E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlamenti, rezolutë që i kërkon prokurorisë intensifikimin e luftës kundër korrupsionit – socialistët deklarohen kundër

Raporti i Prokurorisë, Rama: Progres në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit


Goditja ndaj krimit të organizuar dhe terrorizmit, trafiqeve të paligjshme, korrupsionit, krimit në detyrë, krimit financiar dhe pastrimit të parave kanë shënuar hapa në rritje për Prokurorinë e Përgjithshme gjatë vitit 2009. Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, që në prezantimin e raportit vjetor të 2009-s, në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, vlerësoi sipas treguesve statistikorë se është arritur progres në rritjen e efektivitetit dhe forcimit të ligjshmërisë në ndjekjen penale si dhe të ndëshkueshmërisë së autorëve të këtyre veprave. Sipas raportit të publikuar nga zyra e shtypit të Prokurorisë së Përgjithshme, Prokuroria e Krimeve të Rënda, në vitin 2009, ka ushtruar ndjekje penale për katër organizata kriminale, të trafikimit të narkotikëve, rrëmbimit të personit, vrasjes me paramendim dhe vjedhjes me dhunë. Gjithashtu, në vitin 2009, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ushtruar ndjekje penale për 17 grupe të strukturuara kriminale, në trafikimin e narkotikëve, trafikimin e femrave për prostitucion, vjedhjen me dhunë, si dhe shkatërrimin e pronës me zjarr. Analiza e detajuar evidenton tendencën në ulje të trafikimit të narkotikëve, ndërsa sa i përket transportimit, mbajtjes dhe shitjes së narkotikëve në analizë evidentohet tendencë në rritje nga viti në vit, përfshirë edhe vitin 2009. Mbi veprën penale të korrupsionit në detyrë, Prokurorja e Përgjithshme deklaroi në prezantimin e raportit të 2009-ës, se janë ngritur 665 procedime penale me 228 të pandehur, numërohen 180 persona të akuzuar në gjykatë e 127 syresh të dënuar. Pas raportimit, Komisioni i Ligjeve ka hartuar një rezolutë, në të cilën i kërkohet institucionit të akuzës intensifikimin e luftës kundër korrupsionit, rezolutë, që është abstenuar nga deputetët socialistë, të cilët vazhdimisht kanë refuzuar bashkëpunimin me institucionin e akuzës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›