E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuzhe: “Si i ngrita kurthin Kristiano RonaldosTrajneri kroat i Kombëtares: “Gruaja pati rol kyç në ardhjen time këtu, lexon gjithçka në internet. Ajo më telefonoi e para pas Portugalisë”

INTERVISTE EKSKLUZIVE (Pjesa e parë)- “Ndihem kaq mirë në Shqipëri, sa nuk do të doja të ikja kurrë prej vendit tuaj. Vetëm po të më përzënë e braktis Shqipërinë. Jam duke e shijuar plotësisht jetën si ‘shqiptar’ këtu, më bukur se askund tjetër”. Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, kroati 56-vjeçar Josip Kuzhe, ndihet në “qiellin e shtatë” pas eksperiencës së tij të parë me Shqipërinë, ku brenda 15 ditëve të tij “shqiptare” Kombëtarja zhvilloi dy ndeshje ndërkombëtare (Portugalinë e Gjeorgjinë), ndërkohë që shijoi edhe dy ndeshje “finale” shqiptare: Tirana-Vllaznia (për titull kampion) e Partizani-Kastrioti (playout për mbijetesë në Superligë). Duke bashkëbiseduar “pa protokoll” me Albania-sport.com nën hijen e një “tende të gjelbërt” në kopshtin e këndshëm të hotel “Dyrrah”, në Durrës, atje ku është dhe rezidenca e Kombëtares, Kuzhe është në një version “normal” pasi ka shijuar diellin bregdetar në shezlongun e pishinës së hotelit. Kroati 56-vjeçar është familjarizuar me median shqiptare...

Kuzhe, dy ndeshje me karakter krejt të ndryshëm në harkun e katër ditëve, njëra, zyrtare me Portugalinë dhe e humbur në minutat e fundit dhe tjetra, miqësore me Gjeorgjinë me një Shqipëri në version rinor. Si i përjetuat ?

Nga pikëpamja profesionale si trajner nxora konkluzionet e nevojshme, pasi ishin dy ndeshjet e mia të para, dhe me një seleksion, që për hir të së vërtetës nuk ishte i gjithi imi. Natyrshëm, që më djeg pak humbja me Portugalinë, pasi të humbasësh në minutën e fundit, gjithmonë është e hidhur. Këto dy ndeshje ishin jo vetëm të rëndësishme për rezultatet, por dhe për njerëzit që më vendosën mua si trajner, ashtu si dhe për imazhin e futbollit shqiptar. Gjithsesi, ishte kontakti im i parë i vërtetë, eksperienca ime e parë. Tani, praktikisht pas dy ndeshjeve unë kam ide të qarta rreth cilësive dhe aftësive të lojtarëve. E di kush do të luajë dhe kush jo. Tani është radha për të fituar.

Ndeshja e parë e juaja dhe kundër Portugalisë, në një ndeshje për “jetë a vdekje”. A patët frikë nga Kristiano Ronaldo e kompani?

Isha i vetëdijshëm për rëndësinë e ndeshjes për portugezët, por dhe për futbollin shqiptar. Kur mbërrita këtu pranova me vetëdije përgjegjësitë e mia. Lista e lojtarëve nuk ishte e imja. Konstatova disa probleme në mbrojtje, kisha vetëm një lojtar shkatërrues në mesfushë, Bulkun, dhe prandaj vendosa që Beqiri të ishte bashkë me të, pasi ishte një lojtar me eksperiencë. E dija që për Kristiano Ronaldon ishte shumë e rëndësishme për të luajtur në Kupën e Botës, pasi për të tashmë nuk flitet për futboll, por për një histori pafundësish milionash pasi ka pas sponsorët më të mëdhenj në botë. Ai nuk luan për të luajtur futboll, por që të jetë një imazh. Individualisht ai nuk tregoi shumë kundër Shqipërisë. Kundër tij duhej të zgjidhje vetëm një taktikë, aspak mbulim një për një, por një mbulim e bllokim total të tij, pa i dhënë mundësi hapësire. 

Çfarë ndjetë në ato momente kur Portugalia shënoi golin e fitores, pikërisht në minutën e fundit?

Gjënë më të keqe që mund të shijojë një njeri në jetë. Shënuan fillimisht portugezët e pas një minutë barazoi Bogdani. Isha duke përjetuar disa çaste para se të përfundonte takimi,  një ndjenjë të brendshme madhështore dhe kontrasti me atë që ndjeva pas humbjes ishte i madh. Gjithsesi, performanca e skuadrës ishte shumë e mirë. Fjeta shumë mirë atë natë. Gruaja më telefonoi pas ndeshjes dhe kur i tregova për ndeshjen, më uroi një ‘gjumë të ëmbël’. Edhe djali, për të cilin nuk doja të ishte në ndeshjen time të parë, më telefonoi.

