Kuzhe: Humbje tronditëse, më shumë punë me mbrojtjen
LEONARD KARAJ
Një humbje shokuese në sekondat e fundit të takimit. I zhgënjyer, por me shpresë se me këtë skuadër ka mundësi të bëjë edhe më mirë në të ardhmen. Kjo ka qenë esenca e deklaratës së trajnerit të Kombëtares shqiptare Josip Kuzhe direkt pas takimit Shqipëri-Portugali. “Është tronditëse të humbasësh në fund. Bëmë një ndeshje shumë të mirë dhe meritonim barazimin, por në fund ishte eksperienca ajo që dalloi më shumë. Nuk duhet të harrojmë se përballë kishim një skuadër shumë të mirë e cila kishte ardhur me të vetmin rezultat në Tiranë, fitoren. Ne u munduam të bënim lojën tonë dhe në një farë mënyre ia arritëm, por në fund mbrojtësit gabuan rëndë. Mendoj se duhet edhe të punoj shumë me repartin difensiv, aty ku realisht pashë probleme që mund të rregullohen”, ka pohuar Josip Kuzhe.
Falënderimi
Gjithsesi 56-vjeçari nuk harroi të falënderonte tifozët e shumtë të Kombëtares shqiptare edhe pse pa mundur që t’i gëzojë ata me rezultatin e ndeshjes. “Më vjen keq që nuk mundëm që të gëzonim tifozët, të cilët ishin në numër të madh duke mbështetur skuadrën. Do të kisha dëshiruar që takimi të mbyllej ndryshe por minutat e fundit ishin fatale për ekipin tonë. Tashmë duhet të nxjerrim përfundimet e duhura për mos gabuar më në ndeshjet e tjera. Kam besim se do të ndërtoj një skuadër të mirë, pasi kam lojtarë për ta bërë një gjë të tillë”, ka përfunduar deklaratën e tij trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe.
Debutimi
Kroati debutoi në pankinën e skuadrës sonë përfaqësuese me një humbje, ashtu sikundër edhe Sulejman Demollari (Shqipëri-Finlandë 0-2) por duhet theksuar se Kuzhe kishte përballë një skuadër shumë herë më kompetitive. Pas tre ditësh Shqipëria do të zhvillojë edhe një ndeshje miqësore ndaj Gjeorgjisë po në stadiumin “Qemal Stafa”, ku Kuzhe do të ketë mundësi që të provojë ato skema që nuk mundi të realizojë në takimin e mbrëmjes së djeshme. Përsa i përket renditjes në grupin 1 Shqipëria vazhdon të mbajë vendin e parafundit në grup me pikë të barabarta me Suedinë e cila u mund dje në fushën e vet nga Danimarka. Ndërsa Portugalia shkoi në kuotën e 9 pikëve por mban sërish vendin e tretë me 4 pikë më pak se Hungaria. Kryeson grupin Danimarka me 16 pikë.