E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi seancë maratonë për programin, demokratët asnjë pyetje: Plagjiaturë!

TIRANË- Programi i maxhorancës së re qeverisëse, 2013-2017, do të diskutohet sot në një seance maratonë të Kuvendit të Shqipërisë. 

Seanca nisi punimet rreth orës 10.30 ndërsa në përputhje me rregulloren e Kuvendit secili prej diskutantëve nga lista e depozituar nga grupet parlamentare ka në dispozicion 20 minuta për të diskutuar rreth programit. 

Pasi ministrat iu përgjigjën pyetjeve të depozituara nga deputetët, u votua edhe për zgjedhjen e Edmond Spahos si zv.kryetar i Kuvendit. Spaho u propozua nga PD. Më pasi nisi debati i deputetëve,  ku ministrat e kabinetit 'Rama', do të kenë të drejtë të bëjnë mbrojtjen e programit qeverisës për fushat përkatëse. 

Pak para se të nisë kjo seancë, kreu i PD-së Lulzim Basha u shpreh se të djathtët do jenë në Kuvend për të bërë ‘oponencën e fuqishme politike dhe profesionale ndaj broshurës së ricikluar para dy ditësh në Kuvendin e Shqipërisë, një manifesti turli i eksperimenteve të vjetra”, sic tha ai. 

Ndërsa Kreu i Kuvendit, Ilir Meta në një takim me ambasadorin e BE-së, Ettore Sequi premtoi se do nxisë brenda sallës së Kuvendit një frymë konstruktive dhe bashkëpunuese.

Dy ditë më parë kreu i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, konfirmoi se në seancën e sotme do të flasin të gjithë deputetët. Ndërkohë që edhe ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, konfirmoi se seanca do të bazohet në rregulloren që ka të përcaktuar Parlamenti, ku secili ministër do të referojë programin në bazë të debateve të opozitës. Njëherësh do të jenë edhe një grup deputetësh të majtë që do të mbrojnë programin, të cilët kanë asistuar në hartimin e tij.

LESKAJ: PARLAMENTIT DO I KTHEHET TRANSPARENCA
Ora 14:20 Deputetja Valentina Leskaj, gjatë jalës së saj në Kuvendin e Shqipërisë, theksoi se qeveria e shkuar i ka lënë mazhorancës së re vetëm një tufë me letra, ndërkohë që sot kërkohet me emergjencë rikthimi i besimi tek institucionet .

“E kanë votuar PS në një momenti kritik sa i takon zhvillimit ekonomik- social dhe integrimit. E votuan si një mundësi për demokraci sociale dhe shtet ligjor. Sjellja dy muajt e fundit me pasuritë e vendit, janë prova e PD pse e deshën pushtetin dhe pse ikën. Ish-ministrat përmendën një listë emrash dhe ligjesh dërguar Brukselit, por Shqipëria nuk ka nevojë për letra por për zgjidhje. Këtë i keni lënë qeverisë së re, një tufë me letra. Kthimi i besimit tek institucionet e shtetit është angazhim serioz. Parlamenti të mos drejtohet me telefon nga zyrat e qeverisë dhe të mos përdoret për nevojat e ditës së politikës”, tha Leskaj.

Leskaj e cilësoi bojkotin e opozitës ndaj fjalës së kryeministrit Rama ‘frikë’ nga Berisha, duke shtuar se do ishte serioze që opozita të votojë programin dhe të bëhet pjesë e zgjidhjes’.

MEDIU-RAMËS: MERRU ME PUNËT E SHTËPISË, SHBA SKA NEVOJË PËR MBESHTETJEN TONË
Ora 14:00 – Ish-Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu e nisi fjalen e tij në Kuvend, me një shprehje të John Kenedit, kur u bë president i SHBA-së, “kur hyra në Shtëpinë e Bardhë, pashë shumë punë të pambaruara, por nuk pata kohë të ankohesha për pasardhësin tim, sepse nuk e di se sa punë do lija edhe unë”. 

Deputeti Mediu iu drejtua Ramës duke i thënë se “qeveria e tij nuk fillon nga zeroja, sepse arritjet e qeverisë së mëparshme nuk mund t’i mohosh, si anëtarësimi në NATO, ku ju të parët ishit skeptikë dhë kundër antarsimit, ne liberalizuam vizat ku bashkuam të gjithë shqiptarët me familjet e tyre të shpërndara nëpër botë , kjo sigurisht me punën dhe këmbënguljen e çdo shqiptari. Mbështetëm me aq mundësi sa kishim pavarësinë e Kosovës, dhe nuk vepruam si ju që i fyet dhe i përçatë që në vizitën e parë", tha Mediu. 

