E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuzhe "humb" guximin, me Slloveninë monotoni

TIRANE-Duhet të ishte ndeshja e tij apo e të rinjve që kërkojnë të tregojnë se janë të denjë për t'iu besuar fanelën kuqezi. Por, miqësorja me Slloveninë duket se do të jetë testi i zakonshëm e 11-shes titullare të stërprovuar nga Josip Kuzhe. Për sfidën e 9 shkurtit në kryeqytet, të gjithë prisnin që trajneri kroat t'u jepte një shans atyre që ende nuk e kanë patur, duke nisur nga sulmuesi i Modenas në Serinë B Edgar Çani. Në të vërtetë, lista e publikuar dje prej tij, është një monotoni, me të njëjtët emra që kanë luajtur deri tani në 4 ndeshjet e para zyrtare. Nuk ka dyshim se ata e meritojnë të jenë pjesë e përfaqësueses, por futbollistë si Erjon Bogdani, Klodian Duro apo ndonjë tjetër, nuk kanë shumë nevojë të provohen në ndeshje miqësore, pasi ata janë tashmë titullarë të deklaruar. Kuzhe nuk ka lënë jashtë emra si Beqaj, Ujkani, Lila, Dallku, Vangjeli, Agolli, Teli, Cana, Vrapi, Bulku, Lala, Memushaj, Duro, Lika, Vila, Muzaka, Bogdani, Salihi, Kapllani e Bakaj.
Skela e Berisha
Përveç Edgar Çanit, që mendohej se do të bënte debutimin në miqësoren e 9 shkurtit me Slloveninë, dy janë emrat e tjerë që mungojnë në listën e publikuar dje nga Josip Kuzhe. I pari është Ervin Skela dhe i dyti Besart Berisha. Ky i fundit nuk përshtatet aspak me stilin kolektiv të kroatit, kështu që shanset për një rikthim në përfaqësuese, duken tepër të vakta. Ai madje nuk figuron as në planet "rezervë" të teknikut të kombëtares, pavarësisht se tek Arminia ka nisur të luajë. Ndërkohë, për Ervin Skelën kombëtarja mund të quhet një kapitull i mbyllur edhe pse fantazisti thotë se nuk heq dorë. Ai sapo ka kaluar te amatorët e FC Windeck në Gjermani, ku ka nënshkruar për 6 muaj. Skela nuk ka gjetur ende një skuadër profesioniste që prej largimit nga Tus Koblenci në qershor të vitit të shkuar.
Duhet fitore
Ka një shpjegim përse Josip Kuzhe thërret gjithnjë futbollistët titullarë edhe për ndeshje miqësore. Kjo lidhet me faktin se kroatit i kërkohet gjithnjë të fitojë, qoftë ndeshje miqësore apo zyrtare. Në këtë mënyrë, hapësirat për të provuar futbollistë të paprovuar më parë, mbeten shumë të vogla. Që tani mund të hipotezohet lehtë formacioni me të cilën Shqipëria do të luajë ndaj Sllovenisë, pasi kroati bën shumë rrallë ndryshime. Emra si Beqaj, Lila, Dallku, Agolli, Cana, Bulku, Lala, Duro apo dyshja Salihi-Bogdani, do të jetë pa më të voglin dyshim në fushë. Balotazhi i vetëm krijohet ndërmjet Gilman Likës dhe Emiljano Vilës, por edhe mes tyre e Gjergji Muzakës. Në krahun tjetër, tekniku slloven Matjazh Kek do të mbërrijnë në Tiranë me një pjesë të mirë futbollistësh të rinj, që u duhet të fitojnë më shumë eksperiencë në arenën ndërkombëtare.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›