E Diel, 1 Nëntor 2026

"Do t‘ua mbyll gojën kritikëve"

Prej gjashtë javësh, Luan Krasniqi ka filluar stërvitjen intensive me trajnerin Valentin Silagi, përpara duelit me Aleksandër Dimitrenko. Sfida e 28 nëntorit në Oberhausen do të shërbejë si hakmarrje ndaj ukrainasit, i cili e ka mposhtur 38-vjeçarin një vit më parë, por edhe për t‘u treguar kritikëve se ende nuk ka ardhur koha që të tërhiqet nga boksi. "Ndihem mjaft mirë, si fizikisht, ashtu edhe psikologjikisht. Jam mjaft i motivuar për këtë sfidë", deklaroi Krasniqi. "E prisja prej një kohe të gjatë revanshin, më në fund momenti erdhi. Në nëntor të 2008-ës pësova një humbje të pafat. Këtë shans të dytë e kam kërkuar që t‘i tregoj vetes, por edhe të gjithë kritikëve të mi, se jam ende në formë". Janë të shumtë ata që mendojnë se Krasniqi është i moshuar, por ai kundërpërgjigjet: "Mosha nuk ka shumë rëndësi, këtu po flasim për aftësitë. Kam mjaft para, kam qenë mjaft i suksesshëm, duke u shpallur kampion i Europës dhe në vitin 2005 kam luftuar për titullin e kampionit të botës. Ky brez mbetet ëndrra ime".

e. k.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›