Presidenti Topi pret ambasadorin e Gjermanisë, Bernd Borchard
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, takoi dje ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Bernd Borchard, në kuadër të përgatitjes së vizitës zyrtare që presidenti do të zhvillojë në Gjermani në prill 2010. Kreu i shtetit shqiptar i vlerësoi si shumë të mira marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin shumëpalësh me Gjermaninë në të gjitha fushat, duke i vënë rëndësi zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike dhe rritjes së pranisë së investitorëve gjermanë në vendin tonë. Nga ana e tij, ambasadori gjerman, Bernd Borchard, vuri në dukje rëndësinë e shkëmbimit të vizitave në nivelet më të larta që kontribuojnë edhe në rritjen e nivelit të dialogut dhe bashkëpunimit politik. Në takim u diskutua edhe për tryezën e ardhshme politike mes pozitës dhe opozitës, të cilën presidenti Topi vendosi ta thërrasë ditën e shtunë, më 13 shkurt 2010.
10 Shkurt 2010