E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuzhe kërcënon: FSHF-në e pres deri në qershor

TIRANE-Në pamje të parë duket si një deklaratë e matur, por në të vërtetë tingëllon si një gjysmë kërcënimi. Josip Kuzhe, duke folur dje në të përditshmen kroate "Vecernji List", ka bërë të ditur se do të presë deri në qershor Federatën Shqiptare të Futbollit, më pas do të vendosë për të ardhmen e tij.

Në këtë mënyrë, ai ka lënë të kuptohet se nëse për dy muajt e ardhshëm nuk do të diskutohet rinovimi, do të shohë për oferta të tjera. "Do pres deri në qershor për rinovimin e kontratës me Shqipërinë, më pas do të marr vendime për të ardhmen", është shprehur tekniku i përfaqësueses shqiptare. E në fakt, Kuzhe duket se ka oferta të tjera që tani. Federata Kroate e sheh si një pasues të Sllaven Biliç në stolin e kombëtares së këtij vendi, duke parë se tekniku aktual i Kroacisë do të largohet në fund të edicionit. Por, Kuzhe ka bërë të ditur se ka kontakte edhe me klube, duke nisur nga Dinamo e Zagrebit, me të cilën ka fituar një titull kampion. "Presidenti i Dinamos Mamiç më ka telefonuar tre herë së fundmi, që unë të rikthehem, - ka thënë trajneri kuqezi. - Por, unë nuk e di nëse është mirë që të kthehem aty", shtoi ai. Josip Kuzhe ka një kontratë deri në muajin dhjetor me Federatën Shqiptare të Futbollit, ndërsa tratativat për rinovimin e saj nuk kanë nisur ende.

Të pyetur për këtë çështje, zyrtarët e FSHF-së janë shprehur se është ende shpejt, duke qenë se kroati është ende nën kontratë. "Nuk kemi folur për këtë, megjithëse rezultatet e tij kanë qenë pozitive", u shpreh zëdhënësi për shtyp Lirim Zalla. Josip Kuzhe e mori drejtimin e Shqipërisë në maj të vitit 2009, pas largimit të holandezit Ari Han. Në Euro 2012, ai ka arritur 8 pikë pas 5 ndeshjesh dhe Shqipëria aktualisht ndodhet në vendin e dytë, bashkë me Bjellorusinë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›