"Aksidenti, humbje e drejtimit nga shoferi"
Kreu i aksidenteve në policinë shqiptare, Shkëlzen Alia, tregon ekspertizën e kryer mbi autobusin dhe detajet e aksidentit tragjik: Gjendja teknike e mjetit, si në sistemin e drejtimit dhe të frenimit ka qenë shumë e mirë. Shoferi ka frenuar pak përpara se të rrëzohej
Kreu i sektorit të aksidenteve në policinë shqiptare, Drejtues i Parë, Shkëlzen Alia tha dje se aksidenti ka ndodhur për shkak të humbjes së kontrollit të mjetit. Sipas Alisë, humbja e kontrollit të mjetit mund të ketë ardhur për shumë arsye, ndërsa ai thote se gjendja teknike e mjetit ka qenë e rregullt dhe po kështu sistemi i drejtimit dhe i frenimit. Alia tregon se nga testet e kryera nuk ka rezultuar përdorim i pijeve alkoolike nga drejtuesi i mjetit.
Z. Alia, ju sot (dje) keni kryer një akt- ekspertimi autoteknik mbi gjendjen teknike të mjetit të aksidentuar të shtunën në aksin Rrëshen- Pukë. A mund të thuhet një shkak i përafërt mbi ngjarjen ?
Nga veprimet e kryera nga specialistët e policisë rrugore në vendin e ngjarjes dhe nga dëshmitë e marra pasagjerëve, mund të thuhet se shkaku i aksidentit të ndodhur të shtunën, është humbje e kontrollit të mjetit nga drejtuesi i tij.
Kjo pasi gjendja teknike e mjetit e kontrolluar nga specialistët përkatës ishte në gjendje të mirë. U provua leva e marshit, e cila ishte në gjendje shumë të mirë teknike. Mund të them se edhe sistemi i frenimit ishte në rregull. Nisur edhe nga fakti se në karrexhatë, kishte gjurmë frenimi. Sa i përket sistemit të frenimit, ai ishte në rregull.
Të gjithë këto u provuan dhe u kontrolluan nga grupi i ekspertëve autoteknikë në vendin e ngjarjes. Nga të gjithë kontrollet e kryer rezulton se sistemi i frenimit dhe i drejtimit të automjetit kanë funksionuar në mënyrë perfekte.
Çfarë mund të thuhet për gjendjen e rrugës në këtë segment ?
Gjendja e rrugës është në parametra optimale. Në vendin e aksidentit, ka një fushë pamje maksimale të rrugës. Ka një kthesë tepër të butë, dhe aty pranë ndodhet edhe një ishull parkimi. Çka do të thotë që edhe nëse mund të vijë një mjet përballë ka mundësi manovrimi, nisur nga fakti se aty ka një ishull parkimi.
Madje mund të thuhet se në këtë vend, karrexhata (rruga) është më e gjerë nga sa ajo është projektuar. Skena e aksidentit ka qenë e tillë që drejtuesi i mjetit, ka kaluar në ishullin e parkimit, ndoshta me mendimin për të zbritur dhe ndaluar ndonjë pasagjer.
Por pavarësisht kësaj ai ka kaluar ishullin aty ka shenja frenimi. Më pas mjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një pemë, madje aty ndodhet edhe një pjesë e fenerit sinjalizues të automjetit, që ka mbetur në pemë. Më pas mjeti ka rënë në greminë.
A mund të ketë pasur konsumim të pijeve alkoolike nga drejtuesi i mjetit ?
Nga dëshmitë e marra nga pasagjerë të ndryshëm, del se pak përpara aksidentit, autobusi ka ndaluar në një lokal jo shumë larg vendit të ngjarjes. Nga dëshmitë e pasagjerëve dhe të punonjësve të lokalit është mësuar se nuk ka pasur asnjë lloj konsumimi të pijeve alkoolike. Ata kanë pohuar se në lokal është konsumuar vetëm ujë dhe pije të ndryshme freskuese. Përveç kësaj, ky drejtues mjeti, ka qenë thuajse i pa penalizuar dhe i pastër në kuptimin e penalizimeve administrative e aq më pak të ketë rezultuar konsumator i pijeve alkoolike.
Pra gjithë kjo konkludon me një gabim njerëzor ?
