E djathta me zgjidhje politike, e majta me alibi që vijnë nga oborri personal i Ramës
Votimi me konsensus i ligjit për reformën zgjedhore ishte një hap në drejtimin e duhur i klasës politike shqiptare. E thanë plotgojë ndërkombëtarët, e ndjemë thellë ne, shqiptarët, kudo ku jetojmë dhe pavarësisht anësive politike që parapëlqejmë. Vjeshta e pritshme, plot ëndrra europiane, do të jetë e begatë në vjelje, nëse politikanët tanë do të kenë guximin të hedhin edhe hapin tjetër të duhur, po aq të rëndësishëm, atë të konsensusit për heqjen e imunitetit të parlamentarëve dhe të zyrtarëve të lartë të shtetit. A do të arrihet konsensusi? Kam bindjen se do të arrihet, jo aq për prirjet politike të liderit të sotëm të opozitës së majtë, sesa për problemet që ka ai me vetveten, me të vetët, me aleatët, me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare të akredituar në vendin tonë dhe me kundërshtarët politikë.
Nuk ia vlen të vihen në dukje imtësisht prirjet politike të liderit socialist. Pavarësisht ca tullumbaceve, lëshuar në nxitim e sipër në adoleshencën e vet politike, pra në vitet e para të proceseve demokratike, gjithë veprimtaria pasardhëse e Ramës si politikan flet pa mëdyshje për vijimësi të linjës antidemokratike e antishqiptare të ndjekur prej babait të tij shpirtëror, Enver Hoxhës. I kuq tek s’mban më, antieuropian deri në tejskaj, antikombëtar i spikatur që, siç ia dhuroi çelësin e Tiranës ultranacionalistit serb Dragan Bregoviç, është gati t’ia dhurojë për interesat e veta dreqit e të birit Shqipërinë, Kosovën, Çamërinë dhe gjithë trojet tona etnike, më keq se Enver Hoxha, i cili nuk u kursye t’ua shiste interesat tona kombëtare së pari Titos, pastaj Stalinit, pastaj Maos, derisa erdhi dita të vetëmbyllej në të ashtuquajturin Bllok, i vetmuar nga bota dhe i përbuzur prej bashkatdhetarëve.
Janë, pra, bash problemet e tjera të Ramës ato çka më bëjnë të besoj se edhe ligji për heqjen e imunitetit do të votohet me konsensus brenda afatit kohor të mbetur.
Sipas meje, problemet me vetveten janë të natyrës sa politike, aq edhe psikologjike e morale. Njëherësh ato lidhen pandashmërisht me marrëdhëniet që ka ndërtuar ai me të vetët, qysh kur uzurpoi kreun e Partisë Socialiste; me aleatët e vet të koalicionit të majtë, qysh se vota e popullit i nxori në opozitë; si edhe me bashkësinë ndërkombëtare, qysh në kontaktet e para me të. Bëjnë përjashtim marrëdhëniet ose, më saktë, përballjet me kundërshtarët politikë.
Tashmë dihet katapultimi i tij në politikë prej ish-liderit socialist Fatos Nano. Afërmendsh, ishte e pritshme surrogatoja politike që do të dilte nga një gjysmagjel (gjysmësportist e gjysmartist mediokër), nga një emigrant i uritur, i palarë e me thonj të paprerë, nga një eklektik i rëndomtë, që vjel e përvetëson ku mund, nga mund e çka mund prej filozofisë së të tjerëve, për të gjetur profilin filozofik të vetvetes, pa iu qasur dot ëndrrës kryeministrore, që e lë pa gjumë. Le të kujtojmë brekushet, opingat e xhamadanët me xhufka e lajlelule, me të cilat u rrek të joshte rininë e të fitonte popullaritet. Le të kujtojmë shfaqjet e pështira me altoparlantë të improvizuar në Sheshin Skënderbe a në komisione parlamentare, ndërsa ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, me çka rrekej të fyente institucionet e shtetit dhe përfaqësuesit e tyre. Le të sjellim në kujtesë orgjitë e Pezës, grevën e urisë me çadra luksi përballë Kryeministrisë, bilbilat në Parlament, bojkotet e paprecedent të Parlamentit për hapje kutish dhe për të bllokuar çdo nismë europiane të shumicës qeverisëse, 21 janarin e zi të 2011-s e plot e plot të tjera ynere kësisoj, të cilat gjithçka mund të jenë, veç politikë jo.
Ndodhur nën trysninë e dyfishtë të dëshirës për të prodhuar politikë, nga njëra anë, dhe të shterpësisë politike që e karakterizon, nga ana tjetër, të vetmen rrugë për të mbijetuar si politikan, Rama e sheh te pengesat që rreket t’i vërë çdo nisme politike të shumicës. Bash këtu lindin problemet me të vetët, me aleatët e partive të koalicionit opozitar dhe me ndërkombëtarët, çka mua më bën të besoj se ndryshimet kushtetuese për heqjen e imunitetit do të votohen me konsensus brenda afatit të kërkuar nga BE-ja.
