Legalizimet, Rama: Berisha të rishikojë ligjin
"Kryeministri nuk duhet të shtyjë më ndryshimet në ligjin e legalizimeve". Kjo është kërkesa e kreut të opozitës, Edi Rama. Në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës ai ka marrë pjesë dje në një aksion të madh për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e Oxhakut. Aty ka gjetur rastin t‘i kërkojë publikisht Kryeministrit të mos bllokojë punën e parlamentarëve për miratimin e amendamenteve të ligjit të legalizimeve. "Ky është vendi dhe rasti për t‘i thënë Kryeministrit të Shqipërisë, në emër të të gjitha familjeve të kryeqytetit, të atyre që kanë qenë dhe atyre që kanë ardhur, se duhet të mos shtyjë më tutje amendamentet e ligjit të legalizimeve që janë një barbarizëm dhe që janë një tregti e ulët politike me interesat e së nesërmes", u shpreh Rama. Duke justifikuar aksionin e madh për prishjen e 60 shtesave pa leje në Njësinë Bashkiake nr.4, Rama tha se "komuniteti nuk meriton të jetojë në një xhungël për shkak të një vizioni primitiv që ka Kryeministri ynë për jetën në qytet, për jetën urbane, për zhvillimin tërësor të Shqipërisë". Konflikti mes të majtëve dhe të djathtëve për ligjin e legalizimeve ka lindur për disa nene të tij siç është ai për shpronësimin e ish-pronarëve dhe për kompetencat e studimit urbanistik të zonës.