E Diel, 1 Nëntor 2026

200 kg kokainë, Harizaj s’bashkëpunon me Prokurorinë

25/03/2011  Biznesmeni: Jam i pafajshëm, nuk di çfarë i kanë hedhur vajit në Kolumbi

Akuza: Gjatë kësaj fundjave jepen konkluzionet e operacionit

TIRANE-Dhimitros Harizaj, personi që vazhdon të mbahet i izoluar nga Prokuroria dhe që dyshohet si njeriu kryesor i implikuar në trafikun e 200 kg kokainë, ka refuzuar çdo mundësi bashkëpunimi me hetuesit, si dhe është vetëshpallur i pafajshëm. Grupi i hetimit ka zhvilluar një seancë të dytë pyetjesh me biznesmenin Harizaj, duke i ofruar këtij të fundit një marrëveshje bashkëpunimi, por qëndrimi i tij ka qenë i prerë, duke pohuar se nuk kishte çfarë t’i tregonte organeve të drejtësisë. “Unë kam porositur vetëm ngarkesën me vaj dhe nuk di asgjë se çfarë kanë hedhur në fuçi, personat që kanë dërguar mallin. S’kam ç’të them, pasi personalisht nuk kam ndjekur as itinerarin ku ka kaluar dërgesa me vaj”,-është shprehur para hetuesve biznesmeni Dhimitros Harizaj. Ndërkohë që dhe nga verifikimet e kryera në sistemin “Tims”, është konstatuar se Harizaj nuk ka udhëtuar në drejtim të Kolumbisë, shtet ky nga i cili mendohet se ka ardhur vaji i palmës ku pretendohet se është shkrirë 200 kg kokainë. Lidhur me këtë sasi droge, Prokuroria nuk jep asnjë informacion, duke u shprehur nën zë se nuk e dinë se sa kilogram kokainë është shkrirë në vaj. Për të hedhur më shumë dritë në këtë çështje, ku ende nuk dihet me saktësi nëse në fuçitë e vajit ekziston kokainë apo jo, Prokuroria e Krimeve të Rënda u ka kërkuar tabulatet telefonike operatorëve kryesorë në vend. Pritet që në ditët në vazhdim grupi i hetimit i ngritur posaçërisht për këtë çështje, të dalë në një konkluzion përfundimtar nëse në Shqipëri ka mbërritur ose jo ngarkesa prej 200 kg kokainë. Burimet thonë se gjatë kësaj fundjave pritet që policitë e shteteve të përfshira në aksion të publikojnë rezultatin e hetimeve lidhur me anëtarët e tjerë të rrjetit të trafikut ndërkombëtar të drogës. Ndërkohë që ditën e sotshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda do zhvillohet seanca për vlerësimin e arrestit, ku Dhimitros Harizaj do njihet me masën e sigurisë. Ai u arrestua tre ditë më parë, pas një operacioni të zhvilluar nga Prokuroria në bashkëpunim dhe me prokuroritë e vendeve perëndimore si Spanja dhe Belgjika.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›