“Regjistrimi fillestar, qytetarët të bëhen pjesë e këtij procesi”

Sonila Jazo, Drejtore e Drejtorisë së Regjistrimit dhe Hartografisë në ZQRPP, shpjegon etapat dhe afatet
Regjistrimi i fillestar i pasurive të paluajtshme, si një proces i rëndësishëm i ZQRPP-së, mësohet se ka filluar prej rreth dy vjetësh të aplikohet në Shqipëri. Lidhur me këtë proces, flet në një intervistë për gazetën “55”, Sonila Jazo, Drejtore e Drejtorisë së Regjistrimit dhe Hartografisë në ZQRPP-së. Duke folur për ecurinë e procesit, Jazo shpjegon edhe avantazhet dhe të mirat e këtij procesi. Në shpjegim të etapave dhe afateve të këtij procesi, Drejtorja e Drejtorisë së Regjistrimit dhe Hartografisë, apelon që gjithë qytetarët, pronarë të pasurive të paluajtshme, duhet të bëhen edhe vetë pjesë aktive e verifikimeve dhe saktësimeve të dokumentacionit të pasurive të tyre. Më tej, Sonila Jazo, shpjegon në intervistën e saj edhe mënyrën se si qytetarët, pronarë të pasurive të paluajtshme, mund të bëhen pjesë e këtij procesi dhe si ata duhet të informohen për mbarëvajtjen sa më të mirë të këtij procesi të regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme.
çfarë është procesi i regjistrimit fillestar?
Regjistrimi fillestar i pasurive të paluajtshme, është procesi i regjistrimit ligjor në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, të pasurisë në fjalë, bazuar mbi Ligjin Nr. 7843, datë 13. 07. 1994, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”. Kjo konsiston në fund, në përgatitjen e hartës treguese të pasurisë së paluajtshme dhe të kartelës së pasurisë së paluajtshme. Në fund të procesit, qytetarët pajisen me certifikatën e kësaj pasurie.
Cila është ecuria e procesit të regjistrimit fillestar?
Regjistrimi fillestar i pasurive të paluajtshme në Republikën e Shqipërisë, ka filluar në vitin 1995 dhe ky regjistrim është i shtrirë në të gjitha zonat urbane dhe rurale. Ky proces përfshin regjistrimin e të gjitha pasurie të paluajtshme, si publike, ashtu edhe private. Në përfundim të këtij procesi, sigurohet një informacion tërësor mbi pasuritë e paluajtshme, gjë që është një ndihmë e madhe në tregun e pasurive të paluajtshme. Deri tani, në rreth 80 për qind të zonave rurale ka përfunduar ky proces regjistrimi, duke bërë të mundur njëkohësisht edhe sigurimin e informacionit për pasuritë në zonat rurale.
çfarë pritet të përmirësohet në përfundim të regjistrimit fillestar?
Në kuadër të këtij projekti, ZQRPP-ja, synon që deri në fundin e vitit 2011, të përfundojë procesin e regjistrimit fillestar në zonat urbane, duke i dhënë fund njëkohësisht edhe sistemit të deritanishëm hipotekor, duke dhënë një garanci më të madhe për tregun e pasurive të paluajtshme dhe duke lehtësuar njëkohësisht, tej mase edhe shërbimin ndaj klientit. Pra, në përfundim të procesit të regjistrimit fillestar, klientët që do të paraqiten në sportelet e ZVRPP-ve, do të ballafaqohen me një shërbim më të shpejtë,me një informacion më të sigurt dhe do të ndjehen më të sigurt me pasuritë e tyre të paluajtshme.
Të flasim paksa për probleme më teknike të këtij projekti. Sipas jush, janë, apo duhet të jenë pjesë e këtij projekti qytetarët, apo ky thjesht është një detyrim i ZQRPP-së, ZVRPP-ve, si pjesë e projekti të financuar nga BB?
Jo, Jo, absolutisht, pjesë e këtij projekti duhet të jenë edhe vetë qytetarët. Ky projekt i regjistrimit fillestar, përfundon me momentin e afishimit për 45 ditë, i të dhënave për çdo pasuri, në çdo zonë kadastrale, ku secili prej qytetarëve ka mundësi të verifikojë se si është trajtuar ligjërisht. Ata duhet të marrin pjesë aktive gjatë gjithë procesit të regjistrimit fillestar... Duke pasur parasysh se procesi i regjistrimit fillestar, të çon në hartimin e Regjistrit të Pasurive të Paluajtshme, është me interes të theksohet se të gjitha institucionet që kanë shpërndarë tituj të regjistrueshëm në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe të gjithë qytetarët që kanë interesa mbi pasuritë e paluajtshme, të paraqesin të gjithë dokumentacionin që ata kanë, që ata disponojnë, pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Qytetarët nga ana e tyre, duhet të jenë të vëmendshëm dhe bashkëpunues, për të dorëzuar të gjithë dokumentacionin që disponojnë, pranë kompanisë, njerëzit e së cilës paraqiten për verifikime në terren, si edhe për tu njohur me hapat e mëtejshëm të bërjes pjesë e këtij procesi. Por, gjithë dokumentacioni që ata disponojnë, paraqitet pranë Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Pjesë e këtij procesi të regjistrimit fillestar, duhet të bëhen të gjithë personat që kanë një titull pronësie. Pra, në këtë proces duhet të përfshihen të gjithë nga e para? Edhe ata që kanë qenë të regjistruar para vitit 1995, do të duhet të regjistrohen sërish?
Që të gjithë qytetarët, qoftë ata të paraqitur pranë sporteleve të ZVRPP-ve, duke aplikuar për regjistrim fillestar, qoftë ata që nuk janë paraqitur ndonjë herë pranë këtyre sporteleve, janë të lutur që të bashkëpunojnë gjatë procesit të regjistrimit fillestar, në mënyrë që prona e tyre, pasuria e tyre, të mos hasë në ndonjë problematikë të mundshme, pas këtij procesi, sepse në këtë mënyrë, do t’i shkurtohen procedurat, por edhe kostot.
...