Patozi-Ruçi, këtë javë rinisin negociatat
Takimi ishte parashikuar për në fillim të javës por mund të shtyhet për shkak të tragjedisë në Pukë
TIRANË- Java e re pritet që të sjellë edhe një takim të dytë midis dy nënkryetarëve Patozi dhe Ruçi për zgjidhjen e krizës politike. Aktualisht ngërçi mbeten ende fletët e votimit. Të dy palët kanë rënë dakord që të ngrenë një komision hetimor ku shumicën dhe kryetarin do ta ketë opozita.
Për shkak edhe të tragjedisë së fundit ku humbën jetën 14 persona takimi mund të shtyhet për në mesjavë. Kjo kohë do të jetë edhe një periudhë reflektimi për palët pasi deri në këto momente asnjëra nuk tërhiqet nga qëndrimi për fletët e votimit.
Socialistët kërkojnë që të bien dakord me demokratët që përmes një rezolute të miratuar nga Komisioni i ri Hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit t'i kërkojnë Komisioni të Venecias interpretimin për hapjen e kutive. Ky veprim mund të kryhet përmes drejtimit të kësaj rezolute kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, dhe kjo e fundit t'i drejtohet Komisionit të Venecias.
Rruga tjetër, e cila mund të ndiqet nga palët, por që nuk preferohet shumë nga socialistët është dërgimi i çështjes së Gjykatën Kushtetuese, dhe ky institucion t'i drejtohet Venecias për çështjen e hetimit të zgjedhjeve përmes hapjes së kutive të votimit.
Zgjidhja e krizës politike ka lënë pezull edhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme lokale. Socialistët nuk pranojnë që të nisin diskutimet për reformën zgjedhore pa u hetuar më parë zgjedhjet e kaluara ndërkohë që mazhoranca dhe LSI kanë kërkuar fillimin e bisedimeve për reformën e re elektorale.