Rikonfirmohet perspektiva europiane e Kosovës
Takimi i GND-së
Gjatë takimit të djeshëm të mbajtur në Vjenë, Grupi Drejtues Ndërkombëtar i dha mbështetje qeverisë “Thaçi” për planin e integrimit të veriut
Grupi Drejtues Ndërkombëtar ka konfirmuar mbështetjen e tij për Kosovën, për perspektivën e saj europiane, pas takimit të zhvilluar dje në Vjenë. Qëndrimi u konfirmua nga zëdhënësi i qeverisë kosovare, Memli Krasniqi, për mediat në vend, i cili tha se vendet anëtare u kanë dhënë mbështetje angazhimeve të Kosovës për zbatimin e prioriteteve që kanë të bëjnë me perspektivën europiane të Kosovës dhe me liberalizimin e vizave. Sipas tij, GND, që ka rolin mbikëqyrës të shtetit të ri, dha mbështetjen për realizimin e objektivave të procesit integrues të Kosovës në BE. Në mes të shumë çështjeve, Krasniqi tha se në këtë takim u diskutua edhe për strategjinë për integrimin e veriut të Kosovës. GND përshëndeti zotimin e autoriteteve të Kosovës, i cili u përsërit edhe nga kryeministri Hashim Thaçi, për të bërë të gjitha përpjekjet e domosdoshme për zbatimin e plotë dhe me kohë të Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin. “Edhe pse tashmë janë themeluar bazat solide, ka disa çështje të mbetura që duhet të trajtohen për të siguruar zbatimin e plotë dhe me kohë të PGJS-së”, ka konstatuar GND. Sipas këtij mekanizmi, sfidë kyçe do të jetë avancimi i integrimit të të gjitha komuniteteve, sidomos i tërë komunitetit serb të Kosovës në shoqërinë kosovare, për të siguruar të ardhme të qëndrueshme dhe për të forcuar demokracinë në Kosovë. “GND-ja mbështet plotësisht domosdoshmërinë e përforcimit të përpjekjeve për veriun e Kosovës, duke marrë parasysh rekomandimet e ICO-së, të cilat do të zhvillohen më tutje në konsultim me palët përkatëse të interesit. GND-ja u bënë thirrje të gjitha palëve, përfshirë edhe Republikën e Serbisë, që të luajnë rol konstruktiv në këtë proces jetik, për të siguruar kushte më të mira për jetesë në veri të Kosovës. Ajo e mirëpret synimin e Qeverisë së Kosovës për të ofruar financime për projektet që synojnë integrimin e qytetarëve të komunitetit serb të Kosovës, si dhe përpjekjet e Bashkimit Europian në veri të Kosovës”, thuhet në deklaratën e lëshuar pas takimit. Sipas GND-së integriteti territorial i Kosovës është i lidhur ngushtë me stabilitetin rajonal. Bashkëpunimi i zgjeruar rajonal është në interesin më të mirë të Ballkanit Perëndimor dhe Perspektivës së tij Europiane. Në këtë drejtim, GND-ja i bënë thirrje Republikës së Serbisë, Republikës së Kosovës dhe shteteve fqinje të angazhohen në dialogun pragmatik për çështjet e përbashkëta, përfshirë edhe pjesëmarrjen konstruktive në forumet rajonale. GND-ja gjithashtu beson se Kosova duhet të bëjë përparim urgjent në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, në përmirësimin e kapacitetit administrativ dhe instalimin e sundimit të ligjit, përfshirë edhe në veriun e Kosovës.
Thaçi kërkon ndihmën e GDN-së për veriun
Gjatë takimit të djeshëm në Vjenë, kryeministri Hashim Thaçi tha se qeveria e Kosovës është e vendosur që në veri të vendit të vendoset rendi dhe ligji. “Ne jemi treguar të përmbajtur dhe do të vazhdojmë të kujdesshëm në veprimet tona, por përfundimisht jemi të vendosur për rendin dhe ligjin në veri të Kosovës, ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe plani gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës”, u shpreh Thaçi. Sipas tij, plani nënkupton vazhdimësinë e reformimit të pushtetit lokal dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. “Kërkoj mbështetjen tuaj të plotë në zbatimin e këtij plani”, ka thënë kryeministri në takimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën. çështja tjetër e rëndësishme, të cilën e ka potencuar Thaçi, ka qenë edhe liberalizimi i vizave për kosovarët. Ai me këtë rast ka kërkuar liberalizim sa më të shpejtë të vizave për kosovarët, në mënyrë që qytetarët kosovarë të udhëtojnë si të gjithë popujt tjerë të Ballkanit dhe të mos jenë të izoluar, që pastaj të kërkojnë rrugë ilegale të udhëtimit, të cilat mund të përfundojnë në tragjedi.
