Kuvendi voton sot heqjen e imunitetit të tij, Berisha: Krim, nuk mposhtemi kurrë

“O sot O kurrë”, deklaroi ish-kryeministri Sali Berisha nga salla e Kuvendit, teksa pas pak Kuvendi pritet t’i heqë atij imunitetin, duke i hapur rrugë SPAK për arrestimin e tij.
Ish-kryeministri e ka konsideruar kërkesën e SPAK dhe vendimin e Këshillit për Mandatet dhe Imunitetin si antikushtetues dhe një përpjekje e cila sikurse tha ai, do të dështojë.
Berisha theksoi se ky krim që po bëhet ndaj tij, nuk do e mposhtë kurrë opozitën e palëkundur.
“Janë deputetët e opozitës të cilët me vendosmëri denoncojnë vjedhjet e paimagjinueshme, aferat e shumta të Edi Ramës, familjarëve të tij, Taulant Ballës, banda e tij e krimit dhe ministrave parlamentarë.
Deputetët e opozitës i kanë kallur tmerrin mazhorancës. Parlamenti ka më shumë gardistë se deputetë. Prej shumë javësh, Parlamenti “de facto” është në antikushtetueshmëri.
Pas një përpjekje antikushtetues, dhe vendimit antikueshtetues, votohet në Parlament për heqjen e imunitetit dhge arrestimin e kryetarit të Partisë Demokratike, duke vlerësuar se në këtë mënyrë do mposhtin opozitën, Ky është një krim i vërtetë. Ky krim s’mund të mposhtë kurrë opozitën. Ky akt dëshmon se në Shqipëri ka një opozitë të fuqishme që qëndron e palëndukur kundër kësaj bande në pushtet. Qëndron kundër argatëve në të gjitha institucionet, qëndron e bindur në fitoren e saj. Kjo përpjekje do dështojë me turp me përmbysjen e këtyre kriminelëve në pushtet”, tha Berisha.
Ndërkohë deputetët e tij, kanë nisur me grumbullimin e karrigeve para foltores së Kuvendit, me qëllim moslejimin normal të punës së Parlamentit. Paralelisht me seancën plenare, jashtë ambienteve të Kuvendit po mbahet protesta e demokratëve dhe mbështetësve të Berishës nën moton “O sot o kurrë”.
/rtsh.al/