E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi vendos kufizimin e imuniteteve

25/02/2011  Debate të ashpra mes deputetëve për ndryshimet në rregullore

Maxhoranca miraton ndryshimet, opozita: Doni të na mbyllni gojën

Kuvendi I Shqipërisë miratoi mbrëmjen e djeshme me 73 vota “pro”, asnjë “kundër” dhe “asnjë” abstenim projektvendimet për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit si dhe në aneksinimin e kufizimit të imunitetit të deputetit. Kështu ndryshimet e propozuara nga PD-ja u miratuan vetëm me votat e mazhorancës qeverisëse, pasi opozita nuk mori pjesë në votim, edhe pse iu desh të qëndronin për më shumë se një orë në pritje të votimit.

Për më shumë se 10 orë deputetët kanë zhvilluar në Kuvend debatin parlamentar për projektvendimin mbi disa ndryshime në rregullore dhe një aneks të saj që lidhet me kufizimin e imunitetit të deputetit, të dyja këto propozime të deputetëve të grupit parlamentar të maxhorancës. Qëndrimet e kundërta mes palëve kanë qenë tabloja e seancës së djeshme. Nga njëra anë lideri i mazhorancës Berisha garantoi se imuniteti do të hiqet për çdo deputet, edhe në rast se opozita mbrohet pas tij për të zhvilluar korrupsion. Nga ana tjetër, deputetët e opozitës u shprehën se kjo seancë është dëshmi e qartë e shkeljes së jetës parlamentare. Sipas tyre, nisma e PD-së për kufizimin e imunitetit nuk prek ministrat-deputetë. Debatet u përqendruan edhe në ngjarjet e 21 janarit, duke akuzuar njëri-tjetrin mbi fajësinë e ngjarjes.

Seanca

Draftet e propozuara nga PD-ja për kufizimin e imunitetit si dhe ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit janë shqyrtuar me debate dhe akuza të ashpra mes përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës dje në Kuvend. Ashtu siç pritej, ndryshimet në rregullore opozita i ka cilësuar si përpjekje të mazhorancës për tu mbyllur gojën kundërshtarëve të qeverisë në sallën e Kuvendit. I pari që hapi punimet e djeshme pas votimit për heqjen e imunitetit të deputetit Dritan Prifti ka qenë dhe propozuesi i dy amendamenteve për ndryshimin në Rregullore, ku përfshihet dhe çështja e imunitetit, Eduard Halimi. “Kufizimi i imunitetit është një betejë e PD-së. Të bësh detyrimin ndaj popullit, është të bësh ligje të mira, por ju nuk votoni në Parlament, sepse ju nuk merrni pjesë në votimin e ligjeve, se ju ndalon kryetari. Ju keni marrëdhënie të kushtëzuar me Kushtetutën”, - tha Halimi.

Dita e Kujtesës

Kuvendi punimet e tij të djeshme i ka çelur me zhvillimin e një seance homazh në nderim të 60-vjetorit të pushkatimit pa gjyq të 22 intelektualëve nga e gjithë Shqipëria. “Dita e Kujtesës na thërret për të dënuar dhunën, kudo e kurdo, ata që nxitnin dhunën dhe urrejtjen”, - ishin fjalët e para që Kryetarja e Kuvendit theksoi në fillim të seancës, e cila më pas u kërkoi deputetëve që të mbajnë një minutë heshtje për të përkujtuar dhe dënuar të gjithë terrin e komunizmit.

Debatet në seancë

Eduard Halimi - Sot kemi dy modele: njëri i Sali Berishës se do të lërë imunitetin për deputetët dhe modelin e Edi Ramës për të mbajtur me imunitet të gjithë zyrtarët e PS-së.

Fatmir Xhafaj - Deputetit i jepet imuniteti për shkak të funksionit. Por në këtë nismë që ju keni nisur unë ju pyes: a i lejohet prokurorisë të hetojë një ministër? Jo, sepse Kushtetuta e kërkon që heqja e imunitetit për një ministër-deputet duhet të kalojë në Kuvend dhe më pas me votim të fshehtë.

Sali Berisha - Fatmiri i Enverit (quan Fatmir Xhafën) paraqiti apologjinë e korrupsionit. Sot për këtë parlament është një nga vendimet më të rëndësishme në 20 vjet. Kupola e partisë suaj të përvetësojë 1 milion leje ndërtimi dhe që në tetë vjet u vidheshin 1,4 miliardë në vit gjatë qeverisjes suaj.

Jozefina Topalli - (Ruçi kërkon replikë me kryeministrin). Uluni, zoti Ruçi, se nuk jua kam dhënë fjalën ju, por e ka zoti Gumi. Në nenin 80 thuhet: “Deputeti ka të drejtën e replikës kur ndaj tij janë thënë fjalë të padenja ose i kanë shtrembëruar thelbin e fjalës. Ajo bëhet menjëherë pas diskutimit dhe smund të zgjasë më shumë se 2 minuta…” Për procedurë, po zoti Ruçi, urdhëroni 3 minuta.

