E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuzhe: Ëndrra ime është kampionati evropian

Tiranë - Josif Kuzhe është i bindur se përfaqësuesja shqiptare do të ngrihet shumë shpejt, dhe të marrë pjesë në evenimentet më të rëndësishme të futbollit. Trajneri kroat, i cili debutoi në ndeshjen e kësaj të shtunë me Portugalinë, kërkon ta shohë Shqipërinë në kampionatin e ardhshëm evropian, i cili do të organizohet në vitin 2012 në Ukrainë dhe Poloni”.

“Mendoj se në skuadër ekziston një atmosferë e mirë, dhe do të mundohem ta mbaj për çdo ndeshje. Kjo do të na ndihmojë të rritemi dhe të marrim rezultate. Kam besim se duke zhvilluar potencialin e lojtarëve, në vitet në vazhdim Shqipëria do të luajë në evenimentet e mëdha. Ëndrra ime është që të marr pjesë me Shqipërinë në evropianin e Ukrainës dhe Polonisë”, deklaron trajneri i përfaqësueses, Josif Kuzhe.

Lidhur me humbjen 1-2 përballë Portugalisë, trajneri kroat nuk kërkon të gjejë fajtorë, pasi humbja në momentet e fundit nuk ka të bëjë me mentalitetin e futbollistëve shqiptarë.

“Kjo nuk ka lidhje. Edhe ne presim të shënojmë në minutat e fundit dhe të jemi te lumtur”, thekson Kuzhe.

“Ky është një problem dhe mendoj se nuk e ka vetëm Shqipëria. Është çështje e mentalitetit ballkanas. E dija këtë situatë, por që prej ditës së parë, jam munduar të transmetoj në skuadër mentalitetin fitues. Gjithsesi, kjo nuk mund te bëhet vetëm në një ndeshje”, përfundon Kuzhe.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›