PD shpjegon arsyet pse rrëzoi kandidaturën e Vangjel Kostës - “Ishte kandidaturë politike, e lidhur me komunizmin”
Partia Demokratike ka reaguar sot zyrtarisht lidhur me deklarimet e kryetarit të PS-së, Edi Rama, rreth rrëzimit të kandidaturës së Vangjel Kostës për në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë. Në deklaratën e kryetarit të grupit Astrit Patozi, thuhet ndër të tjera se kandidatura e Kostës është konsideruar si politike, e lidhur me diktaturën komuniste, dhe prandaj edhe është rrëzuar nga Grupit Parlamentar i PD-së.
Ja edhe deklarata e plotë e zotit Patozi
Jam këtu sot që t’i përgjigjem shqetësimit të kryetarit të Partisë Socialiste, zotit Edi Rama, lidhur me votimin e kandidaturave për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi i Shqipërisë. Së pari, nuk besoj se është ndonjë gjë e re për publikun po të them se votimi në këtë rast ka qenë politik, sic janë të tilla vendimet që merren në të gjitha parlamentet demokratike të botës. Së dyti, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike e ka bërë të qartë, pa as më të voglën mëdyshje, se e konsideron të papranueshme ngjitjen në kupolën e sistemit të drejtësisë të çdo kandidature politike. Dhe me këtë ajo ka parasysh të gjithë personat, që në karrierën e tyre gjatë diktaturës kanë marrë pjesë në procese politike, si dhe ata të tjerët, që kanë mbajtur poste të rëndësishme në qeveritë e 20 vjetëve të fundit. Rasti i zotit Kosta bën pjesë qartësisht në grupin e parë të kandidaturave politike dhe për këtë shkak u rrëzua. Ne kemi votuar fshehur, se kështu e parashikon kushtetuta, por e deklarojmë hapur arsyen politike të votës kundër. Më duhet të theksoj se ky standart, është sa transparent, aq edhe i patjetërsueshëm për mazhorancën. Ndërsa meraku i shprehur sot botërisht nga zoti Rama mund të vijë për shkak të lidhjeve të tij me të shkuarën apo nga një mentalitet i papajtueshëm me shtetin demokratik të së drejtës. Cilido që të ketë qenë motivi, ne urojmë që ai të clirohet sa më shpejt prej këtyre ndikimeve, pasi mbajtja larg drejtësisë e personave me integritet të cënuar gjatë karrierës së tyre dhe të pozicionuar fort politikisht, është kontributi më i mirë për të ruajtur pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit.
...