E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrolle dyqaneve ushqimore, gjoba për sigurinë

25/02/2011  Ndahet në 7 zona i gjithë qarku, gjobiten dhe pezullohen 6 subjekte

BERAT- Nga ana e Drejtorisë së Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në qarkun e Beratit është ndërmarrë ditët e fundit një aksion ndaj të gjithë subjekteve ushqimore që veprojnë në këtë qark, me qëllim kontrollin e produkteve që shiten në treg. Inspektorët e kësaj drejtorie kanë bërë evidentimin e të gjitha pikave të shumicës dhe dyqanet e pakicës që veprojnë në qytetet Berat, Kuçovë e Skrapar, po kështu mësohet se vazhdon puna për evidentimin e subjekteve që veprojnë në zonat rurale, ku për shkak të largësisë ka qenë dhe më i vështirë evidentimi i të gjitha subjekteve që operojnë në fshatra të thellë. Kjo drejtori bënë të ditur se, deri më sot ka evidentuar të gjitha subjektet me qëllim jo vetëm kontrollin mbi dokumentacionin e aktivitetit të tyre, por për të pasur më lehtë kontrollin mbi sigurinë e produkteve ushqimorë që u ofrohen konsumatorëve.

Kontrollet

Drejtori i kësaj drejtorie, Bujar Dhëmbo, bëri me dije se, kjo drejtori e ka ndarë qarkun e Beratit në shtatë zona, të cilat kanë një inspektor kontrolli të përhershëm, i cili ka si detyrë që në mënyrë periodike të kontrollojë veç dokumentacionit që shoqëron produktet dhe mallrat ushqimorë, por dhe cilësinë e tyre. Sipas drejtorit Bujar Dhëmbo, deri ditën e djeshme janë evidentuar njëmijë e dyqind e shtatëmbëdhjetë subjekte ushqimore që veprojnë në të gjithë qarkun e Beratit. Subjektet e evidentuara janë tashmë të regjistruara dhe në mënyrë periodike do të bëhet me anë të inspektorëve kontrolli për cilësinë e produkteve që ato i ofrojnë konsumatorit. Sipas drejtorit Dhëmbo, deri më sot kanë kaluar në sitën e kontrollit 638 subjekte ushqimore të pikave të shumicës dhe pakicës, subjekte të cilat janë kontrolluar për cilësinë e produkteve që tregtojnë. Përveç kontrollit për garancinë në datat e skadencës subjektet janë kontrolluar dhe për kushtet e higjienës në të cilat tregtohen produktet që i ofrohen konsumatorit. Ka pasur raste ku janë vërejtur dhe shkelje nga ana e subjekteve sipas drejtorit Dhëmbo dhe janë vërejtur gjashtë subjekte, të cilat tregtonin mallra ushqimorë të skaduar. Për këto raste të vërejtura mësohet se janë marrë masa për vendosjen e gjobave sipas ligjeve në fuqi të kësaj drejtorie. Sipas drejtorit, gjobat variojnë nga 500 mijë deri në një milion lekë, ndërkohë që aksionet do të vazhdojnë në mënyrë periodike për t’i ofruar konsumatorit mallra të kontrolluar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›