Raporti i Prokurorisë, Ina Rama: Progres në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit
Parlamenti, rezolutë që i kërkon prokurorisë intensifikimin e luftës kundër korrupsionit - socialistët deklarohen kundër
Goditja ndaj krimit të organizuar dhe terrorizmit, trafiqeve të paligjshme, korrupsionit, krimit në detyrë, krimit financiar dhe pastrimit të parave kanë shënuar hapa në rritje për Prokurorinë e Përgjithshme gjatë vitit 2009.
Ky është konkluzioni i Raportit të paraqitur dje nga Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama dje, para Komisionit Parlamentar të Ligjeve.
Duket ky konkluzion nuk i ka pëlqyer deputetëve të opozitës, të cilët nuk votuan një rezolutë, me anën e së cilës i kërkohej Prokurorisë, të intensifikojë punën në luftën kundër korruopsionit.
Gjatë fjalës së saj, Kryeprokurorja Rama tha se "viti 2009 evidenton progres në rritje të organit të akuzës në ushtrimin e përgjegjësive kushtetuese e ligjore". "Falë angazhimit të prokurorëve në drejtimet më kryesore të ushtrimit të funksioneve dhe detyrave të tyre, në veprimtarinë e organit që drejtoj, vihet re rritje e treguesve sasiorë dhe cilësorë të punës së organit të prokurorisë", tha ajo.
Midis të tjerave, Kryeprokurorja Rama veçoi si prioritete në punën e akuzës, goditjen e veprimtarisë së krimit të organizuar dhe terrorizmit, trafiqeve të paligjshme, korrupsionit, krimit në detyrë, krimit financiar dhe pastrimit të parave.
Në përmbushjen e këtij angazhimi, vijoi ajo, "jemi fokusuar në rritjen e efektivitetit, nëpërmjet rritjes së cilësisë së hetimit dhe forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional me agjencitë e specializuara në këtë fushë, si dhe në orientimin drejt një politike të ashpër dënimi për këto vepra penale”.
Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, u ndal edhe te puna e bërë në luftën kundër korrupsionit, duke vënë në dukje tendencën në rritje të procedimeve të regjistruara për këtë grup veprash penale, sidomos në tremujorin e katërt të vitit 2009, periudhë që përkon me ngritjen dhe fillimin e funksionimit në Prokurori të 6 njësive të përbashkëta hetimore kundër korrupsionit dhe krimit financiar.
Sipas saj, për këto grup veprash në vitin 2009 janë ndjekur penalisht 129 procedime, me 89 të pandehur, prej të cilëve për 53 të pandehur është ngritur akuzë në gjykatë. Ka përfunduar gjykimi dhe janë dënuar 36 persona, për të tjerët pritet gjykimi i tyre. Personat e hetuar, gjykuar dhe dënuar për këtë grup veprash penale janë funksionarë publikë të niveleve të ndryshme, nga nëpunës të thjeshtë, të zgjedhur vendor e deri në nëpunës të lartë në institucione qendrore.
Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, që në prezantimin e raportit vjetor të 2009-s, në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, vlerësoi sipas treguesve statistikorë se është arritur progres edhe në rritjen e efektivitetit dhe forcimit të ligjshmërisë në ndjekjen penale si dhe të ndëshkueshmërisë së autorëve të këtyre veprave. Sipas raportit të publikuar nga zyra e shtypit të Prokurorisë së Përgjithshme, Prokuroria e Krimeve të Rënda, në vitin 2009, ka ushtruar ndjekje penale për katër organizata kriminale, të trafikimit të narkotikëve, rrëmbimit të personit, vrasjes me paramendim dhe vjedhjes me dhunë.
Gjatë raportimit për gjendjen e kriminalitetit, Kryeprokurorja Rama evidentoi tendencën ne rritje për disa grup veprash penale, si ato kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike në përgjithësi, vjedhjes, shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, etj, ndërsa me tendence në ulje përmendi krimet si ato kundër jetës dhe shëndetit në tërësi, falsifikimit të dokumenteve, kultivimit të bimëve narkotike, shkeljes së barazisë në tendera apo ankande publike, etj. Sipas Prokurores së përgjithshme mësohet se në vitin 2009, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ushtruar ndjekje penale për 17 grupe të strukturuara kriminale, në trafikimin e narkotikëve, trafikimin e femrave për prostitucion, vjedhjen me dhunë, si dhe shkatërrimin e pronës me zjarr.
Sipas raportit zyrtar, gjatë vitit 2009 në organin e prokurorisë janë trajtuar njoftime për vepra penale të ndodhura dhe janë ndjekur penalisht 22 276 procedime penale, prej të cilave janë regjistruar në total 16 910 procedime penale; janë mbartur nga viti i kaluar 4 743 procedime penale dhe janë rifilluar 623 procedime. Ndërkohe që është vendosur mosfillimi për 5 679 procedime (në prokuroritë pranë Gjykatave të Shkallës së Parë dhe prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda).
Pas raportimit, Komisioni i Ligjeve ka hartuar një rezolutë, në të cilën i kërkohet institucionit të akuzës intensifikimin e luftës kundër korrupsionit, rezolutë, që është abstenuar nga deputetët socialistë, të cilët vazhdimisht kanë refuzuar bashkëpunimin me institucionin e akuzës.