E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milo: Politika të dialogojë për kodin zgjedhor

Partia Demokracia Sociale (PDS) bëri thirrje të dielën që politika dhe grupet e interesit të dialogojnë lidhur me Kodin e ri Zgjedhor. "Janë krijuar të gjitha mundësitë, që përmes një dialogu dhe ndoshta edhe ndërmjetësimi, të hidhen hapa përpara të cilat të çojnë në kompromise, që nuk dëmtojnë asnjë parti, përveçse shëndoshin procesin e hartimit përfundimtar të Kodit dhe do të garantojnë një lojë të ndershme elektorale me një rezultat të pakontestueshëm nga forcat politike", tha kryetari i PDS-së, Paskal Milo, gjatë një konference për shtyp. "PDS, vijoi ai, i bën thirrje dy forcave politike, PD dhe PS, që të shikojnë dhe reflektojnë edhe një herë lidhur me kodin zgjedhor, larg interesave të tyre elektorale e partiake dhe në favor të interesave të shqiptarëve dhe stabilitetit politik të vendit. Të ulemi edhe njëherë në bisedime dhe të shohim me gjakftohtësi se çfarë mund të rregullojmë", tha Milo. Ai shtroi nevojën për "një debat më të gjerë publik, ku mund të përfshihen jo vetëm partitë politike, por dhe grupet e interesit sidomos ato që janë të lidhur me proceset zgjedhore dhe politike". Njëkohësisht, kryetari i PDS-së mbështeti propozimin e fundit, të ardhur nga përfaqësia e deputetëve grevistë, për një depolitizim të plotë të të gjithë komisioneve te administrimit te zgjedhjeve, duke i zgjedhur anëtarët e tyre nga shoqëria dhe administrata civile dhe jo nga forcat politike.
Dhjetë deputetë të partive të vogla parlamentare prej shtatë ditësh kanë hyrë në një grevë kundër Kodit të ri Zgjedhor

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›