E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi shqiptar votoi buxhetin e vitit 2013

Parlamenti voti mbrëmjen e së premtes me 74 vota të mazhorancës buxhetin e shtetit për vitin 2013. Kryeministri Sali Berisha e cilësoi atë draftin e mirëqenies së qytetarëve dhe sipas tij bazën e mandatit të tretë qeverisës të demokratëve. Nga ana e saj, opozita votoi kundër.

“Buxheti për vitin 2013 është më i madhi në historinë e Shqipërisë, që arrin vlerën rreth 410 miliardë lekëve (afër tre miliardë euro) dhe ka si synim më madhor rritjen e mirëqenies suaj, të dashur qytetarë shqiptarë, rritjen duke sjellë të ardhura direkt në xhepat e portofolet tuaja për 820 mijë familje shqiptare, duke ndikuar në mënyrë thelbësore në shkollimin e fëmijëve tuaj, shërbimet shëndetësore, rrugë, ujësjellës dhe po ashtu ka si objektiv madhor investimet vendimtare për Shqipërinë, si vend i zhvilluar brenda vitit 2017”, deklaroi Berisha.

“Megalomania është tipar i të vegjëlve. Vendeve të vogla, njerëzve të vegjël. Buxheti më i madh i historisë nuk gjen dot 500 mijë lekë për të ndërtuar murin mbajtës të një ure që lidh një komune me spitalet”, replikoi deputetja e PS, Mimi Kodheli.

Kriza ekonomike dhe pasojat e saj mbi shtresat e varfëra ka nxjerrë në qendër të debatit politikat sociale dhe ato të taksave, ku palët kanë ndarjet më të mëdha.

“Fatura sociale, atë për të cilën ju digjet shpirti juve dhe flisni, ka qenë 11% e GDP-së, ndërsa ju e kishit 6.4%. Unë nuk shpreh ndonjë krenari të madhe për këtë buxhet që në 38% të tij është social, por është i detyrueshëm duke parë krizën ekonomike”, deklaroi ministri i Financave Ridvan Bode.

“Përse ju zoti Berisha dhe ju zonja Topalli, që merrni 22 deri në 35 milionë lekë rroga në vit paguani më pak, ndërsa mësuesit, policët, infermierët, etj paguajnë dy ose tre herë më shumë? Edhe monopolistët paguajnë më pak, ndërsa tregtarët e vegjël më shumë. Kjo është taska progresiste”, kundërshtoi deputeti Erjon Braçe.

“Ne duam të mbajmë gjallë atë që nxisin biznesin, kjo është politika jonë”, argumentoi sërish ministri i Financave Rdivan Bode./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›