“Dokumentet për regjistrimin fillestar falas,dhe kur ky proces kryhet kundrejt pagesave”
Flet, Elidon Laze, Drejtor i Drejtorisë Juridike dhe Apelimit në ZQRPP
Elidon Laze, Drejtor i Drejtorisë Juridike dhe Apelimit në ZQRPP, në një intervistë për gazetën “55”, flet për dokumentet që duhen për regjistrimin fillestar të një pasurie të mundshme të paluajtshme. Sipas Lazes, falë këtij projekti të regjistrimit fillestar, në bashkëpunim edhe me Bankën Botërore, janë parashikuar të gjitha rastet edhe kur ka pasaktësi, se si ato mund të zgjidhen dhe qytetari, posedues i një pasurie të paluajtshme, të bëhet pronat legjitim i saj. Duke tërhequr vëmendjen se është e rëndësishme që pjesë e këtij procesi të jenë edhe vetë qytetarët, Laze saktëson se brenda një afat 45 ditor, i fillimi të procesit të regjistrimit fillestar për një zonë të caktuar kadastrale, procedurat janë falas, për të gjithë dhe se pas këtij afat, fillon aplikimi i tarifave dhe sanksioneve të ndryshme.
Cili është dokumentacioni që duhet për hedhjen në kartelat e pasurive nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive (ZVRPP) dhe çfarë regjistrime konkrete kryhen nga kjo zyrë?
Në çdo Zyrë Vendore Regjistrimi të Pasurive të Paluajtshme, të cilat në të gjithë vendin janë 35, të ngritura mbi bazë rrethi, regjistrohen pasuritë e paluajtshme dhe te drejtat reale mbi to, mbi bazën e akteve të fitimit të pronësisë. Aktet ligjore të fitimit të pronësisë së një pasurie të paluajtshme, janë të parashikuara në Ligjin Nr. 7 843, datë 13.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” dhe ne nenet 192-197 të Kodit Civil. Konkretisht, janë aktet e organeve të kthimit dhe kompensimit të pronave, sikurse është Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, me zyrat rajonale të saj; aktet e marrjes së tokës në pronësi, të lëshuara nga Komisionet e Ndarjes së Tokës në bazë të Ligjit Nr. 7501, të vitit 1991; vendimet e gjykatave ose organeve të tjera shtetërore që përmbajnë fitimin e pronësisë, pjesëtimin e saj, deklarimin e pavlefshëm të kalimit të pronësisë së akteve te regjistruar rregullisht me pare etj; aktet e përmbaruesit gjyqësor për sekuestrimin dhe shitjen ne ankand te pasurive; kontratat e shitjes se pasurive te paluajtshme nga organet e njohura me ligj, si rezultat i procesit të privatizimit të ish pronës shtetërore (ish-banesat shtetërore, ndërmarrjet shtetërore, njësitë tregtare etj); kontratat me të cilat krijohen, njihen, ndryshohen ose pushojnë te drejta pronësie, uzufrukti, përdorimi, emfiteozë, servituti e te drejta te tjera reale mbi pasuritë e paluajtshme, etj. Pra, ka akte me të cilat fitohet pronësia mbi një pasuri e paluajtshme, dhe akte me të cilat fitohen të drejta mbi një pasuri të paluajtshme. Të gjitha këto shërbejnë për të regjistruar pasurinë, në një kartelë dhe në një hartë treguese regjistrimi.
Në rast se ka një pasaktësi në pronën që çdokush mund të ketë të regjistruar, ka ankesa për zvarritje, ku duhet të paraqitet, konkretisht, për të gjetur të drejtën e tij. Cilat janë hapat që duhet të ndjekë?
