E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi voton sot lirimin e anëtarit të LSI-së nga KQZ

TIRANË- Kuvendi pritet të votojë të enjten në seancë plenare kërkesën e PD-së për lirimin nga detyra të anëtarit të KQZ-së, Ilirian Muho, i propozuar nga LSI, si dhe zëvendësimin e tij me një nga dy kandidaturat e paraqitura nga Partia Republikane, Klement Zguri ose Patriot Çoba.

Kërkesa e miratuar dje nga komisioni i Ligjeve u kundërshtua ashpër nga opozita, e cila e konsideroi një veprim antiligjor dhe goditje të rëndë për standardet demokratike.

Ndërsa, për mazhorancën largimi i LSI-së nga koalicioni qeverisës sjell nevojën e balancimit të komisioneve zgjedhore. Sipas mazhorances, kalimi në opozitë i Lëvizjes Socialiste për Integrim prishi balancat në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke vendosur raportin 4 me 3 në favor të komisionerëve opozitarë. Po ashtu, edhe komisionet zonale kontrollohen 4 me 3 dhe disa 5 me 2 po nga opozita. Po sipas maxhorancës, prishja e kësaj barazpeshe përmbys sistemin ligjor të menaxhimit të zgjedhjeve dhe paralajmëron manipulimin nga opozita.

Kryeministri Berisha reagoi dje ndaj kësaj situate, duke deklaruar se aleanca PS-LSI kishte qëllim përmbysjen e ekuilibrave në KQZ.

"Parim themelor i raporteve ka qenë dhe mbetet respektimi i marrëveshjeve. Është vendosur që KQZ do të jetë e balancuar, qeveria shumicë me raportin 4-3. Qëllimi i Ramës ishte përmbysja e maxhorancës në KQZ", deklaroi dje kryeministri Berisha, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›