Ahmeti dhe Gruevski drejt ndarjes
Maqedoni, koalicioni qeverisës pranë fundit
Koalicioni qeveritar në Maqedoni, VMRO-DPMNE dhe BDI, duket se po numëron ditët e fundit. Sipas agjencisë së lajmeve INA, partia shqiptare në pushtet, e gjetur në një pozitë inferiore, ka përcaktuar muajin maj si afat të fundit për braktisjen e qeverisë. Këtë gjë e ka pohuar vetë një zyrtar i lartë i BDI-së për agjencinë. Sipas tij, megjithatë, do të respektohen sugjerimet faktorit ndërkombëtar, që t’i jepet edhe një rast zgjidhjes së mosmarrëveshjes me Greqinë, lidhur me emrin kushtetues të Maqedonisë. BDI do të presë deri në muajin maj, dhe më pas do të braktisë qeverinë e koalicionit, ose do të veprojë ndryshe, duke pasur në qendër të vëmendjes platformën e saj politike, që rrjedh nga Marrëveshja e Ohrit. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tashmë ka marrë dritën e gjelbër për këtë gjë edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, në rast se nuk arrihet zgjidhja e kontestit të emrit me Athinën. “Kemi garanci të fuqishme nga faktori ndërkombëtar, e sidomos nga SHBA-të, se deri në muajin maj do të zgjidhet çështja e emrit kushtetues. Menjëherë pas zgjidhjes së kontestit të emrit, do t’i japin ultimatum kryeministrit Gruevski për realizimin e plotë të të drejtave të shqiptarëve, të cilat burojnë nga Marrëveshja e Ohrit. Sipas të gjitha gjasave, kryeministrit do të refuzojë dhe ky do të jetë momenti kur BDI edhe përfundimisht do të largohet nga qeveria”, theksoi një zyrtar i lartë i BDI-së në kushte anonimiteti. Sipas tij, pozicioni i partisë shqiptare aktualisht është shumë i dobësuar. Ndërkohë, sipas skenarit, pas daljes së BDI-së nga qeveria e Maqedonisë, kryeministri Gruevski do të mundohet të ftojë ndonjërën nga partitë e tjera shqiptare për hyrje në koalicion, ose do të tentojë që dy-tre muaj të qeverisë vetëm, duke krijuar kështu për herë të parë një moment të ri, që qeveria maqedonase të jetë pa asnjë subjekt shqiptar. “Nuk mund të shkojë më tepër, sepse kriza do të thellohet, megjithëse ai do të tentojë që të krijojë edhe një qeveri të zgjeruar. Kjo do të jetë e kotë dhe do të ballafaqohemi me zgjedhje të parakohshme”, ka nënvizuar zyrtari i BDI-së. Sipas tij, zgjedhjet e parakohshme do të mbahen gjatë muajit shtator ose tetor të këtij viti. Situata e krijuar dhe skenarët e mundshëm për zgjidhjen e saj tashmë janë bërë pjesë e debateve edhe brenda VMRO-DPMNE-së, e cila përmes fushatave të fundit po përgatitet që të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Mesiç
“Kufijtë e Europës Juglindore janë zgjidhur”
Beogradi nuk mund të ndryshojë realitetin e ri të krijuar në Ballkan. është kjo deklarata e presidentit kroat në largim, Stjepan Mesiç, i cili i ka bërë thirrje Serbisë të mos ndërhyjë në marrëdhëniet e Kosovës me shtetet e tjera, pavarësisht qëndrimit të saj. Në një intervistë dhënë për BBC-në, Mesiç u shpreh se çështja e kufijve në Ballkan është zgjidhur përfundimisht tashmë. Sipas tij, Beogradi nuk është e thënë ta njohë Kosovën, por nuk guxon të pengojë të tjerët të komunikojnë me të. I pyetur lidhur me serbët e larguar nga Kosova, ai u shpreh se ata mund të kthehen kur të duan, pasi qeveria kosovare garanton mbrojtjen e tyre. “Unë kam parë aktet normative të Kosovës, ku sigurisht sot ekziston mbrojtja më e mirë e pakicave kombëtare. Kosova ka standardet më të larta të mbrojtjes së pakicave që ekzistojnë sot në Europë”, - the Mesiç. Presidenti kroat vizitoi në fillim të këtij viti Kosovën, vizitë kjo që pasoi një acarim të marrëdhënieve mes Zagrebit dhe Beogradit. “ Nuk e di pse Beogradi krijon problem nga vizita ime në Prishtinë. Po ashtu, nuk e di pse Beogradi krijon çështje edhe nga fakti se disa shtete të tjera e njohin Kosovën ose vendosin marrëdhënie diplomatike. Pse nuk i ndërpresin marrëdhëniet me Uashingtonin nëse i pengon aq shumë që dikush e njeh Kosovën”, - u shpreh ai. Mesiç shtoi se Beogradi duhet të bëhet i vetëdijshëm për situatën e krijuar. “Sa u përket kufijve në hapësirën e Europës Juglindore, kjo çështje përfundimisht është zgjidhur. Pra, arkitektura e hapësirës sonë ka përfunduar. Marrëdhëniet mes Prishtinës, respektivisht Kosovës dhe shteteve të tjera, përcaktohen me marrëveshje ndërshtetërore. Beogradi nuk është e thënë ta njohë Kosovën, por nuk guxon të pengojë të tjerët të komunikojnë me Kosovën. Ajo ka nevojë të zhvillohet dhe bashkësia ndërkombëtare, e sidomos Europa, duhet të ndihmojnë që në Kosovë të aktivizohen të gjitha potenciale e tyre ekonomike dhe para së gjithash potencialet njerëzore”, - vazhdoi ai. Sipas Mesiç, Kosova u mundua që me Serbinë të zgjidhë përmes negociatash çështjen e statusit të saj, sepse ajo ishte element konstitutiv i federatës jugosllave. “Kjo federatë më nuk ekziston, por Kosova ishte e lidhur edhe me Serbinë dhe prandaj duhej zgjidhur statusi. Dhe, meqenëse negociatat në Rambuje nuk patën sukses, Kosova shpalli pavarësinë. Serbia nuk është e thënë të njohë Kosovën, ashtu sikur Gjermania Perëndimore nuk e njohu Gjermaninë Lindore, por duhet të lejojë që të tjerët të bashkëpunojnë me Kosovën”, - përfundoi ai.