E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superliga per Europen sot luhen dy ndeshje

Janë dy ndeshje shqiptare që mund të quhen pa u guabuar aspak “europiane”. Superliga shqiptare e mbyll bukur javën e saj të 27-të duke nxjerrë në fushë Vllazninë përballë Dinamos dhe Tiranën ndaj Laçit. Të dyja në orën 16:00 dhe me një objektiv në mes: pjesëmarrjen sezonin e ardhshëm në kupat e Europës.

Shkodranët janë ende në vend të tretë, një pozicion që ka nisur të lëkundet nga java në javë, ndërsa me Dinamon kanë edhe një llogari të hapur sepse sapo u eleminuan nga kupa si dhe janë mundur brenda në “Loro Boriçi”, 4-0 në fazën e parë të kampionatit. Një fitore do ta lehtësonte presionin e Laçit që ka sot ndeshjen e vështirë në kryeqytet, ndërsa çdo rezultat tjetër do të prishte punë. Për blutë mund të quhet shansi i fundit që t’i afrohen kontinentit nga kampionati dhe vetëm fitorja bën punë e çdo rezultat tjetër do të ishte një dështim.

Në “Qemal Stafa”, përballja është po ashtu tepër interesante. Një superfuqi e traditës përballë një “hirusheje” të kampionatit në dy vitet e fundit. Edhe për tiranasit mund të quhet treni i fundit për në Europë, nga ky drejtim, pasi ata kanë shpresë edhe në finalen e kupës, po ashtu si Dinamo. Diferenca me kurbinasit është 5 pikë dhe një fitore do ta shkurtonte në 2. Problem për trajnerin Krstiçeviç është se mungojnë sulmuesi Pejiç dhe mbrojtësi i qendrës Dushku, por edhe sepse ka pasur disa episode lidhur me disiplinën në javët e fundit, gjë që mund të ketë krijuar fërkime në skuadër.

Në përfundim të kampionatit, do të jetë vendi i tretë në renditje që do të shkojë në Ligën e Europës, ndaj edhe po luftohet për këtë vend nga katër skuadra të ndryshme.


Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›