“Kuvendi të mos trajtohet si fushë futbolli, opozita po luan me fatet e vendit”
Deklaron politologu Sabri Godo
Politikani Sabri Godo e dënon veprimin e opozitës, e cila braktisi Kuvendin seancën e së enjtes vetëm një orë pas kryerjes së betimit. Ai i quajti të papjekura deklaratat e kreut të Asamblesë së PS-së, Gramoz Ruçi, i cili tha se “tashmë topi është në anën e mazhorancës” dhe menjëherë pas kësaj deklarate, bastisi Kuvendin bashkë me deputetët e tjerë opozitarë, vetëm pak minuta më pas. “Parlamenti nuk është një fushë futbolli, dhe për këtë arsye Partia Socialiste nuk mund të pasojë topin”, shprehet bashkëhartuesi i Kushtetutës, politikani Sabri Godo, i cili e përkufizon hyrjen 1-orëshe të opozitës në Parlament, si një veprim i pajustifikueshëm dhe me mungesë të theksuar serioziteti.
“Shkuan atje për të thënë që tani ia lëmë topin Berishës. Këtu nuk luhet futboll, kemi të bëjmë me fatet e këtij vendi dhe kjo nuk më duket aspak serioze”, deklaron Godo.
Ai vëren se tashmë është e qartë që Presidenti i Republikës nuk mund të bëjë asgjë për një zgjidhje të mundshme të situatës në tryezën e organizuar prej tij javë më parë. Sipas Godos, në kushtet e një mungese vullneti nga ana e opozitës për një diskutim dhe shqyrtim ligjor të kërkesave, zgjidhja mund të vijë vetëm nga Komisioni i Venecias.
“Unë nuk besoj se presidenti do të mund të çojë më tej këtë çështje, presidenti bëri ata që i thanë të bënte. Nuk e di pse socialistët refuzojnë t’i referohet kjo çështje Komisionit të Venecias, meqenëse tashmë është e qartë që ky konflikt mes PD dhe PS këtu brenda nuk do të zgjidhet. Atëherë doemos duhet të kërkojmë një arbitër dhe kjo nuk më duket ndonjë gjë anormale”, thekson Godo.
Sipas tij, konflikti mes PD-së dhe PS-së mund të degradojë nëse çështja nuk kalon në dorë të ndërkombëtarëve. Por ajo që Rama duhet të bëjë është kthimi përfundimtar në Kuvend, sipas rekomandimeve dhe të miqve të tij në Europë.
“Duket se PS nuk e merr parasysh as këtë thirrje të miqve të saj, kështu që shkon drejt një vetizolimi gjithnjë e më të madh”, përfundon deklaratën e tij, themeluesi i Partisë Republikane dhe bashkautori i Kushtetutës së Shqipërisë, Sabri Godo.
Opozita shqiptare vazhdon retorikën e saj të mos pranimit të rezultatit të zgjedhjeve dhe duke u yshtur pas tendencave për të dalë mbi vendimet e gjykatave. Pavarësisht se mazhoranca është shprehur e gatshme për të marrë në shqyrtim çdo kërkesë të PS-së që përputhet me ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e vendit, opozita duket se nuk ka ndërmend të pranojë verdiktin ligjor dhe për të tepër të drejtat e saj t’i kërkojë në sallën e kuvendit. Edhe vetë kryesocialisti në detyrë, Edi Rama është shprehur së fundmi se nuk është interesuar për punën e Kuvendit dhe reformat që duhen të miratohen aty, nëse mazhoranca nuk jep një përgjigje pozitive për draftin e depozituar në Kuvend ditën e enjte.
...