoi që bisedimet të ndërpriten. Por, me 56 vota pro, 21 kundër dhe 5 abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës u shprehën në favor të vazhdimit të bisedimeve, duke rrëzuar kështu mocionin, ndërsa dy kërkesa të tjera të Vetëvendosjes u miratuan.

E para kërkon nga Qeveria të shtrijë autoritetin e vet në gjithë territorin sidomos në veri, ndërsa tjetra i bën thirrje ekzekutivit që ta informojë Kuvendin për bisedimet me Serbinë çdo tre muaj.

Gjatë debatit parlamentar, dialogut i kanë dhënë mbështetje partitë e koalicionit dhe pakicat, ndërsa opozita kritikoi gjithë procesin. Lidhja Demokratike e Kosovës vlerësoi se bisedimet Kosovë - Serbi nuk mund të sjellin rezultate. Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se këto bisedime janë një paradoks.
(e.m/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›