Më tej Mediu akuzoi Kryeministrin  Rama se ishte ai shkaktari i shkatërrimit të ëndrrës evropiane për gjithë shqiptarët, prandaj 'populli nuk do të dëgjojë fjalë dhe fyerje për opozitën, por do punë dhe pret realizimin e premtimeve të fushatës'. Fatmir Mediu ka ironizuar mbështetjen e deklaruar nga Rama ndaj luftës në Siri. Sipas Mediut, "deri më sot nuk na ka pyetur dhe nuk ka kërkuar asnjë mbështjetjen tonë ndaj Sirisë, por unë po të pyes se me çfarë do e ndihmosh SHBA-në, kur thua se qeveria e mëparshme nuk ka lënë katastrofë, prandaj le të merremi me punët tona të shtëpisë”. 

Ish-Ministri Mediu, garantoi se opozita nuk do hezitoje të bashkëpunoj me qeverinë për projektet e mëdha.

HALIMI: NUK KEMI PYETJE PËR NJË PROGRAM BOSH 
Ora 13: 40 "Ne nuk bëmë asnjë pyetje se aty ishte bosh. Nuk kishte asgjë”, theksoi Halimi për procedurë pas Xhafaj.

XHAFAJ: RAMA KA NJOHUR MERITAT E BERISHËS, STANDARD
Ora 13:26 Deputeti Fatmir Xhafaj vuri në pah faktin se kryeministri Rama në të kundërt të paraardhësit të tij i ka njohur meritat duke vendosur standard. Xhafaj akuzoi demokratët se po përhapin lajme të pavërteta sa i takon programit qeverisës, teksa theksoi se problemi qëndron tek të pavërtetat e mëdha në shifrat e qeverisë së shkuar për varfërinë.

“Kryeministri Rama në disa deklarime publike njohu disa arritje dhe punë të dobishme e të qeverisjes së mëparshme dhe i shtrimë dorën opozitës së sotme duke ndërtuar një qasje ndryshe dhe jo sjellje denigruese si ajo e mëparshme. Ju krijuat një pseudolajm për programin dhe shmangët një të vërtetë. Që shqiptarët sipas INSTAT tuaj janë më pak të varfër. Sot shqiptarët jetojmë me më pak se 1/ 40 e pagës sonë. Ky është lajmi i vërtetë dhe duhet të punojmë me më përgjegjësi. Duhet të kuptojmë se jemi vendi më i varfër i Evropës. Ne jemi këtu për t’iu dhënë njerëzve drejtësinë e mohuar”, theksoi Xhafaj.

“Disa nga ju shohin si fajtorë ambasadorin amerikan dhe ndërkombëtarët se na dhanë disa këshilla. Por, ju duhet të kërkoni gjetkë përgjegjësinë e humbjes. Ju keni frikë për ndëshkimin e nesërm. Kusj ka shkelur ligjin do të dënohet. Vota e 23 qershori ishte votë ndëshkuese”, shtoi Xhafaj.

HALIMI: I SHKRETI RAMA, KA MLEFF. PROGRAMI I TIJ, COPY PASTE
Ora 13:00 Ish-ministri i Drejtësisë Eduard Halimi akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka mllef hakmarrës ndaj opozitës së re, teksa sulmoi programin qeverisës për plagjiaturë, pasi sipas tij një pjesë e reformave të bëra aty janë kryer tashmë nga qeveria “Berisha’. 

“Kurrë nuk e kishte dëgjuar bota se një kryeministër i ri në paraqitjen e programit të tij politik të kishte mllef dhe vrer për hakmarrje. I shkreti ai për vrerin e hakmarrjes. Ai u përpoq të nxijë gjithcka ishte arritur si alibi për ti iku premtime. 8 vjet më parë latë një Shqipëri me trafikantë dhe banda. Na latë Shqipërinë e gomoneve, krimit të organizuar të korrupsionit, ku bandat ishin në simbiozë me politikanët. Na e latë vendin ku marrja e statusit duket dicka e largët. Ne hoqëm vizat dhe kryem reforma. Reformuam sistemin e drejtësisë. Lexova programin dhe ky program nuk ka model qeverisje, por bën plagjiaturë dhe nuk njeh realitetin. Pasi një jesh e atyre që thuhet aty janë përfunduar, si përshembull dixhitalizimi i gjykatave” tha Halimi. 

Halimi shprehu mungesë besimi edhe në premtimin e Kryeministrit për luftë kundër korrupsionit, pasi, sipas tij, "Bashkia e Tiranës, në kohën kur drejtohej nga Edi Rama, ishte institucioni më i korruptuar". Në fjalën e tij, referuar programit qeverisës, gjithashtu shtroi pyetjen se “kur do të fillojë dhënia e tapive siç u premtua, dëmshpërblimi i të përndjekurve, etj”. Ndërsa përpjekjet e Ramës për të nxirë, siç u shpreh ai, çdo arritje të qeverisjes së djathtë, nuk janë gjë tjetër vecse alibi për t’ju shmangur premtimeve të bëra prej tij”.

