E Diel, 1 Nëntor 2026

Provimi i shkollës së lartë, si do të vlerësohen maturantët

 
Maturanti kandidat duhet të zgjedhë dy prej lëndëve që gjenden të renditura në formularin A2, sipas preferencës së tij
 
 
Marsel LELA
TIRANë – Ndërsa kanë mbetur vetëm pak muaj nga provimi Maturës Shtetërore, të gjithë maturantët janë të interesuar mbi ndryshimet që do të ketë këtë vit procedura e zhvillimit të këtyre provimeve.
Dhe duke qenë se shumë prej këtyre maturantëve do të kandidojnë për të hyrë në universitet, po kaq të rëndësishme janë edhe ndryshimet që mund të ketë pësuar metoda e zhvillimit të provimeve me zgjedhje nga një vit më parë.
Ndërkaq, rregullorja e re e Maturës Shtetërore, si dhe udhëzimi për këtë rregullore kanë përfunduar dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë publike testet krahasuese, bashkë me programet orientuese të provimeve të Maturës Shtetërore.
Për sa u përket ndryshimeve që mund të ketë këtë vit Matura Shtetërore, MASH-i bën të ditur se koeficienti që do të ketë mesatarja e shkollës së mesme këtë vit për të hyrë në universitet, është i pandryshueshëm nga një vit më parë, pra 20 për qind.
Më saktësisht, për të vazhduar garën për në shkollën e lartë, një student duhet të plotësojë formularin A2, i cili përmban lëndët me zgjedhje.
Maturanti kandidat duhet të zgjedhë dy prej lëndëve që gjenden të renditura në formularin A2, sipas preferencës së tij. Nëse maturanti dëshiron të vazhdojë studimet e larta në fakultetet e profilit shkencor, ai duhet të zgjedhë në formularin A2 lëndë të profilit shkencor. E njëjta gjë vlen edhe për profilin shoqëror. Vlerësimi i maturantëve për pranimin në universitet do të bëhet në bazë të notave që këta të fundit kanë arritur të marrin në katër provimet e Maturës Shtetërore, të cilat më pas do të konvertohen në pikë.
Pas përllogaritjes së mesatareve të provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore, Letërsisë dhe Matematikës, si dhe dy provimeve me zgjedhje, bëhet edhe renditja e kandidatëve që do të fitojnë të drejtën për të vazhduar shkollën e lartë.
Për sa i përket numrit të lëndëve me zgjedhje që listohen në formularin A2, kreu i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës bëri të ditur se do të jetë i njëjti me atë të një viti më parë, pra 12 lëndë me zgjidhje. Sa i përket hartimit të tezës së provimit të maturantëve, në provimet e Maturës Shtetërore të një viti më parë ky i fundit pati disa ndryshime.
Një prej ndryshimeve që pati, ishte numri i fondit të pyetjeve dhe profilizimi i testeve sipas shkollave të mesme. Gjithashtu, ndryshe nga vitet e mëparshme, sipas rregullores së një viti më parë, maturantëve iu dha e drejta që të kërkojnë një rivlerësim të tezës të tyre, nëse ata nuk d të ishin dakord me pikët e marra.
Fondi i pyetjeve të maturantëve të vjetshëm ka qenë më i madh se ai i viteve të mëparshme. Sipas rregullores së vjetshme të Maturës Shtetërore, lloji i testit me anë të të cilit do të provohej secili maturant, varej nga lloji i programit lëndor që ata kishin përvetësuar gjatë shkollës së mesme. Pra, në përputhje me këto kritere, vjet specialistët hartuan teste në varësi të profilit të arsimit të maturantëve. Hartimi i testeve të provimit të Maturës Shtetërore sipas kësaj skeme, u bë për arsye se edhe programet lëndore edhe ato orientuese për provimet e pjekurisë ishin të ndryshme për tipa të ndryshme shkollash.
 
 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›