E Shtunë, 31 Tetor 2026

Robben, dënim dhe gjobë

Nga Express më 11 prill 2011 në ora 21:26

Mesfushori i Bayern Munichut, Arjen Robben është dënuar me dy ndeshje moslojë në Bundesligë dhe u gjobit me 15 mijë euro nga Federata e Futbollit e Gjermanisë, të hënën, pas përjashtimit të tij në ndeshjen kundër Nurnbergut, të shtunën.

27-vjeçari u ndëshkua drejtpërdrejt me karton të kuq, pas fyerjeve ndaj gjyqtarit pas vërshëllimës përfundimtare të takimit dhe tani do të mungojë në dy ndeshje të rëndësishme, derisa Bayern lufton për kualifikim në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.

Holandezi, i cili i ka kërkuar falje gjyqtarit dhe klubit, do të mungojë në ndeshjen e fundjavës kundër Bayer Leverkusenit që gjendet në pozitën e dytë dhe përballjen me Eintracht Frankfurtin.

Bayern, i katërti në Bundesligë me 52 pikë nga 29 takime, duhet të përfundojë i treti për të siguruar kualifikimet për në Ligën e Kampionëve.

Pesë ndeshje para fundit, gjiganti bavarez ka një pikë më pak se Hanover 96 dhe nëntë prapa Bayer Leverkusenit. Borussia Dortmund udhëheq me 66 pikë. ”Robben mund të luajë sërish kundër Schalke 04 më 30 prill”, thuhej në komunikatën e Bayernit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›