Gjatë periudhës që do të kryhet regjistrimi fillestar sistematik për një zonë kadastrale të përcaktuar, do të bëhet regjistrimi i të gjitha pasurive të paluajtshme te ndodhura në këtë zonë kadastrale, të cilat kryesisht janë te llojit truall dhe ndërtesa. Ky është një proces masiv, në kuptimin që bëhet për çdo pasuri te ndodhur brenda një territori gjeografik të përcaktuar që quhet zonë kadastrale, është një proces që kryhet falas për qytetaret, dhe është një proces për të cilin do të ketë publikime. Këto publikime do të bëhen nëpërmjet mediave të shkruara dhe vizive. Gjatë procesit te regjistrimit, është në të mirë të qytetarëve që kanë pasuri të paluajtshme brenda zonës kadastrale për të cilën po kryhet regjistrimi, të marrin pjesë në këtë proces. Në rast se ata konstatojnë, se ky lloj regjistrimi i realizuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ka mangësi apo pasaktësi për sa i takon të dhënave që përmban kartela e pasurive të paluajtshme, apo kanë pretendime dhe konflikte me pronarët e pasurive kufitare, këto kanë të drejtë t’ia bëjnë të ditura, Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ankesat do ti drejtohen Regjistruesit të zyrës përkatëse të regjistrimit, me shkrim dhe të mbështetura mbi dokumente. Pra, duhet sqaruar fakti se, pretendimet që kanë qytetarët, në lidhje me një pasuri të paluajtshme, t’i bëhen të ditura regjistruesit në ZVRPP dhe jo kompanisë që bën regjistrimin fillestar.
Këtu bëhet fjalë për pretendimet që lindin pas periudhës së 45 ditëshit...?
Jo, flasim për pretendimet që do të paraqiten gjatë kësaj periudhe 45 ditore, sepse është kjo periudha që qytetarët do të vihen në dijeni nëpërmjet publikimit dhe shpalljes, se si po realizohet regjistrimi i pasurive të paluajtshme.
Pas këtij afat 45 ditor, qytetari ka të drejtë të ankohet për ndonjë pasaktësi të mundshme në pasurinë e tij të paluajtshme, apo do t’i thuhet se, “ju keni qenë aty, kur u realizua ky proces dhe kishe gjithë kohën dhe të drejtën për të bërë korrigjimet e mundshme të pretenduara”?
Për sa i takon periudhës së regjistrimit fillestar që përfundon me afishimin publik dhe pastaj regjistruesi mund të lëshojë certifikatë për pasurinë e paluajtshme, pretendimet do të bëhen të ditura, gjatë regjistrimit fillestar. Sigurisht që qytetarët kanë të drejtë të bëjnë ankesa e të ngrenë pretendime për regjistrimin e pasurisë së paluajtshme edhe pas periudhës 45-ditore të afishimit publik, por këto pretendime nuk mund të shqyrtohen gjatë periudhës së regjistrimit fillestar, periudhë në të cilën kartela nuk ka marrë datë përfundimtare, kur regjistrimi pra nuk ka përfunduar, dhe kur korrigjimet e mundshme të mbështetura sigurisht mbi dokumente, bëhen falas. Gjithsesi, çdo pretendim i qytetarëve, ndaj regjistrimit, është i mundur të bëhet në çdo kohë dhe Regjistruesi është i detyruar që ta shqyrtojë , të mbajë një qëndrim administrativ ndaj kërkesës dhe më pas është e mundur që ndaj qëndrimit të regjistruesit të ndiqet edhe rruga gjyqësore. Vlen për tu theksuar, rëndësia që ka afati 45 ditor për paraqitjen e pretendimeve, ankesave apo kërkesave për korrigjime të gabimeve të mundshme, për shkakun se ato janë kërkesa që nuk trajtohen si shërbime me pagesë nga zyra e regjistrimit, pra janë falas, janë kërkesa që do të shqyrtohen gjatë periudhës kur energjitë dhe forcat e Zyrës së Regjistrimit janë përqendruar në këtë proces, për të mundësuar kryerjen e një regjistrimi prefekt, duke u kontrolluar dhe monitoruar ky proces nëpërmjet procedurave të mirëpërcaktuara. Gjithsesi, pavarësisht rëndësisë së këtij momenti, ekziston mundësia ligjore e paraqitjes së pretendimeve edhe jashtë këtij afati, por se gjatë procesit të regjistrimit fillestar, procesi i regjistrimit është falas dhe se për çdo ditë që kalon pa u regjistruar, pas një muaji nga data në të cilin akti ka dalë, paguhet një kamatë vonesë. Ndaj është mirë që këto akte të paraqiten në Zyrën e Regjistrimit, qoftë për të shmangur koston e regjistrimit fillestar, qoftë koston financiare të kamatë-vonesave për regjistrimin e një akti, i cili është i detyrueshëm për regjistrim, në bazë të Ligjit Nr. 7843, datë 13. 07. 1994, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, brenda 30 ditëve, nga dalja e një akti. Në çështjen konkrete në diskutim, atë të regjistrimit fillestar të pasurive, kjo kosto, ky sanksion do të paguhet për çdo ditë vonesë, pas përfundimit të afatit 30 ditor, nga momenti që ka përfunduar regjistrimi fillestar i pasurisë.
