Kuvend,vazhdon greva e 10 deputetëve

Dhjetë deputetët e partive të vogla parlamentare po vazhdojnë edhe sot, për të shtatën ditë radhazi, grevën e tyre në ambientet e selisë së Kuvendit, në shenjë kundërshtimi ndaj Kodit të ri Zgjedhor. Zëdhënësi i kësaj greve, Dritan Prifti, informoi mediat mbi takimin e fundit me deputetët brenda sallës së Kuvendit. "I njoha deputetët grevistë me një letër që një grup intelektualësh shqiptarë i kanë drejtuar Presidentit të Republikës, Kryeministrit, etj për të ndërhyrë në mënyrë urgjente në zgjidhjen e krizës politike", tha Prifti. Ndër të tjera, z. Prifti tha se Edi Rama duhet të reagojë me urgjencë lidhur me këtë çështje. Lidhur me gjendjen shëndetësore të grevistëve, zëdhënësi Prifti tha se situata është kritike, sidomos për deputetin e PDK-së, Ymer Tola, i cili dje u dërgua me urgjencë në spital, por që sërish u rikthye në grevë. Të enjten , komisioni i posaçëm parlamentar miratoi me konsensus dhe pa ndryshime Kodin e ri Zgjedhor. Ky dokument i rëndësishëm i kaloi për diskutim dhe miratim Kuvendit, në ditët në vijim.