(Trajneri Kuzhe,  ne ambientet e hotel "Dyrrah", Durres)

Ju i keni fituar zemrat e tifozëve shqiptarë. Asnjë fitore në dy ndeshje, por dy ndeshje të mira. Sidomos ajo me Portugalinë ishte shumë e rëndësishme.

Në të vërtetë, do të doja shumë të fitoja njërën prej tyre. Bëmë ndeshje të mirë me Portugalinë, e ndaj të njëjtin mendim me të gjithë, por i shoh ndeshjet si trajner dhe një trajner sheh më shpesh atë që shkoi gabim. Në mënyrë të veçantë gjatë lojës unë isha jo shumë i lumtur, por kur pashë më pas DVD-në e takimit nuk isha dhe aq i palumtur. Gjatë ndeshjes unë isha nën presionin e emocioneve dhe shpesh reagoja edhe ndoshta keq, por kur e pashë atë të përsëritur thashë,  ekipi ka luajtur me të vërtetë mirë.

Ndeshja ndërkombëtare e radhës e Shqipërisë është miqësorja me Qipron, më 12 gusht, ndërkohë që prej asaj date na ndajnë dy muaj. A keni ndonjë agjendë gjatë kësaj periudhe?

Do të vazhdoj të mbledh informacione për lojtarët, që luajnë në Shqipëri dhe jashtë saj e do të shkoj në Peskara për të ndjekur ndeshjet për Lojërat Mesdhetare. Më pas, do të ndjek skuadrat shqiptare që do të luajnë në Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Europës, e më vonë edhe Ligën Shqiptare për të gjetur disa figura të fuqishme. Ne kemi një shprehje në Kroaci. Një ndërtesë ngrihet tullë pas tulle. Kështu do të veproj dhe unë me lojtarët. Puna e parë është të ndërtoj formacionin, më pas për të krijuar modelin e lojës dhe për të zhvilluar metodën për të transmetuar sa më shpejt idetë e eksperiencën time te lojtarët. 

Karriera si trajner

1982–1984 Sydney Croatia
1985–1986 BSK Slavonski Brod
1988–1989 Borac Banja Luka
1989–1990 Dinamo Zagreb
1991–1992 Rot-Vajs Erfurt
1992–1994 Mainz 05
1996–1997 Gamba Osaka
1998–1999 NK Zagreb
2000 Chemnitzer FC
2003–2005 Inter Zapresiç
2005–2006 Dinamo Zagreb
2007 Ruanda
2008 JEF United Tokyo
Nga 15 maj 2009 Shqipëria

NDESHJET E KUZHES ME SHQIPERINE

Zyrtare
SHQIPËRI-PORTUGALI 1-2
6 qershor 2009, “Qemal Stafa”

Ndeshja zyrtare Shqipëri-Portugali (1-2, gol i Bogdanit), e vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2010, shënoi dhe premierën e tij në bankinën kuqezëzë.

Miqësore
SHQIPËRI-GJEORGJI 1-1
10 qershor 2009, “Qemal Stafa”

Miqësorja e Shqipërisë ndaj Gjeorgjisë (1-1, gol i Agollit), ishte njëherësh edhe ndeshja e parë miqësore e Josip Kuzhes me përfaqësuesen tonë.

Ëndrra “Europian” e kroatit

Pak ditë më parë Kuzhe deklaroi se “ëndrra ime është të çoj Shqipërinë në finalet e Europianit të vitit 2012”. Por, a është kjo një deklaratë rutinë, nga ato të cilat sistematikisht i kanë bërë gjithmonë trajnerët. Kuzhe thotë: “Kjo është ëndrra ime. Ne duhet të vendosim një objektiv. Dhe synimi nuk është vetëm të marrim pjesë në kualifikuese, por të jemi të suksesshëm. Më duhet që ta pohoj se Shqipëria ka potencial. Shqipëria mund të luaj një futboll të bukur. Kur pranova të marr detyrën e dija se ne ishim në klasin e katërt në Europë, po të bëj një ndarje të tillë përsa i përket niveleve të skuadrave. Por, është në karakterin tim të fitoj e të jem i suksesshëm në kualifikuese”.

E Shtune, 13 Qershor 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›