Së pari, nuk është ndonjë zbulim të themi se të vetët, sikurse edhe aleatët e liderit socialist, u lodhën së prituri në opozitë. Shumëkush e ka ditur (do ta kenë mësuar edhe ata që s’e kanë ditur) se rrotacioni politik nuk ka qenë bllokuar ndonjëherë për shkak të kodit zgjedhor, as prej KQZ-së, si institucion kushtetues, ose prej Ristanit, si individ. S’ka të bëjë fare, madje, me hapjen, as me mbylljen e kutive, por me shumatoren e votave të sovranit. Duke ndjekur të njëjtin arsyetim, heqja e imunitetit, nuk ka lidhje fare, ta zëmë, me ndryshimin e ligjit kushtetues për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Nëse Ramës ose miliarderëve që e rrethojnë u djeg miza nën kësulë dhe problemet që kanë ose mund të kenë me drejtësinë në të ardhmen, përpiqen t’i zgjidhin me puçe politike ndaj Kushtetutës, atëherë duhet t’u kujtojmë thënien popullore se kungulli shkon sa shkon nën ujë, pastaj del sipër ujit. Dhe çasti i daljes së kungullit mbi ujë nuk është veçse çështje javësh, në mos ditësh. E njëjta trysni që e çoi Ramën dhe të vetët te konsensusi për reformën zgjedhore, do ta çojë edhe te konsensusi për imunitetin. Është trysnia e opinionit të shëndoshë të qytetarëve shqiptarë edhe e ndërkombëtarëve, pavarësisht shashkave të Ruçit, i cili paska nxjerrë nga sirtari volumet e filozofisë dhe paska filluar të shndërrohet nga politikan, në filozof. Aleatët? Rama as i ka pasur në hesap, as i ka, as ka për t’i pasur kurrë. Ata veç sa i kanë prishur ndonjë herë humorin, duke rrahur t’i prishin drejtpeshimin. Votimi me konsensus i reformës zgjedhore pa përfillur kërkesat e tyre, është sinjali politik më i qartë i kreut të opozitës ndaj krerëve të partiçkave pa anëtarë.
Së dyti, problemet e Ramës me ndërkombëtarët, janë të hershme. Ato datojnë, ndoshta, qysh në kohën e brekusheve, të opingave dhe të xhamadanëve me lajlelule, kur në një komision parlamentar, duke dashur të nëpërkëmbte autoritetin e Institucionit të Parlamentit, pa pikën e seriozitetit që duhet të ketë një burri shteti, ish-kryetari i Bashkisë së Kryeqytetit këndonte “Qengj i vogël pse mendueshëm be-be ban...” dhe tregonte përralla me Mama Dhinë! S’ka dyshim që diplomacia perëndimore, e përbetuar ndaj ligjit dhe institucioneve të shtetit, ka mbajtur shënim për shfaqje të tilla rrugaçërie. Tashmë, pavarësisht lëshimeve për etikë diplomatike, përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar në vendin tonë e kanë dhënë “pazarin” e tyre me kohë edhe për heqjen e imunitetit, qoftë drejtpërdrejt, qoftë tërthorazi, bjeri derës, të dëgjojë dritarja. Mjaft t’i sjellim lexuesit në kujtesë thëniet e tyre më të fundit. Arvizu: “Jo shtyrje të imunitetit”. Sequi: “Po përmbushen rekomandimet”. Wolfarth: “Imuniteti, pengesë në luftën kundër korrupsionit”.
A thua do të ketë këllqe Rama t’i rezistojë trysnisë diplomatike të Perëndimit? A nuk ngjan tepër kundërthënëse ëndrra e tij kryeministrore me vetizolimin që ia dëshiron vetes, në rast të një rrotacioni të mundshëm? Apo, si paraardhësit e tij bllokmenë, do të kthejë sytë nga Lindja, do të na udhëheqë drejt triskëtimit, drejt radhëve pafund për një kokërr limoni, për një shishe vaj ulliri, për një shishe qumësht e për një kile presh?
Së fundi, përballjet e pasuksesshme të Ramës me kundërshtarët politikë, më bëjnë, gjithashtu, të jem optimist se edhe çështja e imunitetit do të gjejë zgjidhje konsensuale. Rama nuk ka ditur asnjëherë të përballet me nismat politike të shumicës qeverisëse. Partia Socialiste i ka humbur thuajse të gjitha betejat politike me Partinë Demokratike dhe me aleatët e saj, qysh se kreun e Partisë e grabiti Rama. Lista është e gjatë dhe aspak e panjohur, ndaj do të ishte e tepërt të zgjatesha duke përmendur qoftë edhe ato më domethënëset. Mjaft të kujtoj më të fundit, humbjen e shansit për të pasur një president të zgjedhur me konsensus. Loja politike e Ramës, i cili shpresonte te rrjedhja e votave të shumicës gjatë procesit të votimit në raundin e katërt dhe, si pasojë, zgjedhje të parakohshme, ishte inferiore ndaj lojës së kundërshtarit. Si përfundim, fituam një president që, gjithsesi, do të jetë më i fortë sesa çdo kandidat tjetër jashtë profilit politik. Kurse disfata e liderit socialist në këtë rast, u shndërrua në shans që lojërat e tij me pazare politike në kurriz të Institucionit të Presidencës dhe të Kushtetutës, të japin shpirt përpara se të lindin.
Ja pse them që pengesat e ngritura nga Rama e Co. për heqjen e imunitetit s’janë veçse të përkohshme. Ato nuk mund t’u qëndrojnë nismave të së djathtës në dobi të proceseve demokratike, ngase e djathta në pushtet prodhon politikë dhe jo alibi. Kryeministri Berisha, gjatë fjalës së tij në seancën parlamentare për votimin e reformës zgjedhore, u bëri thirrje deputetëve të së majtës të mendoheshin për një çast se si do t’u dukeshin qytetarëve shqiptarë politikanët e tyre, nëse sinjali që u do t’u jepej, do të ishte: “Unë me imunitet, kurse ti pa imunitet dhe pa ligjin”.
Ne e kemi gjykimin tonë, lidhur me heqjen e imunitetit. Ithtarët e Ramës, le ta kërkojnë dhe, po të mos e gjejnë, le t’i falen idhullit të tyre të plotfuqishëm.