“Rama ka qëllim të mbrapshtë për të centralizuar pushtetin”, tha Halimi, por sdo e lejojmë shtoi ai. 

MAJKO: QEVERIA “RAMA” NUK KRAHASOHET ME “PAPANDREUN”
Ora1 2:57- Deputeti i PS, Pandeli Majko gjatë fjalës së tij në Kuvend, i “dha” përgjigje opozitës se krahasimi që kjo e fundit i bën programit të qeverisë “Rama”me atë të Papandreut është i pavend, sepse situata që ka lënë qeveria e mëparshme nuk krahasohet me Greqinë, madje qeveria “Berisha” e ka lënë me keq, në kushte ekstreme. 

Pandeli Majko deklaroi se: " Qeveria e re me programin e saj 4-vjeçar është zotuar për zgjidhjen e problemeve, por sigurisht vështirësitë janë të mëdha sepse ndodhemi përpara një “tufe borxhesh”. Të gjitha projektet e mëdha që qeverisja e djathtë nuk i ka përfunduar për mungesë fondesh, si rruga “Durrës-Kukës”, apo “Rruga e Arbërit” që është në një gjendje akoma më të keqe, apo dështimi me privatizimin e “Alpetrolit”, vlen shprehja “nuk dihet ku është dera e ku është dritarja”. Sipas Majkos, pronarët e vjetër dhe ish-të përndjekurit do kenë një plan të përkushtuar për t’i dhënë zgjidhje në kohë këtij problemi. Deputeti Majko, foli edhe për situatën në të cilën është administrata shtetërore. 

Sipas Majkos, në administratën shtetërore gjen individë që rëndom e kanë kthyer atë një një biznes të rëndomtë, në një gjendje “turpi”. Lëvizjet në administratë mund të kenë tendenca politike, por kjo vjen si pasojë e qeverisë së mëparshme. Ky ristrukturim administrativ do të vijë si pasojë e reformës financiare në vend, prandaj kërkoj që Ministrit të financave Shkëlqim Cani t’i jepet përkrahja e nevojshme dhe më e madhja. Financat e vendit qeveria na i ka lënë, ku mungon vetëm shprehja “të rroni vetë”. Prandaj qeveria e re është një emergjencë për vendin tonë – përfundoi fjalën deputeti Majko.

PATOZI: BASHKËKRYEMINISTËR META-RAMA, PD JU LA ÇELËSAT E SHQIPËRISË ‘NORMALE’
Ora 12:39 Ish-kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi gjatë fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit, ju drejtua me titullin ‘bashkëkryeministër’, aleatëve Ilir Meta dhe Edi Rama, teksa theksoi se ato trashëgojnë nga demokratët një Shqipëri normale dhe të shëndoshë ekonomikisht në letra si dhe çelësat e atdheut për të cilën shqiptarët. 

“Ku drejtohem ju bashkëkryeministër Meta dhe Rama. Ju sot merrni në dorëzim me letra një Shqipëri normale. Kjo vlen për bashkëkryeministrin e dytë se i pari e di. Sot nuk është dita për të bërë bilanc 8 vjecar për gjithcka ndërtuam. Sot po merrni në dorëzim çelësat e një atdheu që shqiptarët janë më kryelartë. Nuk pres të bënë ndonjë gjë më të madhe, por pres të mos e bëni delen e zezë të Evropës. Nuk pres të ndërtoni rrugë të reja, por mos prisni atë c’ka është bërë tashmë. Po ju dorëzojmë një vend me paga dhe rroga të larta. Nuk pres të ruani trendin e zhvillimit, por të paktën mos i ulni. Është një Shqipëri që pati rritje impresionuese dhe nuk pati krizë. Nuk pres prej jush të bëni të njëjtën gjë, por mos e lini ekonominë e shqiptarëve të bijë në humnerë. Po ju dorëzohet një Shqipëri e gatshme për BE. Nuk pres të jeni pasionant si ne në rrugën integrimit, por të paktën mos u bëni ferrë. Ju keni përballë një opozitë që nuk do e bllokojë integrimin asnjë ditë”, deklaroi Patozi.

Patozi sulmoi dhe përbërjen e kabinetit qeveritar. Duke risjellë në vëmendje e grevën e socialistëve të para 8 viteve në shes, patozi tha se asnjë grevist nuk është ministër. Ish-numri dy i PD-së u ndal dhe tek fjala që sipas tij kryeministri ende i pa votëbesuar mbajti në Kuvend duke e akuzuar se nuk kërkoi ndjesë cfarë i bëri vendit me bojkotin e tij.

