Kuzhe: “Objektivi? Vendi 3 ose 4”
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, deklaroi gjatë konferencës së tij për shtyp, të mbajtur vetëm 24 orë pas hedhjes së shortit të eliminatoreve të Euro 2012, se ai synon të paktën të kapë vendin e tretë ose të katërt në grupin D, duke lënë pas dy apo tre skuadra: Bjellorusinë në rritje dhe Luksemburgun modest, e ndoshta dhe Bosnjën.
Zoti Kuzhe, tashmë kundërshtarët tanë për kualifikueset e Kampionatit Europian janë të njohur, Franca, Rumania, Bosnjë-Hercegovina, Bjellorusia dhe Luksemburgu. Cilat janë objektivat e Shqipërisë?
Objektivat me këtë short nuk janë të lehta. Unë jam trajner dhe më duhet të mbaj një qëndrim realist, por nga ana tjetër më duhet të jap edhe pak shpresë. Kam dëshirë të punoj në një atmosferë pozitive dhe realiste. Nëse unë do të flisja realisht në këtë situatë, ne duhet ta fillojmë startin tonë nga pozicioni ku ishim përpara hedhjes së shortit. Ndodheshim në vazon e 5-të.
A mund të jeni më i qartë?
Objektivi ynë është përmirësimi i futbollit tonë, të renditemi më mirë në grup se sa ajo që ka bërë Shqipëria në të kaluarën. Përmirësim për ne do të thotë që të ngrihemi në renditje, pra në vend të katërt apo të tretë. Gjithsesi, unë jam trajner dhe më pëlqen të punoj në një atmosferë pozitive. Nuk dëshiroj të them se do të fitojmë ndonjë ndeshje speciale, por ne duam të fitojmë ndeshjet dhe pasi të kalojnë disa prej tyre mund të përgjigjem me realisht e të bëjë një definicion të objektivit tonë.
Objektivin për vendin e tretë apo të katërt është një objektiv i i kërkuar edhe nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (Duka)?
Jo, ne kemi folur bashkë me presidentin në një atmosferë shumë të këndshme rreth këtyre kualifikimeve, por saktësisht nuk kemi folur për objektiva, ose nuk u përmendën për momentin, diçka e tillë, që ne duhet të arrijmë këtë pozicion. Të dy, edhe pse ishim të mërzitur nga ekipet që na ranë në grupin, ishim optimist në bisedën e djeshme (të dielën në Varshavë). Unë besoj se do të krijojmë një atmosferë të mirë, programin tonë dhe unë shpresoj se do të arrijmë rezultate të mira.
Me ato që deklaruat, do të thotë se kualifikimin e konsideroni të pamundur. Shqipëria shmangu Kroacinë, një rival që ju nuk e dëshironit, por gjeti Bosnjën, një skuadër që i ka hapur shumë probleme në eliminatoret e kaluara të Botërorit 2010 vetë Spanjës.
Ok, në lidhje me Kroacinë do të ishte një ndeshje shumë speciale, shumë emocionale dhe tepër stresuese për mua. Ju e dini që unë jam kroat. Së pari, Kroacia është një ekip shumë i mirë dhe nuk është e lehtë të fitosh e të arrish rezultat; së dyti, është një stres special, pasi ndonjëherë emocionet mbizotërojnë. Ju duhet të bëni lojën tuaj dhe të fitoni. Gjithsesi, nëse ju luani në Zagreb përballë 40-50 mijë shikuesve dhe dikush do të kërkonte të fitoja nuk do të ishte e lehtë për mua. Më duhet të deklaroj se nuk do të isha i lumtur të luaja kundër Kroacisë. Nga ana tjetër, Bosnja është diçka tjetër. Bosnja është krejtësisht një vend tjetër. Unë e respektoj në gjithçka që ka bërë, por nuk ndjej asnjë lloj emocioni kur të përballem kundër tyre.
Ku mendoni se do të merrni pikë jashtë, pasi ato do të na shërbejnë edhe për rritjen në klasifikim?
