Gafa e portierit, Shqipëria humbet në minutën e fundit
LEONARD KARAJ
Humbim sërish në minutat e fundit të lojës. Nuk është hera e parë, madje u bënë shumë. Luajmë mirë përgjatë gjithë lojës dhe nuk kemi guxim për të mbrojtur rezultatin në fund. Kjo ka ndodhur me ndeshjen e mbrëmshme ndaj një Portugelaie e cila realisht ishte larg famës që ka. Kjo natyrisht edhe për meritë të futbollistëve të Josip Kuzhesë. Kroati, ndonëse vetëm prej 16 ditësh zyrtarisht trajner i kësaj kombëtareje arriti të vendosë në fushën e lojës një skuadër mjaft të kujdesshme, e ngjeshur në mbrojtje dhe e shpejtë në kundërsulme.
Skuadra
Kuze në fakt e nisi aty ku e la edhe paraardhësi i tij Ari Han, pra me një sulmues të vetëm, por me disa ndryshime të rëndësishme. Pikë së pari me një skuadër e cila ishte e mirëvendosur në fushë dhe kërkonte jo vetëm të mbrohej por edhe të sulmonte. Stononte në pozicionin e tij si shkatërrues në mesin e fushës, për herë të parë si i tillë, Elvin Beqiri. Megjithatë shkodrani arriti të përmbushte detyrat e vëna nga Kuzhe. Mesfushorët portugezë Raul Meireles dhe Deko në shumë raste hasën në ndërhyrjet energjike të Beqirit. Ndërsa disi më pak problematike por shpesh herë në konfuzion e sipër u pa edhe loja e Klodian Duros. Në fakt mesfushori duhej të luante më së shumti në krahun e djathtë duke ndihmuar “torren” Erjon Bogdani por shpesh herë mesfushori i Omonias u pa të driblonte në harkun e mesit të fushës pa shumë produktivitet. Veç këtyre, një skuadër në lartësinë e duhur teksa mendon se përballë kishin yje si Kristiano Ronaldo, Deko, Hugo Almeida, etj.
Mbrojtja
Duke filluar që nga Hidi, pa faj në pësimin e golit të parë por gaboi në golin e dytë duke dalë pa e llogaritur mirë trajektoren e topit. Gjithsesi portieri i Krivbas tregoi formën e tij të mirë në disa pritje, më spektakolarja në minutën e 38-të kur shpëtoi një gol të sigurt. Në të njëjtën linjë edhe Lorik Cana i cili ka zhvilluar një nga ndeshjet e tija më të mira të kohëve të fundit nonëse jo në rolin e tij natyral të mesfushorit shkatërrues por si qendërmbrojtës. Në të majtë Vrapi e pa disa herë vetën keq por gjithsesi arriti të rikuperonte përballë një futbollisti si Bosingva. Ndërsa në formë të mirë ishte edhe Curri, por gjithsesi fajtor në golin e dytë të pasuar pasi la të shkonte në kokën e Bruno Alvesh një kros që vinte nga 50 metra largësi drejt e në zonën tonë. Në të djathtë Vangjeli arriti disa herë të bllokonte Simaon dhe Dekon.
Mesfusha
Mirë Ervin Skela dhe Ervin Bulku, por jo në ditët e tija më të mirë, Klodian Duro. Futbollisti i Omonias duhej të ishte një rrezik konstant në krahun e djathtë të sulmit tonë, (të majtin të portugezëve) por ai nuk arriti asnjëherë të kalonte në këtë krah. I saktë në shumë ndërhyrje në këtë repart edhe Asi Agolli, një prej lojtarëve më të mirë të kampionatit shqiptar për sezonin që sapo u mbyll. Pritej më shumë nga fantazia e Ervin Skelës por gjithsesi vlonjati justifikoi veten edhe në mbështetjen e repartit difensiv.
Sulmi
Bogdani fenomenal. Kishim kohë që nuk shikonim një sulmues më në formë. Veç golit Bogdani mbajti lart linjën e skuadrës sonë dhe vetëm arbitri gjerman i mohoi një penallti sade pas një driblimi të mrekullueshëm në zonën portugeze. Mirë edhe Salihi i cili u sakrifikua duke mbështetur shpesh herë mbrojtjen e skuadrës sonë. Por në fund veç kësaj konkluzioni është sërish negativ: Shqipëria humbet një tjetër ndeshje, në minutat e fundit.
Shqipëri-Portugali 1-2
Shënues: Bogdani 29’/ Almeida 28’, Bruno Alvesh 93’
Kartonë të verdhë: Curri 22’, Agolli 54’, Meireles 54’, Pepe 80’
Gjyqtarë: Florian Mejer (kryesor)
Karsten Kadash dhe Senge Kildeman (anësorë)
Arbitër i 4-t: Babak Rafati
Shqipëria: Hidi, Vrapi, Cana, Curri, Vangjeli, Beqiri, Agolli, Skela (Bylykbashi 93’), Bulku, Duro (Berisha 87’), Bogdani (Salihi 65’)
Trajner: Josip Kuzhe
Portugalia: Eduardo, Bruno Alvesh, Bosingva, Karvajo (Nani 76’), Pepe, Duda, Meireles, C.Ronaldo, Deko, Boa Morte (Simao 46’), Hugo Almeida (Edinjo 69’)
Trajner: Karlos Keiroz
Cana e Bosigva,më të mirët
Lorik Cana për Kombëtaren shqiptare dhe Jose Bosigva për portugezët ishin edhe futbollistët më të mirë në fushën e lojës. Cana zhvilloi një ndeshje shumë të mirë edhe pse luante në një pozicion jo shumë të favorshëm për të, në qendër të mbrojtjes. I pafaj për golin e dytë të portugezëve ku më së shumti ishte dalja e gabuar e Hidit që ndëshkoi skuadrën tonë. Ndërsa Bosigva ishte futbollisti që ngacmoi më shumë portën tonë me kroset e shumta. Në hije Kristiano Ronaldo dhe ca më shumë Deko e Simao.