“Ne jemi për të përfaqësuar ato që na votuan dhe për tu kthyer triumfator. Ne jemi sot dhe gjithmonë në këtë sallë që është frontin kryesor i betejës politike se Shqipëria është e shtenjtë jo vetëm ku jemi në pushtet. Ne nuk do e bëjmë kurrë të hedhim baltë për shkak të xhelozisë vetëm se nuk jemi në pushet. Sot asnjë që mori pjesë në grevë para 8 vitesh asnjë sot nuk është ministër, por ministra janë ato që i conin bukë me fenerë. Po të kishte pasur një grimë morali i Ramës në Kuvend do ishte ndjesa e thellë për atë cka i bëri vendit në 4 vite. Pas meje ju shijoni një qeveri me dy kate.

HAXHINASTO: PROGRAMI, VIZION MODERN
Ora 12:50- Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto gjatë fjalës së tij në Kuvend u shpreh se ky është një program që ka si qëllim zhvillimin dhe që mori soc tha ai, mbështetjen e mbi 1 milion shqiptarëve.

“Ky është program i bazuar në parime themelore të mirëqeverisjes dhe zhvillimit. E mbështetën mbi 1 milion shqiptarë. Shqiptarët kanë pasur vizionin, urtësinë dhe zgjuarsinë për të bërë zgjedhjen e duhur. Programi trajton dhe zgjidh probleme, sjell një besim të ri tek qytetari, konsumatori por edhe tek komuniteti i biznesit, ka një vizion modern se ku duhet të investojë qeveria”, tha ai.

Haxhinasto shtoi më tej se, “Programi ynë ka në qendër Europën, për tu bashkuar me të”.

Punësimi, sipas tij është një tjetër objekti madhor.
“Ne garantojmë se do mbajmë premtimet. Ne duam të ofrojmë shërbime më të mira cilësi më të madhe jetese, kjo realizohet duke realizuar atë që ka në program”, shtoi ai.

HALIMI REPLIKË ME METËN
Ora 12:26 Ish-ministri i Drejtësisë Eduard Halimi i kërkoi kryetarit të Kuvendit Ilir Meta që të respektojë rregulloren dhe të harmonizojë fjalën mes grupeve.

“Do i rrimë rregullores 1 më 1. Nuk i jepet fjala zotit Bushati, por atij që kërkon fjalë. Atij që e kërkon për procedure dhe jo zotit Bushati. Zoti Bushati nuk ka të drejtë të marrë fjalën. Duhet të shihte folur Bushati, t’ia kishte shtrembëruar fjalën zonja Bregu dhe më pas ai të kishte kërkuar replikë. E treta lidhur me të drejtën e fjalës, duhet që fjala ti jepet të gjithëve, por duke harmonizuar grupet parlamentare”, tha Halimi.

Kryeparlamentari Meta, ftoi deputët të mos përmendin shumë emra por ti përmbahen rendit dhe procedurës së seancës. Teksa ka paralajmëruar jnë takim me krerët e grupeve parlamentare Paloka dhe Ruci për rregulloren e Kuvendit.

“Ju falënderoj për ndërhyrjen. deri tan jemi dy me dy. Së dyti fjalën e parë e mori grupi i PD-së, së treti zoti Bushati e kërkoi para jush. Unë do ju ftoja të mos e përmendim shumë njëri-tjetrin me emra. Sa i takon çështjes së shtrembërimit ajo kërkon interpretim. Unë do takohem me kryetar e grupeve për rregulloren. Ju kërkoj të jemi konstruktiv, ti përmbahemi rendit dhe të përmendim sa më pak emra”, tha Meta.

BUSHATI: BREGU, HERA E PARË PAS KAQ VITESH QË FLET PËR INTEGRIMIN 
Ora 12:22 “Integrimi” ka ngjallur debatin mes deputetëve të mazhorancës dhe pozitës në sallën e Kuvendit. Deklaratat e ish-ministres Bregu kanë ngjallur replika mes saj dhe Ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati.

“Së pari doja ta siguroja parafolësen se pjesa e programit tonë është program i qeverisë dhe nuk është bërë vetëm nga njëra palë. Ju falënderoj, por do ketë bashkëpunim të ngushtë dhe kushdo që do zgjidhet kryetar i komisionit tuaj të bëjë dicka më të mirë. Më vjen mirë që për herë të parë pas kaq vitesh të dëgjoj që flet për cështjet e integrimit. Të falënderoj që u rreshtove kundër krimit të organizuar dhe së dyti duhet të jeni më modest. Mos e ndani këtë sallë dhe shqiptarët me ne dhe ju. Atë që keni bërë ju në këtë proces, u shpreh Bushati, është një gjë që ne do të vazhdojmë t'a vijojmë. Atë qe se keni bërë ju, vijoi ai, ne do t'a bëjmë shumë mirë në mënyrë që të jetësojmë ëndrrën evropiane. Kemi kopjuar të gjitha kërkesat dhe listën e detyrave që ju nuk bëtë në qeveri gjatë këtyre viteve”, replikoi Bushati.

