E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuzhe: “Bariçi foli mirë për mua në Kroaci”Kroati Josip Kuzhe ishte trajneri i dytë kroat dhe pesti i huaj i Shqipërisë që drejton Kombëtaren shqiptare në harkun e shtatë viteve te fundit. I pari ishte italiani Dosena, më pas erdhi gjermani Han

INTERVISTA EKSKLUZIVE (Pjesa e Dyte)- Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Josip Kuzhe, flet për Oto Bariçin, plakushin 76-vjeçar. Trajneri dhe ish-trajneri i përfaqësueses u takuan me rastin e ndeshjes Shqipëri-Portugali (Bariç ishte i ftuar nga FSHF-ja) ku ndanë dhe disa mendime për futbollin shqiptar.

Oto Bariç ishte i ftuari personal i Federatës Shqiptare të Futbollit, pikërisht në debutimin tuaj kundër Portugalisë. Ju u takuat me të. Çfarë biseduat?

U takuam dhe folëm hapur me njëri-tjetrin. Ai më dha disa këshilla të mira. Ishte një bisedë e frytshme midis dy miqsh, që janë nga i njëjti vend, Kroacia, dhe ndajnë një eksperiencë pune që lidhet me të njëjtin vend, Shqipërinë. I mora realisht në konsideratë.

Bariç përbën një opinion të fortë në Shqipëri.

Edhe në median kroate Bariç kishte folur shumë mirë. “Ishte një ndeshje e mirë. Shqipëria ishte e pafat në humbjen e saj. E vuri nën presion gjatë 90 minutave Portugalinë e ata fituan me një gol fati në minutën e fundit për shkak të një gabimi”. Bëri një prezantim të bukur në Kroaci të punës sime. Kjo është shumë bukur nga ana e tij. 

Cili është gjykimi juaj rreth Otos?

Unë kam një lidhje speciale me Bariç në emërimin si trajner i Shqipërisë. Ai më sugjeroi. Ai i tha presidentit të Federatës (Duka) ‘Merr Kuzhen’. Por, më parë nuk kam pasur ndonjë kontakt të afërt me Bariçin. Mund të kisha folur me Oton maksimumi 2-3 herë në jetën time. Ne e respektonim njëri-tjetrin si trajnerë. Nuk kemi qenë kurrë konkurrentë me njëri-tjetrin. Bariç është shprehur shumë korrekt nëpër media për mua, por në jetën private nuk kemi qenë kurrë shumë të afërt me njëri-tjetrin. Unë  e pëlqeja atë, pasi Bariç punonte shumë fort si trajner, kudo që ka qenë. I pëlqej njerëzit që shpenzojnë gjithë jetën e tyre në futboll, dhe jo trajnerë që punojnë 1-2 vjet, bëjnë pushim 2 vite të tjera dhe i rikthehen sërish trajningut. Preferoj gjithmonë trajnerët që jetojnë me futbollin.

Kroacia ka nxjerrë disa emra të respektuar trajnerësh. Kush është më i madhi sipas jush?

Miroslav Blazeviç është një njeri i madh e trajner i mirë, por trajnerin që unë e konsideroj si më të madhin në Kroaci, është Dzelma Markoviç, i cili vdiq vetëm tre vjet më parë. E kam takuar shpesh, kam përfituar nga eksperienca e tij. Ishte njeri që lexonte e dinte shumë.

Biliç e çoi Kroacinë në Euro 2008, një sukses i madh apo jo për një trajner të ri?

E njoh nga afër Slaven Biliçin.  është një trajner simpatik. Një djalë më të vërtetë i zoti, i shkëlqyer dhe i guximshëm. Ai ka sjellë një atmosferë të mirë në ekip, por kjo nuk mjafton në futboll. Nuk është e mjaftueshme, kjo vlen vetëm për një apo dy muaj, më pas vlen futbolli i luajtur. Rezultati. Unë e di këtë. Kam 27 vjet punë si trajner. Personalisht jam ndjerë i vlerësuar prej tij kur ka thënë tre vjet më parë: “Kur flet Kuzhe për futbollin, ne duhet të qëndrojmë gatitu”.