Apeli i ZQRPP-së
Si regjistrohet prona?
Prona regjistrohet nëpërmjet një kompanie private të specializuar, të kontraktuar nga Kryeregjistruesi i Shqipërisë. Kompania ka një Zyrë në zonën tuaj. Ekspertët e saj kryejnë matje për evidentimin e kufijve të pronës dhe grumbullojnë informacion në lidhje me pronën. Asaj nuk i detyroheni asnjë lloj pagese për veprimet në ndihmën tuaj.
është në interesin tuaj të bashkëpunoni ngushtë me ekspertët duke iu treguar atyre kufijtë e pronës dhe informacione të tjera plotësuese ne te gjitha format e disponueshme .
Procesi i Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme kalon në këto faza:
1. Mbledhja dhe saktësimi i dokumentacionit
2. Përgatitja e Hartës dhe Kartelës së Pasurive të Paluajtshme
3. Afishimi Publik 45 ditor (saktësime dhe verifikime)
4. Marrja e Certifikatës së Pronësisë në bazë të kërkesës së pronarit pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP)
Me hollësisht, nga ana teknike dhe për çështje të monitorimit, ky proces detajohet si me poshtë
* Grumbullimi i Dokumentacionit
* Fushata për Informimin e Publikut
* Fotografimi/Skanimi i dokumenteve
* Regjistrimi Sporadik i përfshirë në Regjistrimin Fillestar
* Azhornimi i Hartave Treguese dhe Librit të Ngastrave
* Përgatitja e Kartelave të Pasurive
* Monitorimi i Fazës I nga ZVRPP dhe ZQRPP, dhe aprovimi i punës
* Printimi i Parë i informacionit mbi pasuritë e regjistruara
* Afishimi Publik i informacionit mbi pasuritë e regjistruara
* Analiza e Kërkesave/Vërejtjeve të pronarëve dhe Plotësimi apo Korrigjimi i gabimeve të mundshme
* Monitorimi i Fazës II nga ZRRPP dhe ZQRPP, dhe aprovimi i punës
* Printimi i Dytë + HTR + Kartelat + Lidhja e Kartelës
* Legalizimi i Regjistrimit Fillestar nga ZRRPP
* Dorëzimi i dokumentacionit në ZRRPP dhe ZQRPP
Cilat dokumente pronësie janë të vlefshme?
* Të gjithë dokumentet e pronësisë të lëshuar nga Komisionet e ngritura për zbatimin e ligjeve mbi privatizimet të cilat funksionojnë që nga viti 1991 e në vazhdim.
* Të gjithë dokumentet e lëshuar pas vitit 1991 nga Komisionet e Kthimit e Kompensimit të Pronave që kanë lidhje me prona të kthyera apo të kompensuara fizikisht.
* Të gjithë dokumentet e kalimit të pronësisë dhe të drejtave të tjera reale mbi pronësinë me kontratë shitblerjeje, kontratë dhurimi, akt trashëgimie, vendim gjykate etj.
Individët, familjet dhe personat juridikë, privatë apo shtetërorë, që zotërojnë dokumente pronësie si më sipër, por nuk kanë të përcaktuar në to sipërfaqen e pasurisë së paluajtshme, kanë të drejtë t’i paraqesin Regjistruesit një kërkesë për regjistrim pronësie, e cila duhet të shoqërohet me dokumentin e pronësisë, një plan-vendosje apo genplanin e pasurisë, deklaratën noteriale të pronarëve fqinjë që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për pronësinë dhe kufijtë e pasurisë që pretendohet si dhe kopje të vërtetuara nga noteri të dokumenteve të ndryshme që mbështesin kërkesën për regjistrim.
Kini parasysh!
Të gjitha veprimet që bëhen brenda periudhës 45 ditore të afishimit janë FALAS.
Ndryshimet që mund të kërkoni pas Regjistrimit Fillestar bëhen kundrejt pagesës sipas tarifave të caktuara.
...