E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi shkarkon komisionerët e KSHC-së

06/04/2010 Komisioni i Ligjeve njihet me veprimtarinë njëvjeçare të institucionit

Anëtarët do të qëndrojnë në detyrë derisa opozita të lërë bojkotin

Komisioni parlamentar i Ligjeve i rekomandon Kuvendit të Shqipërisë shkarkimin në bllok të të gjithë anëtarëve të KSHC-së për shkak të mosfunksionimit të këtij institucioni gjatë vitit që shkoi. Ky ka qenë vendimi që ka marrë komisioni përmes miratimit të një projektrezolute pas prezantimit të veprimtarinë e KSHC-së gjatë vitit 2009 nga kryetarja e këtij institucioni Mimoza Hysenaj. Por duke qenë se anëtari i KSHC-së largohet nga detyra me vendim të tre të pestave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit (84 vota), kur ai është i paaftë të kryejë detyrat, dhe mungesa e opozitës e pengon këtë, ky komision do të vijojë detyrën e tij. Për këtë qëllim anëtari i Komisionit të Ligjeve Gent Strazimiri bëri një modifikim të draftit, ku rekomandohet që “për sa kohë që janë në detyrë, Kuvendi u kërkon anëtarëve aktualë të KSHC-së të ndërpresin menjëherë konfliktet e brendshme, të risjellin normalitetin në funskionimin e këtij institucioni si dhe të zbatojnë me korrektësinë maksimale ligjin për statusin e nëpunësit civil dhe rekomandimet e përsëritura të Kuvendit të Shqipërisë”. Temë e diskutimeve gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve ishte problemi mbi mosmarrëveshjet midis anëtarëve të Komisionit të Shërbimit Civil dhe kryetares së këtij institucioni, çka ka sjellë edhe pengimin e procesit të vendimmarrjes së KSHC. Nga pyetjet e deputetëve dolën në pah se mosmarrëveshjet mes anëtarëve të KSHC-së kanë qenë më tepër personale, gjë e cila ka ndikuar edhe në anën profesionale të tyre. Anëtarët e komisionit kanë akuzuar kryetaren Hysenaj për mosfunksionim të institucionit, gjë e cila ka sjellë edhe shkarkimin e saj nga ky funksion nga vetë ata. Por anëtarët e komisionit e kanë cilësuar situatën e krijuan brenda institucionit “skandaloze”. “Kemi të bëjmë me një situatë të paprecedentë, skandaloze, prandaj mendoj se nuk mund të vazhdohet kështu. Jam dakord me rezolutën”, - tha anëtari i komisionit Viktor Gumi. Kryetar i komisionit, Ilir Rusmali, gjithashtu shprehu pakënaqësinë e tij për punën e këtij institucioni. “Po ju uroj ditë të mbarë, pasi nuk ju uroj dot punë të mbarë. Me sa duket, punës nuk ia doni mbarësinë”, - tha ai. Punën e KSHC-së pritet ta zëvendësojë Gjykata Administrative, që pritet të ngrihet me miratimin e ligjit.

Mosfunksionimi

Performanca e KSHC-së ka qenë larg funksioneve ligjore e objektivave për mbikëqyrjen; KSHC-ja ka neglizhuar në mënyrë flagrante dhe të përsëritur parimin e kolegjialitetit; ka neglizhuar të gjitha parimet thelbësore mbi të cilat është ndërtuar ligji për funksionimin e shërbimit civil; ka cenuar rëndë të drejtën për ankim të nëpunësve civilë për shkak të mofunksionimit të rregullt dhe të mosveprimit brenda afateve që përcakton ligji; ka shfaqur mungesë autoriteti; ka rezultuar me bllokim të proceseve ankimore, duke mos ekzekutuar funksionin e vet primar të trajtimit dhe zgjidhjes së ankesave.

Mosbashkëpunimi

Ka dëmtuar imazhin publik të institucionit dhe është bërë pengesë serioze në garantimin e të drejtave të përcaktuara në ligjin për shërbimin civil për palët ankimuese; ka qenë i paaftë të menaxhojë problematikat e brendshme të organizimit dhe funksionimit të institucionit, duke treguar mungesë vullneti për zgjidhjen e konflikteve të krijuara të shoqëruara me frymë intolerance, joetike dhe mosbashkëpunimi mes anëtarëve; me episode të shumta dhe të përsëritura të gjithë anëtarët aktualë të KSHC-së kanë mbajtur qëndrime që i bëjnë ata të padenjë për të ushtruar funksionet e ngarkuara nga ligji. Moseficenca

Veprimtaria e këtij institucioni nuk ka përmbushur asnjë nga kërkesat e përsëritura të lëna nga Kuvendi më 2008-n, ndër të cilat: përmirësimin ndjeshëm të rolit të KSHC-së për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të shërbimit civil në nivel qendror dhe vendor; respektimin e kërkesave të ligjit për afatet ligjore në trajtimin e ankesave; rritjen e efektivitetit në punën për mbikëqyrjen e menaxhimit të shërbimit civil; rritjen e profesionalizmit të KSHC-së dhe të administratës pranë këtij institucioni në ushtrimin e detyrave të tyre ligjore; nxitjen e një klime sa më të qëndrueshme në administratën publike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›