E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi voton Erion Braçen si kryetar të komisionit hetimor

25/03/2011  Komisioni hetimor do të hetojë vendimmarrjet e Kuvendit

Opozita do të ketë kryetarin dhe 4 anëtarë, ndërsa mazhoranca 6 anëtarë

Me 98 vota “pro”, 5 “kundër” dhe 1 “abstenim” deputetët kanë emëruar Erion Braçen si kryetar të komisionit hetimor që do të kryejë hetime mbi veprimtarinë e punës së Kuvendit, ndërsa deputeti i Partisë Demokratike Jemin Gjana do të jetë nënkryetar i këtij komisioni. Në komision, që përbëhet nga 11 deputetë përveç kreut të tij, Erion Braçes, deputetët që përfaqësojnë opozitën do të jenë Ilir Beqja, Arben Isaraj, Damian Gjiknuri e Ermonela Felaj. Nga ana e saj, maxhoranca do të ketë shumicën e anëtarëve, e cila do të përfaqësohet nga 6 deputetët e saj, duke filluar nga Jemin Gjana, Edmond Spaho, Arenca Trashani, Fatos Beja, Edi Paloka e Paulina Hoti. Me anë të këtij komisioni hetimor, i cili pritet të ketë një veprimtari prej 3 muajsh, do të hetohet vendimmarrja e Kuvendit, që nga shërbimi për deputetët e deri te votimi në seancat plenare. Sipas objektit paraprak, që u miratua para dy javësh në Kuvend, komisioni do të hetojë veprimtarinë e administratës së shërbimeve të Kuvendit sipas kompetencave të përcaktuara në rregulloren e Kuvendit, ligjin për buxhetin, legjislacionin që rregullon statusin e deputetit dhe legjislacionin për ekzekutimin e buxhetit etj. “Hetimi i Byrosë së administratës së Kuvendit në lidhje me përcaktimin e strukturës dhe organikës së administratës ndihmëse të Kuvendit dhe zbatimit të legjislacionit për shërbimin civil apo atij të punës në rekrutimin, transferimin apo ndërprerjen e marrëdhënieve të punës të personelit të administratës”, - thuhet në kërkesën e dorëzuar nga PS-ja për komisionin hetimor. Në këtë kërkesë thuhet se do të hetohet edhe shitja e makinave të deputetëve dhe pasojat që ka pasur në buxhet një veprim i tillë. “Hetimi i funksionimit të stafit ndihmës të Kuvendit, puna që ata kryejnë dhe shpërndarja e punës në komisione, zbatimi i kërkesave ligjore për respektimin e procedurave në shqyrtimin e projektligjeve si dhe emërimet e Kuvendit në institucionet dhe entet në varësi të tij si dhe hetimi i integritetit dhe eficencës së sistemit të votimit elektronik të Kuvendit”, - thuhet në kërkesë.

Votimi për komisionin

Me 116 vota “pro”, 1 “kundër” dhe 4 “abstenim” deputetët i kanë hapur rrugë ngritjes së këtij komisioni në seancën plenare të zhvilluar para dy javësh. Kështu, Partia Demokratike ka pranuar kërkesën e bërë nga opozita, madje ka dërguar edhe emrat e anëtarëve të saj në këtë komision. I vetmi që është shprehur kundër ngritjes së këtij komisioni ka qenë deputeti i mazhorancës Fatos Hoxha. Kështu, komisioni do të kryejë hetime për një periudhë tremujore mbi veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë nga viti 2005 deri në vitin 2010.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›