E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi shton seancat, miraton sot buxhetin e ri

Qeveria duhet të kalojë sa më shpejt shkurtimet që i bëri buxhetit dhe, për t'i ardhur në ndihmë, Kuvendi do të zhvillojë seancë edhe ditën e hënë

TIRANË- Nevoja e qeverisë për të miratuar shpejt ndryshimet në buxhet kanë bërë që Kuvendi të ndryshojë kalendarin e tij të punimeve duke shtuar seancë edhe ditën e hënë. Sot Parlamenti pritet të miratojë në parim ndryshimet në buxhetin e vitit 2010 për gjashtëmujorin e dytë të mbetur.

Ndryshimi i buxhetit ka sjellë reduktimin në një përqindje të madhe të fondeve për institucionet shtetërore duke shkurtuar fondet me 22% për të gjitha institucionet.


Mazhoranca ka premtuar se shkurtimet e buxhetit nuk do të ndikojnë në efiçensën e punës së institucioneve ndërsa opozita e ka cilësuar shenjë të krizës ekonomike që ka prekur vendin tonë. Miratimi në parim i ndryshimeve të buxhetit pritet që të votohet vetëm nga deputetët e mazhorancës, ndërkohë që deputetët socialist ashtu siç kanë bërë në seancat e tjera pritet që të bojkotojnë këtë pjesë së seancës ditën e sotme.

Ndryshimet në buxhet do të zënë edhe pjesën më të madhe të diskutimeve në 60 minutëshin që është përcaktuar në fillim të seancave për diskutime të lira.


Raporti, me të cilën do të njihen deputetët sot, përmban një vlerësim të plotë të strukturës së projektligjit të Buxhetiti të Shtetit, si treguesit makroekonomikë, treguesit kryesorë, të ardhurat dhe shpenzimet e planifikuara, financimet dhe realizimin e tyre sipas programit të Këshillit të Ministrave të miratuar në Kuvend, si dhe vlerësime për projektbuxhetet e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të pavarura.


Projektbuxheti ka ngjallur debate të shumta mes mazhorancës dhe opozitës. Këta të fundit kanë kërkuar më shumë sqarime për zërat që do të preken.


Para se të marrë pëlqimin në Kuvend, projektbuxheti kaloi për shqyrtim në të gjitha komisionet parlamentare. Në Komisionin e Ligjeve socialistët shprehën rezervat lidhur me uljen e parashikuar për institucionet e pavarura dhe për pushtetin vendor. Për këtë arsye, anëtarët e majtë në Komisionin e Ligjeve kërkuan pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të pavarura për të dëgjuar mendimin e tyre për ndryshimet e reja.


Një takim i tillë është lënë për në datë 21 korrik, ku do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e këtyre institucioneve.
Një tjetër pikë e debatueshme mes deputetëve të dy forcave politike ka qenë edhe pjesa për pushtetin vendor.


Drejtoresha e buxhetit në Ministrinë e Financave, Mimoza Dhëmbi, deklaroi se ulja e shpenzimeve të buxhetit vendor është 22 për qind, ndërsa investimet e 2010-ës do të vazhdojmë me kontratat e 2009-ës, pasi nuk ka investime të reja. Ekspertja e Ministrisë së Financave, në përgjigje të interesit të anëtarëve të komisionit sqaroi se shkurtimi i shpenzimeve të buxhetit nuk prek funksionimin e institucioneve të pavarura.


Por pavarësisht deklaratave të ekspertes së Ministrisë së Financave, për mos cenimin e aktiviteteve të institucioneve të pavarura, ka qenë zv/ drejtori i Shërbimit Informativ Kombëtar i cili ka pranuar se ndonëse shkurtimet për institucionin e tij janë më të voglat krahasuar me institucionet e tjera, ndryshimet do të preknin punën e SHISH.


Madje zv/drejtori i SHISH dha alarmin se që prej muajit maj, personat që punojnë në struktura të inteligjencës shqiptare nuk kanë marrë pagat.
Por debatet më të shumta është zhvilluar midis anëtarëve të Komisionit të Ekonomisë.


Përfaqësuesit e opozitës në Komision kërkuan nga përfaqësuesit e Ministrisë së Financave të dhëna të detajuara në lidhje me zërat e buxhetit, metodologjinë e llogaritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto, metodologjinë e ndjekur për llogaritjen e borxhit dhe planin konkret të parashikuar për uljen e tij, etj.


Nga ana tjetër, përfaqësuesit e mazhorancës u shprehën se masat e marra për shkurtimin e shpenzimeve janë tregues të një strategjie të kujdesshme në menaxhimin e buxhetit dhe përshtatjen e tij me ekonominë reale.


Rregullorja


Në bazë të rregullores së Kuvendit për ndryshimet në buxhet ndiqen të njëjtat procedura si në rastin e miratimit të buxhetit vjetor të shtetit. Neni 82 i Rregullores thotë se " Kuvendi, në seancë plenare, pas paraqitjes së raportit të vlerësimit në parim të Komisionit për Ekonominë dhe Financat, diskuton dhe vendos për miratim në parim të projektligjeve financiare që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me buxhetin dhe më vonë të projektligjit të Buxhetit të Shtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›