Idetë e Kuzhes

Ekulibër përvojash

“...Duhet të kuptoni se trajneri kërkon të gjejë një balancë midis lojtarëve më me përvojë, të luajë mirë të bëjë të lumtur tifozët, por gjithashtu t’u krijojë edhe mundësinë lojtarëve të rinj premtues. Unë jam një trajner që u besoj lojtarëve të rinj”

Profil ofensiv

“...Qëllimi ynë është të krijojmë një profil ofensiv. Për këtë jam duke punuar në lidhje me sistemin e lojës, që duhet të aplikojmë. Besoj se jemi duke ndërtuar taktikën e duhur, një organizim të mirë të lojës e të forcoj përqendrimin e lojtarëve”

Nga Dosena ...te Kuzhe

Kroati Josip Kuzhe ishte trajneri i dytë kroat dhe pesti i huaj i Shqipërisë që drejton Kombëtaren shqiptare në harkun e shtatë viteve. I pari ishte italiani Dosena (korrik-teror 2002), më pas erdhi gjermani Hans Peter Brigel (nëntor 2002-qershor 2005), kroati Oto Bariç (korrik 2005-nëntor 2007), holandezi Ari Han (janar 2008-prill 2009).

DEBUTIMET E TRAJNERËVE  TË HUAJ

Dosena
SHQIPËRI-ZVICËR 1-1
Trajneri italian Xhuzepe Dosena e nisi me një barazim 1-1 me Zvicrën në Tiranë, takim i vlefshëm për eliminatoret e Kampionatit Europian 2004.

Brigel
SHQIPËRI-RUSI 3-1
Trajneri gjerman Hans-Peter Brigel e nisi aventurën e me një fitore të bujshme kundër Rusisë (3-1), të zhvilluar në “Loro Boriçi”. Takimi ishte për Euro 2004.

Bariç
BJELLORUSI-SHQIPËRI 2-2
Trajneri kroat Oto Bariç është i vetmi që takimin e parë zyrtar e ka luajtur jashtë Shqipërisë. Kuqezinjtë barazuan 2-2 me Bjellorusinë në Minsk. 

Han
SHQIPËRI-SUEDI 0-0
Trajneri holandez Ari Han e nisi me një test të madh drejtimin e Shqipërisë. Përfaqësuesja jonë barazoi 0-0 në “Qemal Stafa” përballë Suedisë.
 
Kuzhe
SHQIPËRI-PORTUGALI 1-2
Trajneri kroat Josip Kuzhe nisi “jetën e tij shqiptare” me një ndeshje shumë të vështirë. Kuqezinjtë tanë u mundën 1-2 nga Portugalia e Ronaldos.

“Kroatizimi” i Shqipërisë

Shkolla kroate e futbollit është ndër më të njohurat në Ballkan dhe ajo është më e përfaqësuara në Shqipëri: dy trajnerë në nivelin e përfaqësueses, Oto Bariç e Josip Kuzhe, si dhe pesë teknikë në nivelin e klubeve: Luka Bonaçiç, Ivan Kataliniç, Zlatko Daliç (të tre te Dinamo), Slavko Kovaçiç (Flamurtari) dhe
Blaz Slishkoviç (Tirana). Historia e trajningut kroat në Shqipëri është e dhimbshme, pavarësisht se formimi i tyre ka qenë ndër më të profesionalët që kanë drejtuar në Shqipëri. Në sezonin e kaluar pesë ekipe kishin të paktën nga një lojtar kroat. Dinamo e Flamurtari (kanë pjesën më të madhe), por gjurmët e futbollistëve nga atdheu i Bariçit e Kuzhes, janë dhe Vllaznia e Tirana. Kapiteni i Flamurtarit, kroati Branko Paniç, përpara finales së Kupës së Shqipërisë, Tirana-Flamurtari (6 maj 2009, 1-2) kishte një ëndërr: të bëhej i pari kapiten i huaj që fitonte Kupën e Shqipërisë dhe ia arriti atë.

TRAJNERË

KOMBËTARJA
Oto Bariç
Josip Kuzhe

KLUBET
DINAMO
Luka Bonaçiç
Ivan Kataliniç
Zlatko Daliç

FLAMURTARI
Slavko Kovaçiç

TIRANA
Blaz Slishkoviç

E Shtune, 13 Qershor 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›