Gramoz Ruçi – (Pasi ngjitet në foltore) Shqipëria vërtet nuk është Egjipt, por po vërteton se ka një Mubarak...

Jozefina Topalli - Nuk po i përmbaheni debatit për rendin e ditës.

Gramoz Ruçi – Mos më ndërprit, zonjë. Pra, Shqipëria nuk është Libi, por ka një sundimtar si Kadafi këtu.

Jozefina Topalli – Atëherë, po jua ndërpres fjalën. Nuk po flisni për rendin e ditës, nuk po flisni për ndryshimin e Rregullores. Mbaroi koha juaj, zoti Ruçi.

Gramoz Ruçi – Nuk po zbatoni Rregulloren, zonja Kryetare, i keni dhënë fjalën Berishës pa e pasur emrin e tij në listë.

Jozefina Topalli – Në Rregullore është e parashikuar se, sa herë kryeministri kërkon të flasë, atij i jepet fjala.

Ermonela Felaj – Nuk e ka Rregullorja, zonja Kryetare...

Jozefina Topalli – Mbylle gojën ti!…

Viktor Gumi - Parlamentarët nuk operojnë në një vakum, janë të varur nga ambienti politik që i përkasin dhe më themelorja është se kanë të qenësishme respektin për shtetin e së drejtës dhe parimet e të drejtat e njeriut. Ndaj edhe dukshëm është evidente se imuniteti parlamentar, si qëllim në vetvete, nuk është aset i domosdoshëm për të krijuar hapësirën e lirisë dhe pavarësisë së ideve që kërkon jeta parlamentare për cilindo deputet.

Erion Braçe - Imunitetin tonë e kërkon kryeministri, jo Prokuroria. Sepse Prokuroria dihet tashmë që është nën presion. Heqja e imunitetit me vendim nga Kuvendi është vetëm fshehje e korrupsionit, pasi sistemi i pandëshkueshmërisë arrin deri te gjykatat.

Sali Berisha – Parafolësi dëshmoi se janë kundër heqjes së imunitetit, se këtë imunitet e paska kryeministri dhe se kryeministri e dashka imunitetin për të ndëshkuar opozitën. Mbajeni, mbrojeni, por do tua heqim!

Taulant Balla – Po, zonjë, matja një çik kohën këtij!

Sali Berisha - Sa u përket viktimave, i sollët mish për karrigen e kryetarit. Kurrë shpirti i tyre nuk do tju ndahet deri në varr! Dhe u fshehët si minj, nuk dolët dot në krye. Dilni prapë në ballë dhe ju garantoj se ligji dhe Kushtetuta do tju japë çdo të drejtë dhe do të veprohet me vendosmërinë më të madhe në çdo rast.

Balla–Braçe – Bravo, bravo (ironizojnë fjalët e Berishës), je i madh! Ishin horra!

Bujar Nishani – Sharjet, ofendimet, shkatërrimet, të cilat grupi parlamentar i PS-së solli në këtë parlament, nuk ka qenë koincidencë, por ka qenë i organizuar për të stopuar, për të ndalur një ëndërr të kahershme të popullit shqiptar për ti paraqitur para Evropës si njerëz që duan dhunë dhe skanë stabilitet.

Taulant Balla – Sot Berisha nuk po heq imunitetin, sepse imuniteti nuk hiqet me Rregullore, por me këtë nismë po blindon imunitetin e tij dhe të kusarëve të tij. Mjafton të shohësh se cilët janë kusarët rreth tij dhe të lë të kuptosh se ata nuk e kanë vendin në qeveri, por e kanë vendit para drejtësisë. Sot Saliu synon të vërë tel me gjemba para prokurorisë. Asnjë prokuror nuk mund të marrë në hetim një matrapaz qeveritar në këtë parlament.

Aldo Bumçi - Pa imunitet do të jemi, si populli i thjeshtë, njësh me ta, sepse nuk jemi ndryshe nga ata.

Vasilika Hysi - Sot po ndryshoni rregulloren e Kuvendit për ti hequr të drejtën e vetme opozitës: atë të fjalës.

Armando Subashi – Kushtetuta, për të cilën kryeministri u përbetua, thotë se deputeti nuk mund të ndiqet penalisht pa betimin nga Kuvendi. Sot më shumë se kurrë atij i duhet një mbrojtje speciale, por njëkohësisht të pengojë Prokurorinë.

Astrit Patozi - Mbajeni me shëndet imunitetin tuaj, i cili në fakt është zhgualli i shpuar i Edi Ramës! Është mesazhi më i keq që u jepni shqiptarëve në këtë pragzgjedhjesh, gjithmonë në rast se do tua bëjë Edi mbarë që të futeni në garë. Tekefundit, ne kemi një arsye më shumë për tju mundur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›