Topi: S’kam thënë asnjëherë që nuk kam dijeni se ku bie Gërdeci
“Gërdeci ishte aktivitet privat”
Presidenti deklaroi dje se nuk ka patur informacione për Gërdecin, pasi ai nuk ishte një repart ushtarak, por tashmë një aktivitet privat. Kështu u shpreh para disa kohësh gjatë një interviste edhe kryeministri, Sali Berisha, kur theksoi se ai nuk kishte dijeni për atë bazë ushtarake, për shkak se ajo përbënte një aktivitet privat. Presidenti pranoi se kishte informacione të detajuara çdo ditë madje dhe për shëndetin e oficerëve të ushtrisë. “Ministri i Mbrojtjes dhe shefi i shtabit i dërgojnë presidentit planin e përhapjes së reparteve ushtarake. Gërdeci nuk ka qenë në planin e përhapjes. Ky repart mori natyrën e një aktiviteti privat. Dhe ishte një ekskluzivitet i Ministrisë së Mbrojtjes, për të dhënë licencën. A kam pasur unë informacion? Çdo ditë vjen informacion dhe janë informacione të karakterit rutinë. Si p.sh., është prekur apo jo hapësira territoriale, por edhe për çështjet e ushtarakëve, edhe kur shtrohen në spital etj. Unë nuk kam thënë për asnjë moment se nuk e dija se ku ndodhet Gërdeci. Kam kritikuar rëndë disa shërbime. Akuza ka qenë e drejtpërdrejtë. Përse shërbimet e karakterit fiskal apo SHIU dhe të tjera shërbime nuk kanë informuar për rrezikun? Megjithatë, kjo është një çështje që është në duart e profesionistëve të prokurorisë”, - tha Topi.
“Prokuroria po ecën në rrugën e duhur”
Kreu i shtetit ka vlerësuar ditën e djeshme ecurinë e hetimeve nga prokuroria. Ai tha se po ecën në rrugën e duhur për zbardhjen e plotë të ngjarjes. “Ka një perceptim se prokuroria po ecën me hapa të ngadaltë në këtë drejtim, por në të vërtetë po ecën në mënyrën e duhur deri në një hetim të plotë.
Çështja e dorëheqjes është një çështje që ka të bëjë me pozicionimin e zotit Mediu, ndërsa hetimi është një problem më kompleks, që ka të bëjë me një grup njerëzish”, - tha Topi.
“Ka persona që janë akoma të papërgjegjshëm për atë që ka ndodhur”
Presidenti theksoi se ka njerëz që vazhdojnë të jenë të papërgjegjshëm në lidhje me këtë ngjarje. “Edhe sot e kësaj dite ka persona që nuk e kanë sensin e përgjegjësisë për atë që ka ndodhur në Gërdec. Në lidhje me shkarkimin e shefit të shtabit ka patur biseda, gjëra që nuk mund të bëhen publike”, - përfundoi qëndrimin e tij për çështjen e Gërdecit presidenti.