BREGU: ASNJË DATË PËR INTEGRIMIN, VETËM FJALË
Ora 12:17- Deputetja e PD-së Majlinda Bregu, duke u ndalur tek kapitulli për integrimin, akuzoi qeverinë Rama se në programin e saj nuk ka asnjë datë për projektet e integrimit, por vetëm fjalë. “Nuk ka asnjë datë për integrimin, përveç fjalëve, asnjë shifër, asnjë të dhënë. Nuk janë afatet kohore për kapjen e trenit të Europës”, tha ajo.

Sipas Bregut, “ Rama e ndali këtë tren për 3 vjet. Mbi ty zoti kryeministër do rëndojë bllokimi i Shqipërisë në rrugën drejt BE”.

Bregu shtoi më tej se, “Marrja e statusit dhe fillimi i bisedimeve, këtë e kuptova që prisni të ngrini gota shampanje që do ta keni dhuratë, sepse detyrimet janë plotësuar për marrjen e statusit. Nuk e thoni kur do arrihet kjo? Keni frikë mos del ndonjë problematikë në lidhje me korrupsionin dhe grupin e organizuar kriminal në grupin tuaj?”, shprehet ministrja më tej. 

"Integrimi i Shqipërisë në BE për PS nuk është thjesht një slogan, por një program politik, ka thënë në fushatë ish- kryetari i komisionit të Integrimit, z.Bushati, sot ministër i Jashtëm", tha ndër të tjera, ish-ministrja e Integrimit, Bregu.

Duke iu drejtuar kryeministrit Rama, Bregu tha se, “Rrugën për ta kapur trenin e BE do ta gjesh të shtruar si rrugët që gjeje kudo shkojë nëpër Shqipëri. Falëndero qeverinë pasardhëse për kontributet”.

BASHKIM FINO: DO I JAPIM PUSHTET QYTETARIT
Ora 11:48 Deputeti socialist, Bashkim Fino theksoi se mazhoranca e re ka arsye të fortë për të plotësuar programin qeverisës me qëllim kthimin e pushtetit qytetarit.

“Qeveria socialiste do të bazohet në një model të ri ekonomik i cili do të synojë rritjen ekonomike. Qeverisja jonë synon të mbyllë epokën e informalitetit. I ka ikur koha bllokimeve të fondeve për arsye politike. Mazhoranca jonë i ka arsyet për të plotësuar këtë program. Cilat janë arsye të votosh këtë program, është kryerja e reformës administrative, rritja e transparencës dhe llogaridhënies dhe më shumë pushtet për qytetarët”,

BRACE: BERISHA NGRITI REPUBLIKËN E KORRUPSIONIT, RAMA DO KETË KUNDËRSHTAR MAFIAN
Ora 11:30 Deputeti Erjon Brace akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ministrat e tij së ngritën shtetin privat, futën korrupsionin në institucione, ngritën monopolet e në pasuritë kombëtare të vendit, ndërtuan ekonominë në të zezë dhe futën krimin e organizuar në kontratat qeveritare. Brace premtoi se qeveria “Rama” do të zhbëjë shtetin e korrupsionit që Berisha i la vendit, ndërkohë që kundërshtari më i madh do jetë mafia.

"Dy muajt e fundit qeveria e mundur përhap keqkuptime. Ju populli u gënjyet nga ne. Angazhimet tona do sjellin fatkeqësi dhe recension u thonë. Ne PS paskemi qenë në pushtet dhe PD kanë qenë 8 vite në opozitë dhe ligjërohet madje dhe për skenar grek, duke harruar pjesën e ndëshkimit. E vërteta, ne kemi qenë 8 vite në opozitë dhe PD në pushtet, ende nuk kemi nisur punë në institucionet. Do na duhet të përballemi, me shtetin privat që këta ndërtuan. Kryeministri dhe ministri bën privatin ndaj cdo sipërmarrësi. Ky është korrupsioni si mënyrë jetese. Këtë do bëjmë ne, do shembin atdheun e kryeministrit dhe do të ndërtojmë atdheun tuaj. Ka nevojë kombëtare për ta shembur këtë republikë të korruptuar. Ekonominë për vete që u vendos për vete në Shqipëri, që detyroi monopolet natyrore si Lotaria Kombëtare CEZ, Armo, marrëveshje në naftë, gaz, kontrata për shfytëzim pyjesh mineralesh dhe kullotash. Kostot i paguat ju, fitimet i morën ata. Së treti shërbimet e monipolizura që këta ndërtuan. Ka nevojë kombëtare për të zhbërë monopolet. Së katërti ekonomia nën të zezë që këta ndërtuan. 100 kompani të mëdha punojnë kështu dhe kishin firmën e ekspertes së familjes së kryeministrit. Krimin e organizuar që rritën në ekonomi, që ka hyrë fort në pastrimin e parave. Pjesa e kontratave qeveria është nën agresion. Ka nevojë kombëtare për të zhbërë krimin në ekonomi. Kryeministër ju keni aleat të madh popullit dhe kundërshtar të madh mafian”, deklaroi deputeti Erjon Brace.

