Nis seanca plenare, pritet të jepet autorizimi për arrestimin e Berishës. Opozita shkakton kaos

Ka nisur seanca plenare në Kuvend, ku deputetët pritet të votojnë në lidhje me autorizimin për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ndërkohë opozita ka vijuar me të njëjtin skenar sikurse edhe në seancat e kaluar, duke hedhur karriget në sallë e duke hedhur tymuese me qëllimin pengimin e zhvillimit të seancës.
Në Kuvend do të shqyrtohen sot dy raportet e dala nga Këshilli i Mandateve, një nga maxhoranca dhe një nga Enkelejd Alibeaj, i cili ishte i vetmi përfaqësues i opozitës në mbledhje e zhvilluar dy ditë më parë.
Megjithatë, pavarësisht raporteve të ndara, deputetët socialistë dhe Alibeaj, janë unanimë në konkluzionet dhe rekomandimin e tyre për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha.
Ndërkohë, ditën e djeshme (20 dhjetor) Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e deputetëve demokratë, mbështetës të Berishës për të pezulluar procedurat që do t’i hapnin rrugën arrestimit të tij.
Berisha është nën hetim në lidhje me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, ndërsa ndaj ish-kryeministrit u caktua masa e sigurisë “detyrim paraqitje”. Kjo masë sigurie nuk është zbatuar nga Berisha, i cili e ka konsideruar atë antikushtetuese. Për pasojë, SPAK ka kërkuar shtrëngim të masës së sigurisë.
Ndërkohë, opozita, mbështetës të Berishës kanë nisur protestë para Kuvendit, për të kundërshtuar seancën e sotme, që do t’i hapte rrugën arrestimit të Berishës.
/rtsh.al/