Kudo, përse jo? (Qesh) Nuk dëshiroj tu them se ku dhe kundër kujt ekipi do të marrim pikë në transfertë, kundër Bjellorusisë apo Rumanisë, apo Bosnjës. Ok, Bosnjën e njoh është një ekip i fortë, kanë pika të forta gjatë një ndeshjeje, por kanë dhe pika të dobëta. Ne do të përpiqemi të jemi një ekip shumë serioz, nga ana konkurruese shumë të fuqishëm dhe me lojtarë të fortë. Besoj se do të marrim edhe rezultate jashtë fushës sonë.
Në grupin tonë ndodhen skuadra jo me shumë emër dhe me pak tifozë në Shqipëri. Atmosfera mund të jetë e ftohtë në stadium. A i trembeni kësaj situate?
Sigurisht, ndaj ekipeve të mëdha krijohet një atmosferë e zjarrtë, por gjithsesi çdo gjë do të varet edhe nga ecuria e rezultateve tona, por edhe të atyre kundërshtare. E kam parë Bjellorusinë në një ndeshje kundër Kroacisë, ka një ekip të mirë dhe mund të marrë rezultate të mira. Personalisht nuk do të dëshiroja atmosferë vetëm kundër ekipeve të mëdha, por kundër gjithkujt. E këtë mund ta krijojë edhe media e të ndihmojë në për atmosferën.
Kuzhe: “Dua ta nis me Francën”
Mediat franceze kanë bërë vlerësime pozitive për fortësinë e ekipit shqiptar, duke përmendur barazimet me Suedinë, Portugalinë dhe Danimarkën. Sa i fortë është Shqipëria?
Ne mund të jemi kundërshtarë seriozë për cilindo ekip. Dëshira ime është që pas këtyre ndeshjeve kualifikuese shumë ekipe të mëdha në Europë të flasin me respekt të plotë për ekipin Kombëtar të Shqipërisë. Ky është dhe qëllimi im. Dëshirojmë t’i bëjmë krenarë shqiptarët për ekipin e tyre.
Mister, tashmë grupi dhe emrat e skuadrave janë të njohura. Dëshironi ta nisni aventurën në kualifikuese me ekipe të mëdha apo të vogla. Cila është strategjia për këtë?
Jemi duke punuar për të ndërtuar strategjinë tonë. Pas pak ditësh do të përcaktojmë edhe kalendarin zyrtar, por mua më pëlqen ta filloj me një ndeshje të vështirë kundër një ekipi të madh, ndoshta Franca.
Në kualifikueset e mëparshme të Europianit kishim kundërshtarë Holandën e Rumaninë, ndërsa tani Francën dhe Rumaninë. Bariçi grumbulloi 11 pikë. A do të merrni më shumë ju?
Po, mua më pëlqen të marrë më shumë dhe do t’ia dal, por këtë do ta shohim ndeshje pas ndeshjeje. Gjithsesi, grupi ynë nuk është dhe aq i lehtë. Do të hyjmë në çdo ndeshje për të marrë pikë.
Cili nga kundërshtarët që kemi në grup ngjan me lojën e Irlandës së Veriut, ndaj së cilës do të luajmë miqësore më 3 mars?
Kundër Irlandës ne do të praktikojmë atë lloj loje që do të bëjmë edhe kundër kundërshtarëve tanë. Edhe në muajin gusht ne do të përpiqemi të gjejmë një kundërshtar të ngjashëm me ata që kemi në grup.
A do të ishte dështim nëse nuk do të merrnit gjashtë pikët e plota me Luksemburgun?
Po, pa dyshim. Nëse ne nuk do të fitonim të dyja ndeshjet kundër Luksemburgut, do të ishte natyrisht një rezultat i keq për trajnerin.
“Grupi i vështirësisë 8”
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, duke iu përgjigjur pyetjes për fortësinë e grupit tone (D) tha: "Nëse më pyesni mua për të dhënë një vlerësim me nota nga 1 në 10 se sa i fortë është grupi ynë, (qesh)...unë do të thosha se është shumë e vështirë, por në opinionin tim është diçka që unë nuk do të pëlqeja ta thosha. Nuk e di, ndoshta 7 apo 8. Është shumë e vështirë, më besoni".