SPAHO: RAMA NA SFIDOI, NISI DIKTATURËN E RILINDJES
Ora 11:34- I pari që mori fjalën në debat, ishte deputeti i PD-së Edmon Spaho njëherësh zv.kryetari i Kuvendit. Ai e quajti fjalën e kryeministrit Rama në seancën e parë të Kuvendit, si mënyrë për të sfiduar opozitën. Spaho tha se Rama nisi kështu diktaturën e Rilindjes.

“Qëllimi i tij ishte të sfidonte opozitën, t’i ulte asaj kokën, me retorikë të harruar u përpoq t’i thotë opozitës se ligji jam unë, prokurori dhe gjykatësi jam unë, sepse nga sot po fillon diktatura e Rilindjes dhe ngritja e bijve që mezi presin të marrin hak për rënien e etërve 20 vite më parë”, tha Spaho.

Sipas tij, “Ne nuk jemi këtu për tu nëpërkëmbur, por për të mbrojtur kontributet që i kemi dhënë këtij vendi në 22 vite. nëse dikush mendon se na poshtëron i ka bërë llogaritë gabim”, u shpreh deputeti.

Spaho renditi më tej një sërë pikash të programit të qeverisë, të cilat siç tha ai nuk përputhen me premtimet që ka bërë Rama gjatë fushatës. "Qeveria e re e Edi Ramës na ka premtuar një model të ri ekonomik, i cili do të na bëjë të hajmë me lugë flori, por është e vështirë të dallosh se si do të funksionojë modeli i tij ekonomik. Veç premtimeve se do të mbushin gropën finaciare, dhe se do të ngushtojë defiçitin tregtar dhe të bilancit të pagesave, strukturimit të biznesit dhe përmirësimin e dialogut me ta, nuk gjen asnjë karakteristikë të ashtuquajtur modeli i ri ekonomik", tha Spaho. Sipas tij, ekonomia e vendit është zhvilluar dhe do vazhdojë të zhvillohet me burimet e saj të brendshme, të cilat mund të shtohen ose pakësohen në varësi me reformat që do të ndërmerren.
"Ne presim nga modeli ekonomik i Ramës që sëpaku t'i japë vendt 10 mijë km rrugë në çdo cep të vendit, të ndërtojë dhe rikonstruktojë 1300 shkolla dhe qindra kopshte e çerdhe anë e mbanë vendit, mbi 70 ujësjellsa në qytete e fshatra, dhe mbi 16 impiante përpunimit të ujrave. Ky model duhet të trefishojë eksportet, të rrisë prodhimin bujqësor më së paku 30 % dhe të trefishojë eksportet e kësaj dege si dhe të hapë realisht qindra e mijra vende pune dhe qindra e mijra biznese private në Shqipëri", tha ndër të tjera Spaho.

EDMOND SPAHO ZV. KRYETAR I KUVENDIT
Ora 11:11- Kuvendi ka zgjedhur sot nënkryetarin e propozuar nga Partia Demokratike, Edmond Spaho. 

Kandidati i PD-së, mori 99 vota pro, asnjë kundër dhe vetëm një votë abstenim.

GJERMENI: MORATORIUM PËR NDËRTIMET PA LEJE AFËR KALAVE
Ora 11:00- Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni teksa iu përgjigj një pyetje të deputetit të Beratit, se çfarë do bëhet për rritjen e numrit të turistëve në Berat, tha: “Kjo pyetje e ka përgjigjen në të gjithë strategjinë e programit të qeverisë. Synojmë të rritet jo vetëm numri i turistëve por edhe koha e qëndrimit të tyre. Premtojmë vendosje moratoriumi për frenimin e ndërtimeve pa leje në kalatë e Gjirokastrës, Beratit etj, që të ruhen vlerat që mbrohen edhe nga Unesko. Berati do jetë pjesë e fushatave promovuese”, tha ajo.

GJIKNURI: TRANSPARENCË PROCESEVE TË PRIVATIZIMEVE
Ora 10:55- Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri iu përgjigj shqetësimit të deputetit të Vlorës në lidhje me defektet në sistemin e shpërndarjes së energjisë. Gjiknuri tha se, “ Ky është një shqetësim që ka dalë edhe nga zona të tjera, OSSH është i privatizuar dhe i dështuar, kjo si pasojë e privatizimit. Kjo është ndërmarrje e pavarur, por ne do ushtrojmë trysni pozitive tek ERE që të marrë masa të përmirësojë shërbimet”, tha ai.

