“Kuvendi, vend për debat jo për fyerje, zgjidhja e ngërçit, në dorë të politikës”
Ndërkombëtarët: Bosch dhe Lohan reagojnë pas incidentit të fundit në seancën plenare
Ambasadori i delegacionit të Komisionit Evropian, Helmut Lohan dhe kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë Robert Bosch, deklaruan dje se politika duhet të kuptojë se Kuvendi është për debat. Përsa i takon situatës politike Lohan dhe Bosch thanë se krerët politik duhet të konsiderojnë si të menjëhershme zgjidhjen. “Sjellja e deputetëve në Kuvend nuk është e denjë”, u shpreh Lohan gjatë një prononcimi për mediat pas fjalës së mbajtur në një konferencë për shoqërinë civile.
Ambasadori i Komisionit Europian Helmut Lohan i ka kujtuar dhe njëherë politikës shqiptare se i takon asaj përgjegjësia për të zgjidhur situatën politike. I pyetur nga gazetarët nëse mazhoranca dhe opozita do të mund të gjejnë një zgjidhje brenda dy javëve afat, të vendosur në takimin e Strasburgut, Ambasadori Lohan tha se zgjidhja si dhe përgjegjësia i takon lidershipit shqiptar, gjë për të cilën, siç tha diplomati i huaj, ata janë të vetëdijshëm. “Zgjidhja u takon liderëve politikë”, bëri të ditur për mediat Lohan.
“Duhet kuptuar që Kuvendi është vendi vetëm për debat politik”, u shpreh nga ana e tij dhe kreu i prezencës së OSBE-së Robert Bosch.
“është ajo që kemi thënë dhe më parë që parlamenti është vendi për debat politik. Në vend që ata ta përdorin atë për debat politik e përdorin për të fyer njëri-tjetrin. Nuk duhet të ndodhë një gjë e tillë, e theksoj dhe njëherë, parlamenti përdoret për debate politike dhe asgjë tjetër”, tha Bosch.
Këto deklarata Ambasadori i delegacionit të Komisionit Evropian, Helmut Lohan dhe kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë Robert Bosch, i bënë pas konferencës kombëtare mbi shoqërinë civile. Gjatë punimeve u ngritën shqetësime lidhur me mënyrën e funksionimit të shoqërisë civile, mungesës së kohezionit sikundër dhe përfshirjes së përfaqësuesve të saj në politike.
Për sa i takon kësaj të fundit, u theksua se përfshirja e shumë drejtuesve të OJF-ve në listat e kandidatëve për deputet, pavarësisht suksesit që u solli këtyre të fundit, ngriti pikëpyetje të mëdha mbi idenë e një shoqërie civile të pavarur.