E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi, të martën seancë të posaçme për betimin e Presidentit, Bujar Nishani

20-07-2012 / Gazeta 55

Presidenti i zgjedhur merr mesazh urimi nga homologu i tij i Austrisë, Fischer


Të martën rreth orës 18.30, Kuvendi do të mblidhet në një seancë të veçantë për të bërë betimin e Presidentit të ri, Bujar Nishani. Një vendim i tillë u bë i ditur nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. “Përpara se të fillonim seancën plenare është mbledhur Konferenca e Kryetarëve, e cila ka hartuar draftin e kalendarit të punimeve për javën e ardhshme, ku përshihen ligjet për të cilat ka filluar puna në komisione të ndryshme, ai për ekonominë, për çështjet ligjore dhe në komisionet e tjera. Ju bëj gjithashtu me dijeni se të martën në orën 18:30, sipas Kushtetutës, do të zhvillohet seanca e betimit të Presidentit të Republikës”, tha Topalli. Nishani u zgjodh në postin e kreut të shtetit më 11 qershor, në raundin e katërt, pasi ishin ezauruar 3 të parat pa kandidatë zyrtarë. E marta e 24 korrikut rezulton dhe dita e fundit e punës për presidentin në detyrë, Bamir Topi, për t’i lënë vendin të zgjedhurit Bujar Nishani. Ndërkaq, dje Presidenti Nishani  ka marrë një mesazh urimi me rastin e zgjedhjes në këtë detyrë nga Presidenti i Republikës Federale të Austrisë Heinz Fischer. Në mesazhin e urimit presidenti Fischer vlerëson bashkëpunimin mes dy vendeve, ndërsa thekson se zgjedhja e Nishani President të Republikës, përkon me 100 vjetorin e Pavarësisë. “Dëshiroj t’ju uroj përzemërsisht për zgjedhjen tuaj si President i Republikës së Shqipërisë. Austria dhe Shqipëria janë të lidhura prej kohësh jo vetëm nëpërmjet një bashkëpunimi intensiv në marrëdhëniet bilaterale dhe multilaterale, por edhe nëpërmjet një miqësie tradicionale, ndërkohë që zgjedhja juaj përkon me 100-vjetorin Pavarësisë së Shqipërisë. Ju uroj sukses në detyrat e rëndësishme që keni përpara, veçanërisht për sa i përket integrimit të vendit tuaj në Bashkimin Evropian. Ju garantoj që Austria do të jetë një partner i sigurt në marrëdhëniet mes të dy vendeve, e po ashtu për mbështetjen e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian”, thuhet në mesazhin e urimit të Heinz Fischer.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›