Në lidhje me shkurtimet në Albpetrol, pyetje kjo e depozituar nga një deputet i Beratit, Gjiknuri u përgjigj se, “Ato kanë ardhur si rezultat i privatizimit që e dimë që dështoi, ne do i kushtojmë vëmendje të bëjmë transparente sa punonjës janë të nevojshëm. Do bej c’mos që të ndërtohet një raport i drejtë”, shtoi ai. Gjiknuri tha më tej se, do të bëhet transparencë mbi proceset e privatizimeve, që sic tha ai, “pasuria kombëtare të mos ikë në mënyra jo transparente”.

CANI: DËMASHPËRBLIMET E PËRMBYTJEVE NË SHKODËR, SIPAS RADHËS
Ora 10:50- Ministri i Financave Shkëlqim Cani iu përgjigj një pyetje drejtuar nga deputeti i Lushnjes, për sa i përket një drejtorie bujqësore, që ky qytet nuk e ka. Sipas Canit, “Do gjejmë zgjidhjen që qytetarët të mos sorollaten”, tha ai.

Ndërsa pyetja tjetër ndaj tij u drejtua nga një deputet i Shkodrës, në lidhje me dëmshpërblimet e përmbytjeve. Cani tha se, “Jemi të gjithë në dijeni që janë me dhjetëra miliardë lekë detyrimesh që ka lënë qeveria e ikur, dimë që gjendja e bilancit dhe e buxhetit është e rëndë por jo pashprese. Do bëjmë me ekspertë të FMN dhe vendas një skanim të borxheve të paregjistruar, përfshirë edhe këtë, brenda mundësive të buxhetit do vendoset radhë”, tha ai.

PANARITI: NDËRHYRJE EMERGJENTE PËR PËRMBYTJET NË SHKODËR
Ora 10:45 Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Edmond Panariti, gjatë seancës së sotme plenare, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve të opozitës, bëri të ditur se qeveria ku ai bënë pjesë dhe ministria që ai drejton ka hartuar një strategji për dëmshpërblimin e fermerëve të cilët dëmtohen nga katastrofat natyrore si përmbytjet, etj. 

"Katastrofat natyrore janë të pashmangshme, për këtë arsye Ministria e Bujqësisë dhe Qeveria në tërësi ka hartuar një strategji për dëmshpërblimin e fermerëve. Kjo strategji fillimisht, theksoi Panariti, do të aplikohet si projekt pilot në zonat më vulnerabël e më tej do të implementohet në të gjithë territorin dhe do të jetësohet me anë të fondit të emergjencave”, nënvizoi ai. 

Sa i takon përmbytjeve në qarkun e Shkodrës apo fushën e Maliqit në Korçë, Ministri Panariti bëri të ditur se për këtë duhet një ndërhyrje emergjente që duhet bërë menjëherë. 

“Ministria e Bujqësisë është një nga aktorët kryesorë sa i takon disiplinimit të ujrave në këto zona. Prandaj Ministria e Bujqësisë do të marrë të gjitha masat e nevojshme për riparimin e hidrovoreve, kanaleve të kullimit në pikat kritike, si Hidrovorin e Lezhës, në Tale, i cili ka nevoje për ndërhyrje emergjente dhe stabilizimin e tij", theksoi Ministri i ri i Bujqësisë, ndërsa sa i takon fushës së Maliqit, ai bëri të ditur se Ministria ka gati një projekt plan gati për t’u implemntuar, ku në qendër janë jo vetëm kanalet e kullimit, por dhe një strategji për prodhimin dhe daljen në treg të tij.
Një tjetër pikë e qasur nga Ministri Panariti është orientimi i fermerëve në prodhim dhe nxjerrjen e produktit në treg. 

Kështu, Panariti bëri të ditur se, Qarku i Korçës, një nga rajonet më tradicionale në prodhimin dhe kultivimin e produkteve bujqësore edhe kjo në sajë të traditës së mirë instaluar në këtë qark do të ketë pjesë parësore në politikat e qeverisë. 

Po ashtu, tha Ministri i ri i Bujqësisë, tha se “zona e Myzeqesë, hambari i Shqipërisë në prodhimin bujqësor, do të ketë një vëmendje të veçant. Natyrisht ne nuk do subvencionojmë vetëm përpjekjen, por do të implementojmë program të qartë mbi mënyrën se si do të prodhohet, grumbullohet dhe për daljen në treg të produktit, duke e çuar atë për përpunim apo tregtimin e tij si produkt të thjeshtë”, përfundoi Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.

