E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, shpallen kampionët e vegjël të Shahut

DURRËS - Në kampinatin e shahut, edicioni i dytë ku morrën pjesë afro 500 nxënës të shkollave 9-vjeçare të qytetit të Durrësit që përfundoi të shtunën, shahistja më e mirë u shpall Valentina Sadikllari, ndërsa si më i mirë ndër djemtë, u rikonfirmua fituesi i edicionit të parë Samuel Xhimo.
Gjashtë djem dhe po aq vajza konkuruan për titullin kampion pas një maratone të gjatë, tha për ATSH-në Gladiola Busulla, drejtore e Qendrës Kulturore e Fëmijëve (QKF), organizuese e kësaj veprimtarie.
Takimet finale u zhvilluan në hollin e pallatit të kulturës "Aleksandër Moisiu" të qytetit bregdetar dhe u ndoqën nga dhjetra amatorë, prindër dhe bashkënxënës të shahistëve të vegjël.
Në këtë edicion u shquan veçanërisht shkollat "Jusuf Puka", "Vinçens Prendushi", "Turgut Ozal" dhe "Kushtrimi i lirisë", të cilat u përfaqësuan në fazën finale me 2-3 konkurentë. Kupën si shahistja më e mirë e fitoi Valentina Sadikllari, ndërsa pas saj u renditën Andia Shkarpa dhe Armida Shahini.
Shahisti më i mirë u rikonfirmua fituesi i edicionit të parë Samuel Xhimo, i cili la pas Irmir Dervishajn dhe Erion Stojanin.
Kampionati i dytë i shahut për nxënësit e shkollave 9-vjeçare në Durrës rikthen atmosferën e këndshme të "sportit të mëndjes" në qytetin bregdetar, i cili në vitet 1970-2000 u përfaqësua në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare më mjeshtra shumë të njohur si Erald Dervishi, Fatos Muça, Altin Çela, Kozma Nasto, Hamza Xhakoni, etj.
Bërthama e shahistëve të vegjël stërvitet në rrethin jashtëshkollor të shahut të QKF-së, i cili drejtohet nga Mjeshtri i FIDE-s, Harallamb Boshku dhe përgjegjësi i sektorit të sporteve Arjan Plaku.
(d.b/ATA/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›