“Kam mësuar nga Bariçi”
Ne lidhje me eksperiencën e hidhur te paraardhësit te Kuzhese, njëherësh edhe miku te tij, Oto Bariç, me ndeshjet kundër Bjellorusisë (humbën 2-4 në Tiranë) dhe Rumanisë (humbëm 6-1 në Bukuresht), Kuzheja theksoi: "Po, e di se çfarë ndodhi me Shqipërinë në ndeshjet kundër Bjellorusisë dhe Rumanisë, por gjithmonë përpiqem të mësoj nga diçka nga eksperiencat e këqija".
Kroati: “Ideale do të ishte 20-22 pikë”
“Më duhet së parë të ndërtoj programin dhe të përzgjedh lojtarët e duhur për të fituar pikët. Së pari, dua të sqaroj se kur erdha gjashtë muaj më parë nuk njihja asnjë nga lojtarët, nuk kisha asnjë informacion mbi futbollistët e mi. Ne patëm disa momente të mira në ndeshjet tona si ato kundër Portugalisë, kundër Danimarkës, kundër Suedisë jo dhe aq të mira. Kjo edhe për shkak të pozicionit e momentin kur nisa punën si trajner (i Shqipërisë). Tani unë e njoh skuadrën, i njoh lojtarët. Tani kërkoj të përmirësojmë shumë gjëra, për ta bërë lojën tonë më të fuqishme. Nëse luajtëm me sukses kundër në disa momente kundër Portugalisë, ne duhet që këtë ta implementojmë edhe në ndeshjet që kemi përpara. Duhet të kemi ambiciet tona. Duhet të ndërtojmë një ekip që të ketë këtë filozofi. Opinioni im është të ndërtojmë një skuadër akoma më të fortë dhe unë shpresoj se ne mund të marrim disa pikë kundër ekipeve të forta. Nëse ju doni të arrini diçka në këto eliminatore, ideale do të ishte 20-22 pikë. Nuk dëshiroj të bëj spekulime, se do të arrij këtë apo do të bëj atë gjë. Dëshiroj ta shoh situatën ndeshje pas ndeshjeje. Të ndërtojmë skuadrën tonë, ndoshta shumë ambicioze. Gjithsesi, nuk dëshiroj aspak t’i bëj bisht pyetjes. Do të ishte më mirë ta thosha pasi të shihnim edhe rezultatet e fillimit tonë e më pas të ndërtonim programin tonë në lidhje me pikët”.
Trajneri i Bjellorusisë
Shtange: “Shqipëria ka ndryshuar për mirë”
Kur Shqipëria humbi 4-2 në Tiranë me Bjellorusinë, në ndeshjen e parafundit të eliminatoreve të Kampionatit Europian 2008 në bankinën shqiptare ishte kroati Oto Bariç, ndërsa në atë bjelloruse, gjermani Bernd Shtange. I njëjti trajner drejton edhe sot Bjellorusinë. Trajneri Josip Kuzhe tregoi se kishte shkëmbyer disa mendime me të parin e stolit të vendit përbërës të ish-Bashkimit Sovjetik në ambientet e hollit ku u hodh shorti në Varshavë, menjëherë pas finalizimit të tij. “Berndt më tha, se Bjellorusia kishte fitua dy-tre vjet më parë në Shqipëri, por ndoshta ne nuk zhvilluam një ndeshje të mirë, aq sa e tregon rezultati i lojës. Ai më tha se tani Shqipëria është një ekip më i mirë”, - tregoi Kuzheja detajin e bisedës me trajnerin kundërshtar. Shtange përveç Bjellorusisë ka drejtur edhe Omanin në rang kombëtaresh. Gjermani Shtange e drejton Bjellorusinë nga viti 2007, duke zëvendësuar bjellorusin Juri Puntus.
9 Shkurt 2010