Absolutisht është një gabim njerëzor. Ashtu siç ju thashë në fillim, ne si grup eskpertësh kemi arritur në konkluzionin që aksidenti është një gabim njerëzor. Mund të ketë pasur humbje të kontrollit të mjetit, për shkak të pavëmendjes së tij, apo për shkaqe shëndetësore kjo mbetet për t'u thënë nga specialistët përkatës.
Raporti zyrtar i policisë mbi aksidentin rrugor ku humbën jetën 14 njerëz
Policia: Aksidenti për
shkak të gabimit njerëzor
TIRANE- Policia e Shtetit, ka konfirmuar zyrtarisht dje nëpërmjet një deklarate zyrtare se shkak i aksidentit të rëndë rrugor në Pukë, pranë Gjegjanit, është një gabim njerëzor.
"Nga hetimet e kryera nga grupi hetimor për zbardhjen e rrethanave dhe të shkakut të aksidentit të rëndë, ndodhur gjatë ditës së shtunë, në aksin rrugor Fushë Arrëz- Durrës, në fshatin Dom, Gjegjan, rezulton: Nga kryerja e ekspertimit auto-teknik të mjetit ka rezultuar se shpejtësia e lëvizjes së mjetit ka qenë brenda normave të lejuara, lëvizja është kryer brenda normave të qarkullimit rrugor dhe në kahun e lejuar, sistemi i drejtimit të mjetit ka funksionuar normalisht",- tha Policia.
Më tej, sipas deklaratës së Policisë së Shtetit, rezulton se drejtuesi i mjetit ishte i pajisur me lejen e drejtimit përkatëse dhe kishte një përvojë shumëvjeçare në drejtim, ndërkohë gjendja e rrugëve ishte e rregullt.
Sa i përket gjendjes shëndetësore të drejtuesit të mjetit, rezulton se nga raporti i ekspertëve mjeko- ligjorë, ai nuk ka pasur probleme të menjëhershme të natyrës shëndetësore gjatë drejtimit të mjetit. Këto fakte përforcojnë shkakun e një gabimi njerëzor në humbjen e vëmëndjes gjatë drejtimit të mjetit dhe për pasojë humbjen e kontrollit të drejtimit të tij.
"Grupi hetimor i ngritur për hetimin e kësaj ngjarje të rëndë i kryesuar nga Prokurori i rrethit Pukë, ka konkluduar se shkak i këtij aksidenti ka qenë humbja e kontrollit gjatë drejtimit të mjetit nga ana e drejtuesit të tij, shtetasit Zef Frroku (Gjergji)".
Policia shtoi se grupi hetimor po merr deklarimet e dëshmitarëve dhe pasagjerëve të dëmtuar nga ky aksident, për të plotësuar tërësisht skenën e ngjarjes.
VIKTIMAT
1. Arsen Gjon Marku, rreth 8 vjeç, nga fshati Shkozë, Pukë
2. Paulin Lazër Gjoni, rreth 28 vjeç, nga fshati Shkozë, Pukë
3. Mimoza Mhill Dyzeni, rreth 29 vjeç, nga Kurbini
4. Adem Mustafa, rreth 52 vjeç, nga Fushë-Arrësi, Pukë
5. Marte Ndue Lleshi, rreth 31 vjeç, Mamurras
6. Alma Nikollë Marku, rreth 33 vjeç, nga fshati Shkozë, Pukë
7. Fran Llesh Paloka, rreth 22 vjeç, nga fshati Gojan, Pukë,
8. Gjovalin Gjin Pera, rreth 15 vjeç, nga Gjegjani, Pukë
9. Prengë Dyzeni, rreth 38 vjeç, banues në Kurbin,
10. Zef Mark Frroku (Gjergji), rreth 47 vjeç, banues në Gjegjan
11. Marie Prenga, rreth 60 vjeç, nga Shkoza, Pukë
12. Adela Paulin Prenga, rreth 14 vjeç, nga Shkozë, Pukë
13. Lavdie Hysen Mustafa, vjeç 41, nga Fushë-Arrësi, Pukë
14. Edona Adem Mustafa, vjeç 12, nga Fushë-Arrësi, Pukë
Në spital ndodhen të shtruar
Mirsad Mustafa 4 vjeç,
Armando Mustafa reanimacion
Raisa Mustafa 12 vjeçe reanimacion
Mirlind Mustafa 15 vjeç
Desara Dyzeni 7 vjeçe në reanimacion
Erison Peraj, 7 vjeç
Flora Peraj 36 vjeçe
Gjon Marku 46 vjeç
Albiona Marku12 vjeçe