Kuzhe: Kisha frikë goleadën, dështuam të mbulonim Mesin
TIRANE- Kombëtarja shqiptare është kthyer dje në mesditë nga udhëtimi 6-ditor në Argjentinë, ku luajti një miqësore luksi ndaj skuadrës së Lionel Mesit. Përpos humbjes 4-0 dhe faktit se Shqipëria në fushë ishte një spektatore, futbollistët kanë qenë entuziastë dhe të kënaqur me paraqitjen e tyre. Trajneri Josip Kuzhe mbrojti futbollistët për paraqitjen e tyre, duke pranuar se dështimi i vetëm në këtë takim ka qenë mbulimi i Lionel Mesit. “Natyrisht që një humbje 4-0 është një rezultat negativ, por gjithsesi nuk duhet të shohim vetëm aspektet negative të kësaj sfide, - u shpreh trajneri kroat. – Për ne ishte një shans i shkëlqyer që luajtëm me Argjentinën, një nga skuadrat më të mira të botës. Kjo më dha mua edhe mundësinë që të provoja disa nga futbollistët që nuk kanë pasur shumë shanse në takime të tjera. Në shumë gjëra them se ia dolëm mbanë, përveçse të mbulonim Mesin”, shtoi ai duke qeshur. Kuzhe u shpreh gjithashtu se para fillimit të takimit i ishte druajtur shumë pësimit të një goleade. “Po, para takimit mendoja se do të pësonim një humbje të thellë, por pas 15 minutash pashë që futbollistët po luanin si skuadër e vërtetë dhe më pas më doli frika”, deklaroi trajneri kuqezi. I pyetur nëse do të ketë ndëshkime për futbollistët që refuzuan ekipin kombëtar, duke e lënë atë në një situatë të vështirë përpara një ndeshjeje të tillë, Kuzhe u shpreh i dyzuar për këtë: “Shikoni, nuk do të ketë asnjë penalizim, por në të ardhmen unë do të mendohem më mirë për situatat që do të paraqiten. Do mendoj edhe për lojtarët që nuk mund të vijnë, në mënyrë që të evitojmë gjëra të tilla. Gjithsesi, mund të them se unë kam një memorje të mirë”, shtoi ai, duke lëshuar indirekt një kërcënim.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)