HAXHINASTO: DO PËRFUNDOJMË VEPRAT E MËDHA TË LËNA PËRGJYSMË
10:41 . "Përfundimi i projekteve që janë në proces do të jenë prioritet për qeverinë e re", tha ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto. Haxhinasto iu përgjigj pyetjeve të deputetëve për programin e qeverisë për transportin dhe infrastrukturën në seancën plenare që po zhvillohet të shtunën.  Pyetjet e deputetëve ishin të fokusuara në zhvillimin e projekteve të infrastrukturës rrugore, konkretisht Levan-Tepelenë dhe Rruga e Arbrit, Lushnjë-Berat dhe Fier-Berat, por edhe zhvillimin e infrastrukturës portuale dhe aeroportuale në funksion të zhvillimit të turizmit në bregdetin jugor.

"Vangjel Tavo i qarkut të Gjirokastrës, ka pyetur për parashikimin e përfundimit të aksit rrugor, Leva-Tepelenë. I filluar brenda 9 vjetësh dhe i pa përfunduar dhe thotë se vlera ka kaluar 50 % të saj. Unë e siguroj se cështje prioritare do jetë përfundimi i të gjithë veprave që nuk janë përfunduar. Pyetje nga Shkëlqim Selami, nëse është parashikuar ngritja e një pisti për tragete dhe kryera. Ne kemi parashikuar ridimensionimin e porteve dhe ndarjen e punës. Pyetja e dytë e tij a është parashikuar ngritja e portit në Vlorë, po është parashikuar. Pyetje tjetër Selamit, është parashikuar që drejtoria rajonale në Gjirokastër të rikthehet në Vlorë, kjo është cështje menaxhimi dhe përfitoj ti përgjigjem njëkohësisht deputeti të Fierit Petrit Vasili, që shpreh vështirësitë e qytetarëve të Fierit për patentat, dhe atë e siguroj për shërbim të mirë për qytetin. Pyetje tjetër është nga deputeti i qarkut Shkodër, Agron Çela, që pyetet për ndërtimi ne dy unazave jetike për qytetin. Unë i them se është një nga parimet tona që rrugët kryesore të mos kalojnë përmes qyteteve, por në anë të tyre që të ketë më rrjedhje. Pyetja e fundit nga deputeti i Dibrës, Spahiu, që pyet për ndërtimi ne rrugës së Arbrit. Është prioriteti ynë absolut që akset në proces të përfundojnë në mënyrë prioritare”, u shpreh ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto.

BEQJA: DO CLIROJMË TERRITORET E SPITALEVE NË 100 DITËT E PARA
Ora 10:39 Në seancën e Kuvendit për programin e Qeverisë për vitin 2013-2017, Ministri i ri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, tha se do të çlirojë territoret e spitaleve brenda 100 ditëve të para. Ai ju përgjegj dy pyetjeve të bëra nga deputeti Eduart Bejko. 

“Dy pyetje nga deputeti Eduart Bejko. E para kush është plani juaj konkret për climin e institucionit spitalor? Është shqetësim në rritje i bluzave të bardha për vështirësitë që ndjejnë në punën e tyre. Jemi të angazhuar që brenda 100 ditëve territoret spitalore ti clirojmë nga bizneset private. Pyetje tjetër ka të bëjë me nxitjen e punës në sektorin publik se pacientet shkojnë tek privati? Sot ofrohen dy shërbimet. Ne synojmë që shërbimi kombëtar shëndetësor të jenë kryesor. Sistemit jo publik e shohim si plotësues në përmbushjen e sistemit tonë”, u shpreh ministri i Shëndetësisë.

META: JANË REGJISTRUAR 26 PYETJE
Ora 10:30 "Vijomë me përgjigjet e pyetjeve nga ministrat. Janë regjistruar 26 pyetje, ftoj Ilir Beqen, Ministër i Shëndetësisë për të filluar serinë e përgjigjeve” u shpreh Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. 

META: NDERIM STUDENTËVE TË DHJETORIT, TË PUNOJMË PËR BE-në
Ora 10:15 Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, çeli seancën e sotme plenare me një fjalim në nderim të Heroit të Demokracisë , Azem Hajdari. Meta falenderi qytetarët dhe personalitetet që morën pjesë në homazhet për Heroin e Demokracisë, Azem Hajdari si dhe deklaratën e kongresmenit Eliot. Kryeparlamentari shprehu bindjen se "duke punuar të gjithë së bashku, për të përmbushur ëndrrën e tij dhe të gjeneratës që përfaqësoi për ta bërë Shqipërinë sa më parë anëtare të denjë të BE-së, do t'i bënim nderimin më të merituar emrit të Azem Hajdarit dhe idealeve të lëvizjes historike të dhjetorit ‘90 që ai udhëhoqi", deklaroi Meta. Seanca vijoi me punimet me diskutimet rreth programit qeverisës, 2013-2017, mes ministrave dhe deputetëve.
(ma.ar/e.m/m.s/BalkanWeb) Lidhje te tjera Programi i qeverisë, Basha: Përballja me gënjeshtrat nis sot Statusi, Meta: Në Kuvend frymë konstruktive për objektivin madhor, Sequi: Besojmë tek ju

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›