E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lorik Cana më pranë skuadrës së Hamburgut

Tiranë - Stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” gjatë zhvillimit të ndeshjes Shqipër-Portugali ishte një vitrinë e mrekullueshme për menaxherët e klubeve evropiane, të cilët ndoqën nga afër disa nga futbollistët e përfaqësues sonë. Lojtari më i vëzhguar në këtë përballje padyshim ishte Lorik Cana.

Tre përfaqësues kishin ardhur ekskluzivisht për të ndjekur gjakovarin e Olimpikut të Marsejës. Ata përfaqësonin Verder Bremenin, Hamburgun dhe Totenhemin. Megjithëse luajti në qendër të mbrojtjes për shkak të mungesës së Dallkut, Cana bëri një paraqitje të jashtëzakonshme.

Gjatë gjithë 90 minutëshit Lorik Cana humbi vetëm një duel me futbollistin më të mirë të planetit, Kristiano Ronaldon. Në përfundim të ndeshjes lojtari u takua me tre menaxherët, të cilët e përgëzuan futbollistin e përfaqësueses për paraqitjen e bërë.

Për kapitenin e Marsejës interesohen edhe klubet e Liverpulit dhe Arsenalit në Angli. Ndërkohë, pista e Evertonit ka rënë përfundimisht, pasi futbollisti nuk kërkon të luajë në këtë skuadër.

Burime pranë babait të Lorikut, i cili është edhe menaxheri i tij, thonë se mesfushori shkatërrues do të kalojë tek Hamburgu. Sipas këtyre burimeve, ky kalim është thuajse i sigurte.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›